Albspirit

Media/News/Publishing

Ne kemi bërë gjithçka të mundur historikisht për të qenë miq me grekët

Rubrika: Faik Konica, histori dhe aktualitet

 Ne kemi bërë gjithçka të mundur historikisht për të qenë miq me grekët

Faik Konica ngjyraËshtë Faik Konica që shprehet në këtë mënyrë që në numrin 2 të “Albania-s” së tij në prill 1897, duke theksuar madje se “ky vend (Greqia) ia detyron ekzistencën dhe vitalitetin e tij vetëm shqiptarëve”. Domosdo. Kur kemi parasysh se që në historinë e lashtë, falangat e Aleksandrit të Madh, të birit të Olimbisë molose përbëheshin në shumicën e tyre nga iliro-shqiptarët, dhe vetë Aleksandri shante shqip vendçe. Më pas, duke ndjekur gjithnjë linjën historike, në perandorinë iliro-greko-romake kemi shkëlqimin e 33 perandorëve ilirë në krye të saj, kulmuar me dy perandorë, Konstandinin e Madh, që realizoi fitoren përfundimtare të krishterimit në fund të shekullit IV dhe Justinianin e Madh, i cilësuar “gjigandi ilir i Codex Justinianus”, i cili vendosi në themele të perandorisë, në vitin 395, shtetin e së drejtës së shkruar qeverisur nga Kodi i tij. Po ashtu lulëzimi i Bizantit me despotatet e Beratit dhe të Epirit, nga Peleologët te Muzakajt, si dhe me themelimin e stratiopive – të atyre katundeve të shumta me popullatë ushtarake arbërore në krejt Thesalinë, nga gjiri i të cilave do dilnin kapeletët apo stradiotët e famshëm albanoi përhapur në Europën e Mesjetës së hershme – dëshmon për gjakun arbëror në damarët e Heladhës e të Greqisë, që do bënte më pas epope me qëndresën legjendare të Skënderbeut, Mbret i Epirit e i Shqipërisë. Në Perandorinë Osmane shkëlqejnë në krye të saj 39 vezirët shqiptarë që e lartuan këtë perandori në rangun e superfuqisë së kohës dhe më pas, do jenë fustanellarët arvanitas të Sulit e të Marko Boçarit me shokë, përkrah Bajronit, që do udhëheqin luftën për pavarësi të popullit grek, nga Specia e Hidra e Bubulinës dhe admiral Miaulit deri në kontinent, ku gjëmonte Kolokotron Byth-Guri i Moresë. Dhe historia do përsëritej, duke ndarë shpesh shqiptari kafshitën e gojës me grekun e uritur, sidomos gjatë dy luftërave botërore.

Në të kundërt, historia flet krejt ndryshe, me gjuhë tepër të hidhur, deri në tragjedi (që nga masakrimi i Negovanit me shokë gjer te gjenocidi çam), për pësimet dhe tmerret që ka kaluar kombi shqiptar i vrarë, prerë, martirizuar e copëtuar nga politikat dhe aktet barbare e shoviniste të qarqeve qeveritare dhe të patriarkanës greke, përherë antishqiptare historikisht, përherë me thikë të përgjakur mbi kurriz të shqiptarëve. Ligjin e luftës me Shqipërinë e vendosën dhe e mbajnë në fuqi, tundur prej dekadash si dordolec, politikanët grekë pasuar nga juntat e tyre. Rrëmbyen sa e si iu desh qejfi, që me Kongresin e Berlinit, konkretisht krejt vilajetin e Janinës apo Epirin e lashtë shqiptar me trojet çame e suljote, madje edhe me vetë Konicën e Faikut; dhe të pangopur, lakmuan e ç’nuk bënë gjer në vitet 20 të shekullit të kaluar, për të rrëmbyer Korçën, Sarandën, Gjirokastrën e më tej. Asnjëherë nuk njohën minoritet arvanitas e shqiptar në Greqi, duke ndjekur ethshëm politikë asimiluese e asgjësuese ndaj këtij minoriteti; dhe sot, ndonëse ndodhen mbi 300 mijë emigrantë shqiptarë në Greqi, që kanë derdhur e derdhin djersën e tyre në vendin e ahengut e të buzuqit, po edhe të borxhit ndërkombëtar, asnjëherë nuk hapën një shkollë të vetme shqiptare. Pale që lakmojnë e kërkojnë me ngulm det shqiptar, kërkojnë Himarë shqiptare, kërkojnë me bujë varreza të ushtarëve grekë në tokë shqiptare, kërkojnë të shtohet me një a dy zero numri i minoritarëve grekë në Shqipëri, kërkojnë të shtojnë partiçka të tyre që të ulërijnë e të bërtasin më shumë për të drejta greke në Shqipëri! Më tej, këndojnë himn ushtarak për ta bërë thela-thela shqiptarin, qeverisin e nanurisin ortodoksët shqiptarë me Janullatosin, të cilit s’i shkoi njëherë mendja të shenjtërojë bijtë e kishës ortodokse shqiptare me Nolin në krye.

Po boll me kaq dhe le ta lëmë më mirë të flasë vetë Konicën 21-vjeçar, të flasë si di ai, duke iu drejtuar me letër të qëndisur Plakut Gladestone, ish-kryeministrit anglez, tek ia thotë açik : Ja , Zotëri, kush janë grekët që ju dhe tërë Europa i mbroni! Hallall që i mbroni, por jo në kurriz të shqiptarëve, kur duan t’i bëjnë varrin!

Faik Konica, ky emancipues gjenial i Rilindjes Kombëtare shqiptare, siç është cilësuar me të drejtë, na mëson, sot e kësaj dite, ç’do të thotë dinjitet i vërtetë shqiptar në politikë, diplomaci, kulturë e shoqëri, kundër çdo shovinizmi të huaj. Na mëson të themi të vërtetën me forcën e ashpër, edhe pse nuk i pëlqen kujt, kur cenohen interesat madhore kombëtare. Na mëson po ashtu se nuk e meritojmë “mjerimin më të tmerrshëm në më të pasurin e vendeve”, lakmuar e copëtuar historikisht pikërisht për pasuritë që zotërojmë. Sepse jo më kot shumë autorë e udhëtarë të huaj e kanë cilësuar Shqipërinë, që në shekullin XIX, si Zvicrën e Ballkanit. / Monet Maneshi.          

 ***

Dy fjalë prej të “Madhit Plak”

(Sjellë në shqipen e sotme).

Nga Faik Konica

Grup shqiptaresh te armatosur

Si na kishin shkruar ca shoqëri të Shqipërisë, i dërguam letër Zotit Gladstone,  të “Madhit Plak”,Old Great Man, siç e quajnë anglezët. Nuk ka këndonjës që të mos ketë dëgjuar emrin e këtij të larti njeri, zëri i të cilit prej dyzet vjetësh mbushi Europën me thirrje për lirinë e kombeve të shtypura prej tiranisë.

Në atë letër i thoshim Gladstonit si ndodh që një aq i madh njeri u gënjye prej grekëve dhe bërtet (propagandon) për këta, kur grekët janë të fëlliqur dhe kur gjenden kombe – si kombi shqiptar – më të gjorë e më të varfër. Na bëri nderin i “Madhi Plaku” të na përgjigjet me nja dy fjalë:

Zotit Trank Spiros, nxjerrësit të së përkohshmes “Albania” në Bruksel.

 Londër, më 6 të prillit.

Zot,

 Kam nderi t’ju them që mora letrën tuaj të 29 marsit.

Nuk bëj ndryshim (dallim) midis shqiptarëve dhe grekëve lidhur me të drejtat e tyre për liri dhe të drejtat humane.

Më duket që godisni ligsht kur e nisni foljen (fjalën mbrojtëse) për shqiptarët, duke hedhur rëndësira (rëndesa) të forta kundër grekëve, të cilët tani, – në mos të tjerat herë – e kanë prurë veten në një punë të ndriçme. Shpresoj se shqiptarët do t’u japin ndihmë.

Sot për sot, s’e kam thelluar mjaft atë punë, dhe andaj më vjen ligsht të mos mund të them më.

Jam, etj.

Gladestone”.

Filippo Delpino, 1821

Këto fjalë nderojnë atë që i ka shkruar, por jo ata për të cilët thotë (kërkon) t’i ndihim. Nderojnë atë që i ka shkruar, se është shpirtlartësia e Gladestonit që e beson punë të lehtë të ndihen kombet e vogla njëri me tjetrin. Sa e bukur, sa e mirë, sa e perëndishme do të ishte të bashkoheshin popujt dhe të luftonin tok kundër tiranëve. Por o e liga! (ah ligësi!) ç’më bën që greku është armik i lirisë; dhe në luftonte me ne, luftonte e lufton jo për të na dhënë liri, por për të zënë vendin e turkut. Grekët janë të fëlliqur dhe të ulët dhe – për shqiptarët që i njohin mirë – e tepërt është të themi më shumë.

Albania 2, 25 prill 1897.

 

 

Një fjalë nga “Great old Man”

(Përkthyer nga frëngjishtja).

 Në emër të Lidhjes për pavarësinë e Shqipërisë, ne i patëm drejtuar një letër Z. Gladstone, ku përmblidhnim gjithë të mirën që mendonim për ata interesantë martirë: grekët. Ja disa paragrafë nga ajo letër, të cilën nuk mund ta japim in extenso për shkak të lëndës së shumtë për botim.

“Kam nderin t’ju drejtoj, krahas kësaj letre, një kopje nga “Revue Albanaise”. Në këtë mënyrë, besoj se plotësoj një detyrë; është e nevojshme në fakt që, kur zëra të mëdhenj si i juaji, jehona e të cilit është e përbotshme, lartohen që nga gjiri i njerëzimit për mbrojtjen e popujve të shtypur, është e nevojshme pra, që këta zëra të mos dalin të zhgënjyer në bujarinë e tyre, të mos lënë mënjanë një popull në dobi të një tjetri, dhe sidomos të mos marrin anën e shtypësve duke pandehur se marrin nën mbrojtje të shtypurit…

Nuk është sekret për askënd që njeh historinë e Greqisë moderne, se ky vend ia detyron ekzistencën dhe vitalitetin e tij vetëm shqiptarëve. Dhe grekët na e shpërblejnë: 1° duke nxitur fanatizmin turk ndaj nesh; 2° duke vënë në veprim bandat klerikale prej spiunësh për të na përçarë; 3° duke përhapur në opinionin publik europian idenë se ne nuk ekzistojmë si komb, se jemi një bandë vrasësish dhe (o ironi!) hajdutësh. Sidomos për ta bërë sa më të besuar gënjeshtrën se nuk ekzistojmë si komb, grekët ç’nuk bëjnë për t’ia arritur doemos këtij qëllimi, duke gjetur madje edhe këtë mënyrë të thjeshtë: që prej vitit 1877, Shqipëria është në revoltë pothuaj të vazhdueshme kundër zgjedhës së turqve, dhe kjo revoltë shfaqet jo me dëngla të modës greke, por me fakte konkrete, domethënë: duke kundërshtuar shërbimin ushtarak; duke kundërshtuar pagimin e taksave; duke kundërshtuar dorëzimin e armëve; mirëpo, mjaft agjenci dhe korrespondentë të gazetave të huaja në Greqi e Turqi, të subvencionuara nga vetë grekët, edhe pse detyrohen t’u bëjnë jehonë këtyre revoltave të herëpashershme, tepër domethënëse, ruhen të thonë se ato po ndodhin në Shqipëri; por herë thonë se po ndodhin në “Epir”, herë në “Maqedoni” e herë në provincën e “Kosovës”! Dhe gjithmonë duke mos dashur të përmendin termin “Shqipëri” e duke ndjekur këtu atë politikë të pabesë që aq bukur e kanë quajtur “konspiracioni i heshtjes.”

Çka na ngushëllon në tërë këtë hall që na ka zënë është vëzhgimi i përditshëm i faktit të dukshëm se të gjithë ata që bëjnë një ekskursion disi serioz në Ballkan, nuk mungojnë të sjellin prej andej një përbuzje të thellë për grekët dhe shumë simpati për shqiptarët. Mirëpo ky ngushëllim është tepër ideal, duke mos mundur të na ngushëllojë në planin konkret.

Shqiptarët krijojnë një grup shoqëror të madh, prirjet e të cilit janë të papajtueshme me ato të grupeve fqinje përreth. Për nga vetë përkufizimi që këta u japin, nuk përjashtohet që ta vdesin krejt, por është jashtë çdo mundësie që ai të shkrihet me një popull tjetër. Ky komb do jetë i lirë dhe do jetojë. Nuk do ta ketë shumë të vështirë për të hequr qafe turqit. Sa për ato fuqi të mëdha që do kishin pretendime ndaj Shqipërisë, ato do neutralizonin njëra-tjetrën. Në fakt, Austria as që do ta duronte një protektorat italian në Shqipëri, sepse do kishim të bënim në këtë rast me zhdukjen e plotë të marinës së saj, tek do ta shihte veten të zënë në çark brenda një liqeni të vërtetë. Italia po ashtu nuk do lejonte një pushtim austriak, që do të thoshte për të bllokim të brigjeve të saj lindore. U trembemi vetëm grekëve, sepse ata kanë një armë të frikshme: pabesinë; dhe duhet që pabesia e tyre të jetë gjigande, sepse tashmë kanë arritur të rrëmbejnë simpatinë e njerëzve më të mëdhenj me të cilët nderohet bota…”.

*   *   *

Dhe ja përgjigja që Z. Gladstone pati nderin të na drejtonte:

 

“Z. Trank Spiro, botues i “Albania-s”.

Londër, 6 prill 1897.

Zotëri,

 

Europa duke goditur kafsherisht Shqiperine

Kam nderin t’ju vë në dijeni se mora letrën tuaj të 29 marsit.

Unë nuk bëj dallim midis shqiptarëve, grekëve dhe racave të tjera për sa i përket të drejtave të tyre për liri, drejtësi dhe njerëzi.

Më duket e papërshtatshme që ju e nisni fjalën tuaj të mbrojtjes për shqiptarët me batare të ashpra kundër grekëve, që janë të angazhuar në një vepër të nderuar, të paktën now (tani – fjala është nënvizuar me vijë të fortë – shënim i F. K.)

Në gjendjen e sotme të njohjes që kam lidhur me çështjen, më vjen keq të mos ju them më shumë.

Jam,…etj.”

Këto fjalë janë në nderin e njeriut të madh që i ka shkruar, por larg së nderuari grekët, ato veçse i ulin: sepse tregojnë që the great old man vazhdon si gjithnjë të favorizojë grekët, dhe çfarë poshtërimi për një popull që vazhdon të jetë i padenjë për simpati kaq të larta! Ndërsa zëra plot gojëtari oshtijnë përmes Europës në favor të grekëve, vetë grekët “veprojnë” në hije gjithë gënjeshtra, poshtërsi e pabesi.

Ne, nga ana jonë, kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të qenë miq me grekët; ata, përkundrazi, nuk kanë bërë gjë tjetër veçse na kanë sharë, përçarë, shtypur.

Si vritet Papa Kristo

Kur, nga mesi i shekullit, njerëz të përshpirtshëm dërguan në Shqipëri libra për të na ndriçuar, grekët i dogjën ato solemnisht me anë të priftërinjve të tyre (= spiunë të tyre) nën pretekstin e çuditshëm se gjuha shqipe ishte heretike (sic). Tani që e shohin, gjithë llahtari, lëvizjen shqiptare të bëhet serioze, grekët duan të hyjnë në bisedime me ne dhe oho! domosdo që do ishte interesante e e lezetshme njëkohësisht sikur të arrinim të nxirrnim në shesh, para syve të lexuesve tanë, tërë përpjekjet gati zyrtare që qeveria greke – pas manifestimeve të Elbasanit ku, me tërë atë shkëlqim u shfaq vitaliteti i kombit shqiptar – ka bërë pranë komiteteve shqiptare për një afrim me Greqinë. A duhet thënë se u kanë dhënë fund armiqësive? Përkundrazi, ata punojnë më me tërbim, por gjithnjë në hije.

Të vjen keq të shohësh fshatarët shqiptarë: të plaçkitur nga bejlerët feudalë, të grirë nga turqit, të rrjepur nga peshkopët grekë, ata janë pa këmishë në trup dhe pa bukë, duke hequr zvarrë një jetë të mjerë e pa shpresë të afërme, dhe duke dhuruar para syve të botës këtë antitezë të urryer: mjerimin më të tmerrshëm në më të pasurin e vendeve. Dhe nuk e dinë se kë duhet të urrejnë më shumë: tiraninë e hapur të turkut apo tiraninë e fshehtë të grekut. Po ama, të gjithë e kanë një dyfek, dhe nuk kanë për të vdekur pa e vënë një herë në përdorim, kur ideali më i lartë i drejtësisë nuk do t’ua mohojë këtë veprim. Nëse ëndrra e madhe  e Z. Gladstone dhe e tërë atyre mendjeve fisnike – për të hequr qafe turqit nga Europa – do të realizohet një ditë, nuk kanë për të qenë kukullat teatrore të Greqisë veprimtaret në këtë punë. Por, pasi të heqin qafe turqit, shqiptarëve u mbetet, të bashkuar me vllehtë, të ëndërrojnë për Thesalinë e tyre.

Albania 2, 25 prill 1897.

 

Përktheu nga frëngjishtja e përgatiti për botim M. Maneshi.

Please follow and like us: