Albspirit

Media/News/Publishing

Jepet me koncesion fusha e gazit në Divjakë 

pus-nafteNjë kompani kanadeze fiton “Bllokun C”. Vendburimi ekzistues vlerësohet me 2.2 miliardë m³ gaz

“Zenith Energy Ltd.” është njoftuar dje zyrtarisht nga qeveria shqiptare, se oferta e saj për koncesionin e kërkimit të naftës dhe gazit në “Bllokun C”, ishte e suksesshme. Deklarata u shpërnda nga vetë kompania kanadeze me qendër në Alberta. Tenderi i zhvilluar dymbëdhjetë muaj më parë nga autoritetet shqiptare, ishte i përbërë nga katër koncesione. “Zenith” mori letrën zyrtare të konfirmimit si fitues i njërit prej koncesioneve nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN), e cila varet nga Ministria e Energjisë, institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe kontrollin e industrisë nxjerrëse. Sipas “Zenith”, një tjetër bllok, i identifikuar për qëllime të tenderit, si “Blloku 4”, iu dha degës në Shqipëri të kompanisë “Shell”, që është tërësisht në pronësi të familjes mbretërore të Holandës, e cila gjithashtu, së fundmi ka marrë një tjetër vendburim të naftës shqiptare bashkë me kompaninë e vogël kanadeze “Petromanas Energy Inc.” Sipas Zenith, ky fakt tregon për interesin në rritje të shumëkombësheve ndaj industrisë së naftës në Shqipëri. “Blloku C” mbulon një sipërfaqe prej 222 395 akrash (347.5 milje katrorë apo 900 kilometra katrorë) dhe është e vendosur në jug të qytetit të Durrësit, në rajonin qendror të bregdetit. Pozicioni gjeologjik i koncesionit i “Bllokut C” është pjesë e shtresave të Adriatikut perëndimor, me përbërje të ngjashme me bregdetin jugor italian. Prandaj, gjeologët dhe inxhinierët e kompanisë “Zenith” që banojnë në Itali duhet të kenë përvojë praktike nga operacionet e mëparshme për të përshpejtuar suksesin në Shqipëri. Vendburimi i identifikuar në “Bllokun C” është i lidhur me rezervuarë të gazit natyror, duke përfshirë fushën e pasur të gazit në Divjakë-Ballaj, me rreth 2.2 miliardë metra kub gaz (Burimi: Albpetrol sha). Aktiviteti i shpimit dhe kërkimit në vitet e kaluara në këtë rajon ka treguar se ekziston potenciali për zbulimin e naftës në “Bllokun C”. “Zenith” është veçanërisht e intriguar me potencialin e këtij koncesioni të dhënë, sepse, deri më sot, të gjitha fushat e prodhimit të naftës në Shqipëri janë gjetur në një thellësi mesatare prej 2200 metrash, për shkak të kufizimeve teknike dhe informacionit të kufizuar sizmik. Kërkimet e objektivave në thellësi ofrojnë mundësi shtesë për suksesin e eksplorimit. Çmimi i koncesionit është objekt i negocimit të një marrëveshjeje të naftës mes qeverisë dhe bordit të drejtorëve të “Zenith”. Kompania njofton se tani do të punojë me AKBN për të negociuar dhe ekzekutuar një kontratë për ndarjen e prodhimit. Kompania do të ketë shtatë vjet afat për të kryer aktivitetet fillestare të kërkimit, që lejon shtyrjen e angazhimeve të mëdha financiare. Bordi i menaxhimit e konsideron shtyrjen e shpenzimeve të dobishme të projektuara për kërkimin e rezervave të reja në afat të gjatë të lidhur me perspektivën e çmimeve botërore të naftës përtej 2020-s. “Zenith” ka përvojë në këtë fushë, ndërkohë është duke punuar në bashkëpunim me agjencitë qeveritare për problemet mjedisore në Argjentinë, Itali dhe Azerbajxhan. Blerja e “Bllokut C” për eksplorim shihet nga bordi drejtues si mundësi që “Zenith” të sigurojë nivel më të lartë për menaxhimin e prodhimit ekzistues në Shqipëri në përputhje me strategjinë ekzistuese dhe të provuar të kompanisë. Sipas njoftimit zyrtar, kompani ka një plan që të shfrytëzojë lëvizjet e çmimit “Brent” për të maksimalizuar vlerën e gazit natyror me operacione në tregun italian, sidomos pas zhvillimit të projekteve që ka edhe në Azerbajxhan. Andrea Cattaneo, drejtor ekzekutiv dhe president i “Zenith”, komentoi se “kompania po ecën përpara me një investim strategjik në Republikën e Shqipërisë në industrinë e naftës dhe gazit. Ky vend vazhdon të paraqesë mundësi të gjera ekonomike për investitorët e huaj dhe qëndrueshmëri të këtij sektori. Rajoni është i përshtatshëm gjeografikisht për strategjinë e zhvillimit të vazhdueshëm të “Zenith” dhe ofron çmime të favorshme për prodhimin dhe kërkimin. Për më tepër, ky koncesion shqiptar është vetëm 60 km larg nga asetet italiane të kompanisë në Puglia dhe Molise. Gjithashtu, ka prova gjeologjike që konfirmojnë një sistem të ngjashëm të hidrokarbureve mes dy territoreve. “Zenith” do të jetë në gjendje që me njohuritë teknike dhe përvojën e personelit të saj në Itali të maksimizojë efikasitetin e saj në Shqipëri”. Zenith synon blerjet e fushave të mundshme të prodhimit të naftës dhe gazit që ofrojnë logjistikë të mirë dhe afërsi me rafineritë dhe tubacionet. Drejtorët e “Zenith” kanë përvojë të gjerë ndërkombëtare dhe qeveritare, po ashtu kanë njohuri teknike për të zbatuar këtë strategji. Menaxhimi i “Zenith” është duke ndjekur në mënyrë aktive zhvillimet në vendburimet kontinentale me kosto të ulët të blerjes nga kompanitë kombëtare apo që kanë zgjedhur të ndajnë kapitalin e tyre për të zhbllokuar burimet dhe ulur kostot. Kostot e blerjes minimizohen më tej nga një strategji e riinvestimit të një pjese të flukseve monetare.

Please follow and like us: