Albspirit

Media/News/Publishing

Të fshehtat e komunizmit në ‘strehën’ bunker të Enver Hoxhës

Të fshehtat e komunizmit në ‘strehën’ bunker të Enver Hoxhës (FOTO)

Prej qershorit të vitit 19780-ës kur u inaugurua nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës, bunkeri anti-bërthamor i ndërtuar në Tiranë, nuk u shfrytëzua asnjëherë për qëllimin mbi të cilin u ngrit: atë të strehimit në rast të një sulmi të mundshëm nga armiku i cili nuk erdhi kurrë, veçse në mendjen e ish-diktatorit.

Sot, ky bunker është shndërruar në një qendër historiko-artistike të ‘pagëzuar’ me emrin BUNK’ART. Ai u çel për herë të parë për publikun në nëntor të vitit 2014, e prej asaj kohe kushdo ka mundësinë ta vizitojë për të zbuluar këtë pjesë të historisë së vendit tonë. 106 dhoma të shpërndara në 5 kate nëntokë dhe një sallë kuvendi që mbartin dëshmitë e pakta të kohës së luftës së ftohtë tashmë kanë hapur dyer për turistët dhe vizitorët e huaj të cilët kanë kureshtje të njohin të fshehtat e regjimit diktatorial në Shqipëri.

Korridoret, hapësirat e parashikuara për mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në raste lufte, dhomat ku mendohej të flinin ish-diktatori komunist Enver Hoxha dhe ish-kryeministri Mehmet Shehu në rast sulmi bërthamor, salla gjigande për mbledhjet e Byrosë politike e cila përfshinte edhe një Bufe tipike shqiptare, janë transformuar në ekspozitë video-muzeale dhe në art.

Ndryshe nga nëntori i 2014-ës, këtë sezon të dytë që ka nisur në prill të 2016-ës, BUNK’ART është rihapur në formë të përhershme, duke u kthyer në një pikë turistike unikale në rajon për të treguar jetën e shqiptarëve gjatë 45 viteve të komunizmit. Ekspozita video-muzeale i është prezantuar edhe publikut kosovar në Panairin e Turizmit, të organizuar në Prishtinë, në datat 21 dhe 22 Prill.

Rreth 15 mijë persona kanë vizituar bunkerin anti-bërthamor në gati një muaj nga rihapja e tij për publikun, ndërsa në mesin e tyre janë evidentuar edhe grupe nxënësish e studentësh, kjo pasi BunkArt konsiderohet si një pikë turistike me interes historiko-kulturor për brezin e ri.

Veç dhomave ekzistuese ashtu siç ato janë ndërtuar në atë kohë, risia e këtij sezoni janë dhomat me ekspozime lidhur me jetën e përditshme sociale të shqiptarëve në vitet e komunizmit, me objekte e materiale origjinale të kohës së komunizmit.

Klasa e viteve ’60-’70, një dhomë si një berberhane e atyre viteve, një dhomë si një bulmetore, një dhomë si repart shëndetësor i po atyre viteve, etj, janë ato se çfarë mund të gjeni në këtë bunker të rrallë. Në BUNK’ART gjenden gjithashtu dhoma të dedikuara artit kontemporan, ku artistë të ndryshëm ekspozojnë veprat e tyre.

Bunk’Art është ekspozita e parë video-muzeale në Shqipëri me karakter historik, e vendosur brenda një bunkerit anti-atomik. Ai është i hapur për publikun nga ora 09:00 deri në 17:00, nga e marta në të dielë, ku mundësohen guida private në shqip, anglisht dhe italisht.

Please follow and like us: