Albspirit

Media/News/Publishing

Jeta luksoze e miliarderëve të Koresë së Veriut

Jetesë – Shteti komunist tani ka shtresën e pasur të popullatës. Ata qëndrojnë në Piongatan, i cili mund të konsiderohet si universi paralel i banuar nga fëmijët e pasur të Republikës Demokratike të Popullit

Atyre u pëlqejnë tendencat më të fundit të veshjeve dhe marka si “Zara” dhe H&M. Ata stërviten në palestra për t’u dukur, po aq sa edhe për të mbajtur trupin në formë.

Ata pinë kapuçino që të tregojnë sesa modernë dhe kozmopolitanë janë. Madje disa prej tyre kanë qepallat e bëra operacion, që të ngjajnë më shumë me perëndimorët.

Koreja e Veriut tani ka një përqindëshin e saj të pasur të popullatës.

Ata qëndrojnë në Piongatan, i cili mund të konsiderohet si universi paralel i banuar nga fëmijët e pasur të Republikës Demokratike të Popullit.

“Ne duhet që të vishemi në mënyrë konservatore në Korenë e Veriut, e për këtë arsye njerëzit kanë qejf që të shkojnë në palestër, në mënyrë që të tregojnë trupat e tyre, të tregojnë pak më shumë sesa zakonisht”, tha Lee Seo-hyeon, një 24-vjeçare që deri përpara 18 muajsh ishte pjesë e grupit të fëmijëve të llastuar të kryeqytetit koreanoverior.

“Vajzat kanë qejf që të mbajnë veshur streçe dhe bluza të ngushta. Marka më popullore mes femrave është ‘Elle’. Ndërkohë që djemtë preferojnë ‘Adidas’ apo ‘Nike’”, vazhdoi ajo. “Kur të rinjtë shkojnë në Kinë, ata me vete kanë një listë me kërkesa nga miqtë e tyre, përgjithësisht veshje për palestër.”

Në kompleksin modern, ku qëndrojnë të rinjtë e pasur, ke edhe një restorant mjaft të bukur, ku mund të bëhen edhe dasma, një sallë mjaft luksoze, që nëse prenotohet, do të kushtojë 500 dollarë një orë. Një shifër mjaft e lartë kjo, po të kihet parasysh se rroga mesatare e një koreanoveriori nuk i kalon 10 dollarë në muaj.

Gjithashtu edhe kafeneja është mjaft moderne, ku shumica e pijeve shkojnë nga katër dollarë dhe tetë dollarë, gjithsesi një mocha e akullt vete deri nëntë dollarë.

“Ky është një vend mjaft i bukur. Kur ti ndodhesh këtu, është njësoj sikur të mund të ishe kudo tjetër në botë”, u shpreh Andray Abrahamian për “Washington Post”, një britanik që ndihmon në drejtimin e një programi që trajnon koreanoveriorët në tregtinë financiare. Tani vonë ai luajti tenis në një sallë të mbyllur, në njërën nga tre të hapurat në qytet. “Nuk janë çmimet e lira. Për një lojë duhet të paguash disa dollarë. Këtë mund ta bëjnë njerëz që kanë të ardhura të mjaftueshme.”

Situata në ekonominë e Koresë së Veriut nuk është e mirë. Kriza ka goditur vendin, ndërkohë që shumica e popullsisë vuan për gjërat më minimale. E megjithatë, në vitet e fundit është krijuar një shtresë tregtarësh, të cilët kanë marrë statusin e pasanikëve të rinj në Pjongiang.

“Donju” ose “mjeshtrit e parasë”, kanë dalë në pah me tentativën nga ana e drejtuesve të vendit totalitar për ta kthyer Korenë e Veriut në një ekonomi tregu rreth 15 vite më parë. Tani që drejtimi është marrë nga Kim Jong Un, lideri i brezit të tretë të familjes, tregtia ka marrë një hov më të madh.

“Donju”-të zakonisht mbajnë pozicione të mira në qeveri, ministri apo ushtri dhe drejtojnë biznese shtetërore jashtë ose përpiqen që të tërheqin investime të huaja në Korenë e Veriut.

Nga ana tjetër, ata tregtojnë çdo gjë që mund të shtien në dorë, që nga televizionet plazma e deri tek apartamentet.

Dhe paratë që tani ata fitojnë hidhen në treg kudo në vend, që nga qendrat e qytetit e deri në restorantet me luksoze të Pjongiangut.

“Kim Jong Un është një lider shumë pro të të bërit biznes. Ai ka ndikuar në këtë frymë”, tha Andrei Lankov, një historian rus i specializuar në Kore, që dikur studioi në kryeqytetin e Koresë së Veriut. “Një numër i madh i tregtarëve nga ky vend që kam biseduar më thanë që ata kurrë më parë nuk kanë pasur sukses më të madh sesa tani.”

Lideri 33-vjeçar është zotuar se do ta përmirësojë jetën e moshatarëve të tij. Ai ka urdhëruar që të ndërtohen parqe zbavitjeje, parqe uji dhe parqe për të bërë patina. Madje edhe një rezervuar, ku do të vendosen delfinë, si dhe një resort skish.

Rreth e rrotull kryeqytetit, fushat e volejbollit dhe të tenisit janë plot me të rinj.

Në disa restorante luksoze çmimi që duhet të paguash për pjatat tradicionale apo të huaja është i njëjtë sikur të ishe në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

Shenja të tjera që tregojnë se situata po ndryshon, janë edhe hapja e bizneseve. Në kryeqytet janë hapur deri tani gjashtë kompani taksish, edhe pse shoferët murmurisin se punët nuk po u ecin mbarë.

Për më tepër që në qytet janë parë njerëz që mbajnë qen me vete, diçka që disa vite më parë ishte e pamendueshme.

Edhe gratë kanë nisur që të veshin rroba me më shumë ngjyra dhe më moderne. Ato ndikohen shumë nga bashkëshortja e liderit korean, Ri Sol Ju, e cila e ndjek së tepërmi modën.

Rreth tre milionë koreanoveriorë, nga 25 që është numri i popullsisë, kanë celularë. Ka supermarkete ku mund të blesh mish australian, salmon norvegjez, birrë me kriko dhe granola. E përbashkëta është se të gjitha kushtojnë shumë.

Deri vitin e kaluar, Lee Seo-hyeon dhe vëllai i saj Lee Hyeon-seung, tani 30-vjeçare, ishin pjesë e kësaj shtrese të privilegjuar.

Ata jetonin në Kinë dhe universitetin e bënë aty, pasi i ati i tyre, një zyrtar ushtarak i Koresë së Veriut, kishte për detyrë që të fitonte valutë të huaj për llogari të regjimit. Gjithsesi, ata iknin e vinin në Piongiang.

Lee Hyeon-seung përshkroi jetën e adoleshentëve të pasur atje të mbushur me këngët e Briteny Spears apo “Backstreet Boys”, përpara se të shpërthenin këngët e rrymës k-pop dhe dramat sentimentale koreanojugore.

Markat si “Uniqlo”, “Zara” dhe H&M ishin të përballueshme dhe popullore mes të rinjve të pasur. “Të gjithë miqtë e mi jetonin jashtë e secili prej tyre do të sillte të tilla gjëra në vend”, tha Lee Hyeon-seung.

Por kishte limite. Bluzat pa mëngë dhe fundet shumë të shkurtra nuk lejoheshin, ashtu si edhe flokët e lyer.

Edhe kirurgjia plastike ka nisur të përhapet në Pjongiang. Ndërhyrjet në qepallat e syve, për t’i bërë ato të duken më perëndimore, tani konsiderohen si domosdoshmëri, ashtu si edhe ndërhyrjet në hundë. Një operacion në qepallat e syrit kushton nga 50 dollarë deri në 200 dollarë. Kjo varet nga aftësia e kirurgut.

“Ti mund të marrësh një vizë për të ikur jashtë për arsye mjekësore, por për operacionet plastike nuk jepet diçka e tillë”, u shpreh Lee Seo-hyeon. “Të jesh femër e bukur dhe mashkull tërheqës konsiderohen si avantazhe në konkurrencë.”

Britaniku tregon se sa është ndryshimi sipërfaqësor dhe sa real.

“Shumica e zhvillimit ka të bëjë me imazhin”, tha Abraham. “Një grua që mori pjesë në programin tim trajnues, nisi të menaxhojë një kafene. Por këto kafene nuk nxjerrin shumë të ardhura. Kjo thjesht tregon se ti pëlqehesh nga të tjerët dhe je kozmopolitan.”

Por një ndryshim i madh mund të quhet rritja e ndërtimeve në qytet. Ndërtesat shumëkatëshe që janë shfaqur në qendër të kryeqytetit nga kompleksi Changion afër sheshit “Kim Il Sung”, deri te rruga “Mirae Scientists”, të bëjnë mjaft përshtypje nga largësia.

E megjithatë, afër tyre pllakat po bien nga ndërtesat që kanë një vit të ndërtuar dhe furnizimi me energji elektrike ngelet aq problematik, sa apartamentet më të kërkuara janë ato në katet e ulëta. Kush do të dëshironte të ngjiste 20 kate me këmbë?

Lideri i vendit, Kim, ka urdhëruar që të ndërtohen rrokaqiej madhështorë, njëri prej tyre i planifikuar që të shkojë deri në 70 kate, me dizajn ekologjik dhe ku do të ketë panele solar dhe hapësira jeshile.

Këto ndërtesa do të jenë pjesë e projektit “Fshati Potemkin”, por ato megjithatë theksojnë faktin se në Korenë e Veriut varfëria nuk është më e ndarë në mënyrë të barabartë.

“Tani ka vetëm një lojë që luhet në qytet: Kapitalizmi”, tha historiani rus, Lankov.

Please follow and like us: