Albspirit

Media/News/Publishing

Më pëlqen, por a më shkon?!

Holta HebaNga Dr. Holta Heba*

Kur është fjala për të qenë social dhe me kohën, jemi gjithnjë të hapur për të mësuar dhe përdorur çdo modë dhe kulturë të re. A ndjekim një model teksa komunikojmë identitetin tonë? Sigurisht. Është e ditur se të gjithë ndjekin një model gjatë formimit të identitetit. Kultura popullore na ka mësuar se është ajo që na përcakton identitetin. Ne rritemi, formohemi dhe zhvillohemi duke u bazuar në atë ç’kanë krijuar paraardhësit tanë. Që në vogëli, vajzat e vogla ndjekin modelin e nënave të tyre në mënyrën e të veshurit dhe pispillosjes. Djemtë ‘imitojnë’ baballarët e tyre në të ecur, qëndrim dhe veshje. Të gjithë e kemi një model në një fushë të caktuar dhe përpiqemi ta ndjekim si udhërrëfyes. Problemi nuk qëndron te fenomeni i ndjekjes së një modeli, sepse është e qartë që ne ecim në gjurmët e dikujt. Kështu është zhvilluar historia. Problemi qëndron në mënyrën sesi ecim në rrugën e këtij modeli që kemi përqafuar. Kur ajo bëhet në mënyrë të papërshtatshme, çdokush rrezikon të humbë identitetin ose më keq akoma të formojë një identitet jo të bukur. Jam shqiptar dhe jetoj sipas rregullave dhe kodeve kulturorë që më kanë mësuar. Ne i kushtojmë vëmendje çdo elementi që zhvillohet dhe përparon pasi individi duhet të përshtatet me të renë që hyn në botën e tij, por kur kjo e re imitohet dhe përdoret në mënyrë jo të përshtatshme për të qenë social me të tjerët, sigurisht që nuk mund të flasim për një “imitim” me ngjyresë pozitive për t’u pranuar me etiketimin “ bukur në shoqëri”. Identiteti i gjithsecilit nga ne është në zhvillim të vazhdueshëm, që me krijimin e “rrotës” e deri në ditët e sotme. Kur ndryshon kultura popullore, ndryshon edhe identiteti. Kujtojmë këtu mënyrën e të gatuarit të makaronave para viteve 90-të, në Shqipëri, ku uji i tyre derdhej dy herë përpara se të quheshin të ngrënshme. Nëse vazhdonin të ishin të forta edhe pasi kishin zierë me minuta të tëra, ishin të ngrënshme, por jo të shijshme. Epo, sot gjërat kanë ndryshuar! Nëse makaronat nuk janë “al dente” (gjysmë të ziera) nuk mund të jenë kurrsesi të shijshme. Fenomenin e “al dente”-s e kemi kopjuar por jo rrallëherë e keqpërdorim me qëllimin e vetëm për t’u dukur “trendy” në shoqëri.

Çdokush ka një idhull të opinionit publik dhe nisur nga dashuria apo tërheqja që ka për këtë figurë, duke mësuar përmendësh çdo mënyrë sjelljeje të tij, e imiton ndoshta dhe pa vetëdije. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, sepse të gjithë do të bazohemi diku për t’u ngritur vetë si identitet, por problemi vështirësohet kur imitimi apo kopjimi bëhet në një mënyrë të shëmtuar, si për shembull rasti kur këngëtarja amerikane Rihanna realizoi një prerje të flokëve ku gjysma e kokës ishte e rruar dhe gjysma me flokë të gjatë. Shumë vajza u hodhën për ta kopjuar këtë lloj prerjeje, pa menduar më parë nëse ju shkon me formën e kokës apo jo, ku me keqardhje e them se shumë prej tyre shprehnin një imitim të shëmtuar. Askush nuk është kundër të resë, sepse pa risi nuk ka përparim, por është krejt tjetër gjë kur ajo përdoret ashtu si duhet dhe kur të shkon përshtat dhe tjetër kur po e përdorim që të jemi në modë, edhe pse nuk na shkon apo dukemi keq. Nëse e reja nuk na vjen natyrshëm dhe nuk na shkon, atëherë kemi bërë një imitim të papërshtatshëm dhe nuk përcjellim apo komunikojmë diçka të bukur dhe të kohës. Duke dashur të dukemi dhe ne si ai apo ata, pa bërë një analizë të gjësë së re dhe gjësë që na identifikon, nuk mendojmë dy herë dhe bëhemi kopje e shëmtuar e dikujt. Shpik dikush një modë dhe ne vrapojmë ta ndjekim, sepse duhet të jemi të socializuar me të tjerët. Vjen një kulturë e re e panjohur për kulturën tonë dhe ne nxitojmë për ta përdorur se duhet të jemi në një hap me të tjerët. Sa mirë do të ishte sikur të ndalemi vetëm pak çaste dhe të mendojmë: Jam dakord, por a më shkon, a më përshtat mua? A jam unë kështu “vetvetja” e krijuar po nga unë për të tjerët, për t’u treguar social dhe me kohën?

*Universiteti Europian i Tiranës

Please follow and like us: