Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk e ka fajin Akademia e Shkencave

 

Prof. Rami Memushaj

 

Polemika e ndezur në faqet e gazetës “Dita” midis prof. Xhufit dhe prof. Gjongecajt e akad. Fugës duket se po u shmanget problemeve themelore lidhur me kërkimin shkencor dhe Akademinë e Shkencave. Këta dy të fundit, duke e zhvendosur polemikën në planin vetjak, i vërsulen Xhufit me një rrebesh epitetesh fyese, gjë që mund ta themi që në fillim se nuk i nderon. Prof. Gjongecaj e etiketon Xhufin “pseudoshkencëtar”, “idhtar-nostalgjik i së dikurshmes Akademi e Shkencave”, “hidalgo”, “një esadist i vetmuar në sistemin e kërkimit shkencor të këtij vendi”. Kurse akad. Fuga, debati i të cilit me prof. Xhufin për problemin e Akademisë është i hershëm, e quan njeri “që nuk di se ç’bën” (Fale, Zot, se nuk di se ç’bën!), historian nga ata që “pa asnjë fakt të provuar e interpretuar postulojnë falcitete për persona konkretë, njerëz në punë të vet, lëre pastaj për kombin e personalitetet e tij të së shkuarës” etj. Edhe prof. Xhufi, nga ana e vet, u kthehet me të njëjtën monedhë.

 

Mirëpo, duke e zhvendosur polemikën në rrafshin emocional e vetjak, harrohet themelorja, ajo për të cilën debatohet. Në të vërtetë, prof. Xhufi në intervistën e fundit (dhe jo vetëm në këtë), ngre disa shqetësime që nuk i ka vetëm ai: se reforma e Akademisë dhe e kërkimit shkencor shkatërroi vetë Akademinë, institutet e saj dhe kërkimin shkencor në Shqipëri; se profesorët janë jashtë institucioneve shkencore dhe nuk kanë asnjë kusht për të bërë shkencë e për të ndikuar në kërkimin shkencor të tyre; se universitetet janë kthyer në shkolla ku bëhet vetëm mësim dhe ku nuk ka kërkim shkencor etj. Për këtë ai akuzon politikën dhe një grup “komisarësh pëdëistë… që u hodhën në vijë të parë të betejës për shkatërrimin e Akademisë”.

Prof. Gjongecaj dhe akad. Fuga, nga ana e tyre, nuk sjellin argumente në debat, as ngrenë probleme lidhur me gjendjen e mjeruar të kërkimit shkencor në Shqipëri. Ata vetëm e shohin Akademinë e Shkencave si një “dhuratë të Lindjes”. Për të parin ajo “u ideua dhe u përdor nga E. Hoxha”, “ka pasur organizim lindor, sovjetik”, në të punuan “shkencëtarë po aq hijerëndë sa edhe udhëheqësit politikë në shërbim të partisë të të cilëve kishin vënë edhe shkencën e tyre” (Gjongecaj). Për akad. Fugën, “ideologjikisht ajo akademi… mbetet në histori një bunker sovjetik, një organizëm institucional censure kolektive”. Ai numëron edhe një varg “lemerirash epistemologjike”, në ndonjë prej të cilave do të ndalem pak më poshtë. Nuk mund të mos vërehet në përgjigjet e tyre edhe një urrejtje racore për popujt e Europës Lindore, duke përdorur cilësime keqësuese, si “sllav” e “ruso-sllave”, duke rënë, mjerisht, në zhargonin e disa të përditshmeve.

 

Që të dy shfajësohen se nuk kanë gisht në atë reformë, Akademia e sotme u duket më e mirë se e djeshmja. Sipas prof. Gjongecajt, këtë reformë “ky grup nuk e ka kryer kurrë” dhe e stigmatizon prof. Xhufin, që “nuk flet për reformën e shkruar, dokumentin e saj”, duke na kujtuar atë fjalën e urtë: “Unë them ujku,  ti kërkon gjurmët”. Akad. Fuga pranon se ka “marrë pjesë pas reformimit të akademisë, pra pas ndarjes së saj nga institutet e albanologjisë, në auditimin që Ministria e Arsimit e asaj kohe u ka bërë instituteve”. Në letrën drejtuar gazetarit të “Ditës”, ai numëron defektet e punës në institutet që vareshin nga Akademia. Për të edhe gjuhësia, edhe historia, edhe antropologjia nuk kishin bërë asgjë për t’u shënuar. Që të dy nuk përmendin zgjidhjet e mira që ata kanë propozuar, veç na thonë që Akademia ishte e keqe, që gjithë shkencëtarët e saj i shërbyen partisë, që institutet ishin kot dhe prandaj duheshin shkatërruar e përçudnuar.

Pra, sado që të përpiqen të lajnë duart, të dy janë aktorë që, në një mënyrë ose në një tjetër, pak apo shumë, kanë marrë pjesë në shkatërrimin e Akademisë “bunker” dhe të instituteve të saj. Vetë mbrojtja që i bëjnë kësaj vepre, është dëshmi se edhe ata janë bashkëpërgjegjës. Edhe sikur t’i publikojnë propozimet e tyre për reformimin e Akademisë dhe të Instituteve, siç premton akad. Fuga, ato nuk kanë më asnjë vlerë. Më e pranueshme do të ishte të thonin se u nisën nga qëllime të mira, po propozimet e tyre nuk i mori njeri parasysh dhe jo t’i vërsuleshin me urrejtje prof. Xhufit për të vërtetat që shqipton.

 

Autori i këtij shkrimi edhe më parë është shprehur në shtyp për “reformën që shkatërroi institutet”. Ai ka qenë tepër kritik edhe në vlerësimin e punës së Akademisë sonë të shkencave para ‘90-s, por edhe pas kësaj periudhe. Vërtet ajo nuk është shqiptuar për çështje madhore kombëtare as para e as pas ’90-s, megjithatë para 90-s qe një institucion që e justifikoi qenien e vet. Institutet e varura prej saj përballuan me sukses detyrat që shtronte zhvillimi shoqëror, kulturor dhe teknik i vendit. Në fushën e shkencave albanologjike, që i njoh mirë, produkt i punës studimore të punonjësve të instituteve që mbulonin këtë fushë, qenë botimet e shumta në fushën e gjuhës shqipe, të letërsisë, të historisë, të kulturës popullore e të arkeologjisë; kongreset e konferencat shkencore kombëtare e ndërkombëtare të organizuara prej tyre. Në fushën e shkencave teknike, arritje të tilla ishin projektet e mëdha të hidrocentraleve, zbulimi i pasurive minerare, rilevimet gjeologjike e gjeografike, botimi i hartave gjeologjike e gjeografike etj., etj.

Qëndrimet nihiliste ndaj arritjeve të kulturës kombëtare, pavarësisht nga epoka kur janë shënuar, janë edhe qëndrime antikombëtare. Me keqardhje vërejmë se akademiku ynë, ka rënë në pozita të tilla, gjë që nuk i bën nder as atij, as Akademisë anëtar i së cilës është.

 

Duke qenë nga profesioni gjuhëtar, po ndalem pak më gjatë tek arritjet e gjuhësisë shqiptare në këtë periudhë. Një nga “lemerirat epistemologjike” që përmend akad. Fuga është “gjuhësia mbështetur te vepra e Stalinit mbi çështjet e gjuhësisë e që genocidonte gjuhët specifike”. Nuk është hera e para që akademiku hyn në arat e tjetrit dhe flet qesim. Qe pikërisht ajo gjuhësi që i dha shqipes të parin fjalor shpjegues, të parën gramatikë akademike dhe të parin atlas dialektologjik, vepra madhore që nuk janë kapërcyer nga ndonjë vepër e këtyre 25 vjetëve. Për sa i përket standardizimit të gjuhës, të cilin emrat më të shquar të letrave shqipe e shohin si arritje madhore kombëtare, Fuga, duke u bashkuar me ca provincialë që qajnë për dialektet, thotë se gjuhësia i “genocidonte gjuhët specifike”, dmth. dialektet. Dhe për ta shpëtuar gjuhën nga ky “genocid”, ai kërkon demokratizimin e gjuhës “nëpërmjet zyrtarizimit të dialekteve dhe të nëndialekteve” dhe hartim në këto dialekte e nëndialekte “tekstesh administrative në nivel komune ose bashkie”(!).

Akademia pati pjesën e vet në këto suksese, së pari, sepse ajo bashkërendoi punën e instituteve dhe përcaktoi rendin e përparësive të projekteve studimore që duheshin financuar. Së dyti, akademikët luajtën një rol aktiv në ndërmarrjen dhe përmbushjen e këtyre projekteve, ata qenë anëtarë të ekipeve që punuan për këto projekte, madje shumë prej tyre qenë edhe drejtues të projekteve, duke qenë se ishin punonjës ose drejtues të instituteve. Pra, ata kishin një zë të fuqishëm në këto institucione, sepse qenë pjesë e tyre.

 

Të pohosh se Akademia jonë e Shkencave qe ndërtuar sipas modelit lindor, do të thotë të mos njohësh historinë e shkencës shqiptare, institucionet e së cilës po mbushin 100 vjet jetë. Ato zënë fill me Komisinë Letrare të Shkodrës, e cila ishte njëfarë Instituti, vijojnë me Institutin e Studimeve Shqiptare të kohës së Luftës II (1940–1944), që më 1947 u ringrit si Institut i Studimeve (1947–1957). Me çeljen e Universitetit të Tiranës, u vendos kalimi i disa sektorëve të këtij Instituti pranë universitetit, me qëllim “fuqizimin e punës arsimore dhe shkencore në të”. Mirëpo qysh atëherë pati zëra kundër kësaj shkrirjeje, duke renditur një varg argumentesh, ndër të cilat ishte ai se “do të mungonte një qendër drejtuese e koordinuese e gjithë punës shkencore” dhe se “detyra kryesore e Universitetit është të përgatisë specialistë dhe kësaj detyre i nënshtrohet gjithë procesi shkencor”. Siç duket, ka qenë pikërisht nevoja e bashkërendimit të planeve shkencore  me nevojat e dikastereve dhe ndjekja e vënies në praktikë të rekomandimeve e të rezultateve të punës shkencore, që s’mund të realizohen si duhet në kuadrin e një institucioni siç është Universiteti, ato që shpunë në idenë e krijimit të Akademisë së Shkencave. Pra, Akademia mund të shihet si një vijim i natyrshëm i Institutit të Shkencave. Se nga është marrë modeli, nga Lindja apo nga Perëndimi, kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka fakti që Akademia e para 90-s përbën një histori suksesi. Këtë histori të institucioneve tona shkencore duhet ta kishin studiuar mirë “reformatorët” që shkatërruan institutet dhe mbytën Akademinë e jo të lëshoheshin kundër tyre me parullat e së djathtës ekstreme.

 

Në qoftë se historia e Akademisë para ’90 përbën një histori suksesi, kjo e pas ‘90-s, sidomos pas reformës së 2007-s, është një histori dështimi. Po për këtë fajin nuk ia hedhim kurrsesi Akademisë, pavarësisht vërejtjeve që mund të kemi edhe ne për përbërjen e saj. Faji qëndron jo te akademikët, po te qeveritë, të djathta e të majta. Po të shohësh trupën akademike të para ‘90-s,  do të vëresh se prej tyre asnjë nuk ishte përjashtuar prej institucioneve shkencore e katedrave për shkak të moshës. Në vitin 1990 mosha mesatare e akademikëve ishte 70 vjeç dhe asnjë prej tyre nuk ishte nxjerrë në pension, madje edhe ata që i kishin kaluar të 70-at. Pra, akademikët ishin punonjës efektivë të instituteve e të katedrave. Kurse sot profesorët, akademikë ose jo, ditën që mbushin 68 vjeç, nxirren në pension dhe për ta nuk ka as tavolinë e jo më zyrë në institucionin ku kanë punuar 40 vjet. Akad. Fuga besojmë se e sheh këtë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë ku punon. Profesorët e historisë, të gjeografisë, të gjuhës e të letërsisë, që morën në dorë fakultetin pas largimit të brezit të mëparshëm, sot rrallë i sheh në dyert e Fakultetit, pikërisht se ata shihen si të tepërt. Dhe kjo ndodh në të gjitha fakultetet dhe universitet publike të vendit. Si rrjedhim, akademikët mbeten ushtarë të vetmuar, pa asnjë fuqi institucionale për të ndikuar a kontribuar në kërkimin shkencor. E njëjtë është gjendja edhe në institutet që i shpëtuan reformës. Ato janë rrudhur në numër në madhësinë e një departamenti, punonjësit e vjetër shkencorë të tyre, ashtu si profesorët e universiteteve, janë përzënë, duke mbetur në to punonjës të brezit të mesëm dhe të ri.

Në botë nuk ka një trajtim të tillë të profesorëve si këtu. Më ka rastisur të shoh në Universitetin e Berklit në Kaliforni gjuhëtarin amerikan Jakov Malkiel, i cili, edhe pse ishte 78 vjeç, vinte përditë  në departament, ku kishte zyrën e tij. Po a kanë zyra profesorët tanë, edhe ata që janë ende në marrëdhënie pune? A kanë asistentë që t’i përgatitin për të vijuar punën e tyre? As që bëhet fjalë. Në këta 25 vjet investimet në universitetet publike janë pothuajse zero, si për infrastrukturën, edhe për kërkimin shkencor. Kryeministri i qortoi akademikët se nuk kanë punuar sa duhet, pa kuptuar se akademikët kanë në dorë vetëm çelësat e kashtës.

 

Duke qenë të tilla rrethanat, jemi të mendimit se, edhe po të bashkohen institutet me Akademinë, përsëri nuk do të kemi ndonjë ndryshim të madh. Ne mendojmë se zgjidhja më e mirë është kthimi te tradita, bashkimi i instituteve në një Institut të Shkencave. Por, në të dy rastet, akademikët duhet të jenë në organikën e institucioneve, ashtu siç ka qenë praktikë para ‘90-s. Që kërkimi shkencor të gjallërohet, duhet që shteti të investojë për përgatitjen e kuadrit të ri. Para ’90-s dërgoheshin për studime në Perëndim studentë të dalluar, një pjesë e të cilëve janë kthyer, kurse shumica kanë zënë katedra në universitare jashtë. Por ka 25 vjet dhe asnjë nga studentët e ekselencës nuk është dërguar jashtë për të kryer studimet e masterit, madje, ç’është më e keqja, këta studentë nuk tërhiqen nga departamentet përkatëse, për shkak të politikave korruptive, nepotike e partiake që ndjekin dekanatet e rektoratet në punësimin e kuadrit . Në qoftë se këta të rinj që kanë përfunduar shkëlqyeshëm studimet, nuk zënë vend në departamente, nuk mund të presim rritje të cilësisë së punës shkencore në universitetet publike dhe në institutet shkencore.

Please follow and like us: