Albspirit

Media/News/Publishing

Fabian Barcata / Në zemër dhe besë të shqiptarëve

Fabian Barcata  / Në zemër dhe besë të shqiptarëve

Shumë pak njerëz e njohin dhe kanë lexuar rrëfimet e tij, ishte prift franceskan nga qyteti malor Trentino në Italinë veriore. Shërbeu për rreth 13 vjet si misionar në Shqipëri, zonën e Mirditës. Gjatë punës së famulltar, Barcata shkroi rreth përvojës në fshtatrat e malësisë së Mirditës, la përshtypjet për varfërinë e skajshme, besën, gjakmarrjen, bestytënitë, madje shkroi edhe një roman me titullin Lule (1924) në gjermanisht. Barcata la gjithashtu disa dorëshkrime me titull “Ditari im shqiptar”,  përmbledhur dhe botuar kohët e fundit nga studiuesi Ndue Dedaj.

Lindi në Fleimstal, Tirol, Austri, më 29 mars 1868. Futet në shërbimin fetar më 25 gusht 1885 e pas 6 vjetësh, më  3 maj 1891 shugurohet prift dhe caktohet të punojë në Brixen e Graz. Në vitet 1893 deri 1894 jep leksione  për klerikët shqiptarë në Maria Lankovitz.

Si misionar franceskan caktohet me punë në Shqipëri, në fshatin Kryezez, Rubik, të Mirditës në vitet 1895 deri 1897. Pas një periudhe dyvjeçare në vendlindje, ai kthehet përsëri në Shqipëri ku punon  si famulltar i Rubikut prej vitit 1899 deri 1907, duke qëndruar pak kohë edhe në Lezhë e Shkodër. Kthehet në Austri i sëmurë nga malarja dhe vijon si fetar. Përfshihet në Luftën e Parë Botërore duke shërbyer si klerik  fushor i ushtrisë perandorake të Austrisë. Nga viti 1918 deri 1919 ishte i burgosur. Për 30 vitet e mëpastajmë sherbeu si artist i pikturës e sculptures, për të cilat kishte kryer shkollë, por i kishte edhe pasion. Ndjeu thellë pasojat shpirtërore të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimin e Austrisë. U nda nga jeta në moshën 86 vjeçare më 25 nëntor 1954 në Schëaz të Austrisë.

Në  Mirditë Fabian Barcata, qysh para një shekulli, punoi edhe si  prift në shërbesat  fetare, por  punoi duke përjetuar shpirtërisht gjithçka, duke marrë pjesë në lindje e vdekje, edhe si mjek, edhe si mësues, edhe si organizator veprimtarish artistike e përkujtimore, edhe si agronom…Ai mësoi prej virtyteve të shqiptarit,  njohu nga afër psikologjinë e shqiptarit, evidentoi me shkrim  e pikturë  jetën e shqiptarit mirditor.

Romani i Fabian Barkatës “Lule” u botua për herë të parë në gjermanisht, në vitin 1924, ndërsa në shqip erdhi për herë të parë në vitin 1930. Ndërsa botimi, i dalë me rastin 100 vjetorit të shërbimit të tij në Shqipëri, mban titullin “Ditari im shqiptar”. Ai u shkrua në vitin 1905-1906 ne Kryezez (Rubik) dhe u botua dy vjet më vonë në revistën franceskane, “Franzisziglocklein” në Austri, në vitet 1926-1927. Ditari paraqet vlerë të posaçme pse u shkrua nga një i huaj, që jo vetëm e prek, por dhe e përjeton botën shqiptare, jo vetëm e prek, por dhe preket prej saj. Ai hyn thellë, deri në hollësitë dhe imtësitë e  jetës që përballonin vendasit, si një artist në shpirt dhe jo një kronikan i thjeshtë. Në shënimet e tij shfaqet si një njeri që din të përdorë mjeshterisht, si rrëfimin e përshkrimin, ashtu edhe portretin, peizazhin, duke mos lënë jashtë vemendjes botën e femijëve, semundjen, gjakmarrjen etj.

 

Ditari

Vepra e tij (fatkeqësisht e ndërprerë) “Ditari im shqiptar”, shkruar në vitet 1905 -1906, është një  thesar i madh historik e kulturor. Përmbajtja e  ditarit të F. Barcatës është  tepër  e fuqishme, si  në  përshkrimin e detajeve që flasin aq shumë ashtu edhe në  rrafshin  psikologjik. Një përkthim më  artistik,  më i goditur  dhe më i pasuruar me  fjalët më të gjetura, të cilat gjuhës shqipe nuk i mungojnë asnjëherë, madje  i  hijeshojnë begatinë e saj, do të sillte në dorë të lexuesit  të gjithë  forcën  e penës së Barcatës, atij  misionari  të pajisur me kulturë të gjerë, me dije teologjike, me nerv të spikatur humanisti dhe me një dashuri të  veçantë për shpirtin e jetën e shqiptarit me të cilin jetoi vetëm dhjetë vjet, por nuk e harroi kurrë. Libri i plotë i ditarit të Barcatës i strukturuar me një sërë vlerësimesh të njerëzve të mëdhej të letrave, të artit e të  fesë, me  një grup shënimesh studimore, bibliografi dhe  foto,  është përgatitur nga Ndue Dedaj, i cili  është i njohur nga lexuesi ynë si autor i shtatë librave të tjerë të mëparshëm dhe njëkohësisht edhe si kryetar i Lidhjes Kulturore Austri-Mirditë.

Vepra të tjera për Shqipërinë

Janë evidentuar katër vepra të shkruara edhe pse të shkurtra të tij për Shqipërinë, por me peshë të madhe dhe  me vlera  shumëplanëshe: 1. “Lule”, roman, botuar në gjermanisht në 1924, Mynih, përkthyer e botuar në tetë gjuhë, midis tyre, botuar në shqip  1930, Tiranë, përkthyes Karl Gurakuqi; botuar në kroatisht 1939, Zagreb.etj. 2. “Kumbona e thyeme”, vepër e panjohur në Shqipëri. 3.“Gjaku i falun”, vepër e panjohur në Shqipëri. 4. “Ditari im shqiptar”, botuar në gjermanisht me fashikuj në revistën ”Franzisziglocklein” në vitet 1926 – 1927, botohet në shqip në vitin 2005 nga shtëpia botuese “Mirdita”, përkthyese Angjela Luka. Veç këtyre ai ka realizuar vepra arti në skulpturë e pikturë, disa syresh edhe në Shqipërinë e asaj kohe.

Njolla gjaku në veladonin tim

(Pjesë nga ditari, 21 gusht 1905)

Kryengritesit nga Mirdita kundra tyrqeve,viti 1912 nga Kel Marubi.

Sa shpesh kam menduar me frikë dhe ankth, për herën e parë që do të më duhej t’i bëja ritin e fundit fetar, një të vrari. Dhe diçka tjetër është të kesh përpara syve një burrë të lodhur e të zbehur, të cilin e kërcënon ngadalë vdekja, derisa t’i dalë shpirti, dhe më e keqja, një trup gjithë gjakosur, jeta e të cilit përpëlitet në goditjet e dhunshme të plagëve. Çfarë do të ndodhë me mua, në se do më thërrasin për ndonjë të tillë, që është duke vdekur? Vështrimi mbi gjakun që rrjedh do më debolonte dhe do ta përmbushja detyrën time me shumë vështirësi. Kjo gjë më linte në ankth. Dhe pikërisht sot ndodhi një rast i tillë e gjithçka ishte ndryshe nga ç’e kisha menduar. Ndodhi në orën 13.00. Njerëzit të cilët kishin ardhur për meshën e së  dielës tashmë kishin ikur. Unë kisha pirë kafenë dhe isha kthyer në dhomën time për të shkruajtur. Atë moment  dëgjova një krismë, por nuk mendova më gjatë për të. Pothuajse  pas një ore u fut brenda  një shërbetor dhe më tha: ”Ndrekën e gjujtën!” Dola nga shtëpia dhe aty pashë të qendronte një djalë i ri që me zor ngopej me frymë.Ai kishte vrapuar aq shumë për të më treguar se që sipër nga ana tjetër e luginës, aty ku kufinjtë e Kryezezit bashkoheshin me ato të Bulgërit, kishin gjuajtur Ndrekën pas një zënke të shkurtër mes tij dhe njerit nga Bulgëri. Tashmë Ndreka po më kërkonte mua. Unë renda në dhomën time, mora shishen me vajin e bekuar, e futa në xhep, vura kapelen dhe i thashë djaloshit: ”Pas meje!” dhe pa u ndalur aspak vrapova mes  pyllit dhe shkurreve në luginën e pjerrët. Duke rrëshqitur e duke u rrëzuar nga shkapërcimet e rrezikshme më në fund arritëm poshtë. E lashë djaloshin të më udhëhiqte e u nisëm me një herë pa frymë. Na u deshën treçerek ore derisa mbërritëm në vendin e ngjarjes. Në fillim nuk arrita ta shoh të plagosurin, ngaqë rrethohej nga një  grup burrash. Pasi u afrova rrethi u hap dhe para syve të mi u shfaq një pamje shumë prekëse. Në tokë shtrihej Ndreka i mjerë. Pjesa e sipërme e trupit të tij ishte mbështetur tek një vajzë  pothuajse 15 vjeçare, e bija, e cila ishte gjunjëzuar pas tij dhe e mbante fort me të dyja duart e saj; bluza e saj e bardhë si dëbora ishte njollosur me gjak, të njollosura ishin edhe duartë e saj të vogla, gjak kishte në rrobat e të plagosurit, me gjak ishte spërkatur edhe myshku i tokës. Dhe pranë babait që po vdiste, qëndonte edhe një vajzë tjetër akoma më e vogël, duke ledhatuar lehtë me dorën e saj të zbehtë,.rrallë kam parë një  pamje kaq ekspresive të një përkushtimi kaq të dashur. Të dyja të pikëlluara nga dhëmbja qendronin të heshtura pranë të atit me një përkushtim absolut. E vogla ishte stërpikur me gjak, i cili  rridhte nga plaga e tmerrshme vdekjeprurëse e të atit, të cilin  plumbi e kishte shpuar poshtë zemrës. Pas meshës ai kishte shkuar sipër në livadhe, sepse vajza e vogël i kishte treguar që Ndreka nga  Bulgëri, i kishte  piketuar një tjetër kufi, si kufi të hershëm. Kishte ndodhur një debat fare i vogël dhe më pas ai nga Bulgëri, një djalosh pothuajse 15 vjeçar, kishte qëlluar Ndrekën dhe hedhur për tokë. Tashmë ndodhesha pranë të plagosurit. Zëvendësova mbështetësen, e cila ishte e bija e tij, në mënyrë që të mund ta largoja.Edhe njerëzit e tjerë u zmbrapsën. Unë u përkula mbi trupin, pothuajse të pajetë, derisa buzët e mia prekën lehtë veshin e tij dhe i fola: ”Ndrekë, a do ta falësh vrasësin tënd?- i bëra  lehtë me zë të dridhur pyetjen. “Oh, me gjithë zemër. Zot bekoje armën e tij. Ka qëlluar në shenjë!” dhe pastaj filloi të rrëfejë mëkatet. Më erdhi një guxim i madh në momentin kur ngrita dorën për të bërë kryqin dhe për t’i thënë fjalët e sakramentit: ”Ego te absolve”. Pas kësaj njerëzit u mblodhën edhe një herë. Vajzat zunë përsëri vendet e tyre, ndërsa unë i dhashë të plagosurit vajimin e fundit. Ndërkohë njerëzit kishin përgatitur një barrelë, mbi të lidhën Ndrekën e plagosur rëndë dhe morën rrugën për në shtëpi. Gjatë gjithë rrugës eca pranë barrelës duke ngushëlluar me fjalë të mjerin. Pas meje vinin dy bijat. Mrekullohesha nga qendrimi i këtyre krijesave kaq të reja. Ato nuk qanin, nuk vajtonin, edhe pse zemrat e vogla të tyre donin të çirreshin fort nga dhimbja e madhe. Më e vogla kishte qenë e pranishme në vendin e ngjarjes, ajo po ruante lopët. E kishte lënë babanë e saj mbi tokë, në një gjendje tepër të rëndë dhe kishte rendur në fshat për të treguar ngjarjen dhe për të kërkuar ndihmë. Madje edhe djaloshin që kish ardhur të më tregonte, e kishte dërguar ajo. Pastaj e kishte shoqëruar e motra tjetër më e madhe dhe  duke nxituar ishin kthyer në vendin e ngjarjes, që të mbërrinin aty para të gjithëve.

Ndreka vdiq  një gjysëm orë pasi mbërriti në shtëpi. Pasi u ktheva në famulli, vërejta një njollë të madhe gjaku në veladonin tim. S’e kisha vërejtur më përpara, nga që nuk ia kisha vënë mendjen. Kjo ditë, përveç të tjerave, më solli përvojën e rrallë dhe bindjen  e plotë që nëse brenda meje futet serioziteti i jetës, mbase dhe me dukuritë e tij më të tmerrshme, do të mund të kuptoja  dhe të përmbushja misionin tim.

 Përse të vlen urrejtja, Mark Pali?

 

MJERIMI

20 shtator 1905

Të korrat kanë qenë tepër të pakta. Fajtor i këtij fakti ka qenë thatësira e madhe. Me se do të jetojnë këtë vit njerëzit e mjerë? Me të drejtë ankohen kësaj here..Shumica janë të zhytur në borxhe, huazuesit e tyre janë tregtarët e Lezhës dhe këta nuk njohin aspak mëshirë….

MELANKOLIA

20 shtator 1905

Zemra është një gjë e veçantë. Çfarë ajo ka dhe çfarë ajo zotëron, asaj nuk i vlen aspak. Qëllimi i saj është të arrijë atë çfarë është larg dhe e padepërtueshme. A s’jam i lumtur unë, a s’kam unë një rreth veprimi, që të ma ketë zili çdo prift? A s’më duan njerëzit me atë dashurinë e tyre fëminore? Oh, nuk jam shumë mirënjohës, që s’i kam gjithmonë para syve të tilla gjëra. Edhe pse më pas më vjen turp, s’mund të largoj nga vetja orët, ku një dhimbje e madhe më trazon shpirtin, atje ku zemra ikën me atë mallin e dhimbshëm, orët, kur më zë malli për vendlindjen. Kjo nuk sjell asgjë. Kështu jemi ne nga Tiroli, madje dhe Zoti atje sipër, i cili na fut në zemër mallin për malet e vendlindjes, nuk do ma merrte për të keq. Kur mendimet e mia shkojnë atje tutje në vendlindje, kur para syve të mi shfaqen pamjet e vendlindjes, prindërit, vëllezërit e motrat, shokët, të afërmit, bashkatdhetarët, më duket të qenurit këtu, kaq i mërzitshëm dhe jeta e tanishme më ngjason me një shkretëtirë dhe mbi këtë shkretëtirë gjendet diku larg si një fata morgana plot dritë dhe e mrekullueshme, e kaluara. Në të tilla momente, nuk vlen aspak arsyetimi, s’mund të zotërosh veten, shpesh shkoj larg, atje lart në majën e Qafës së Fikut, atje ku shikimi im kapërcen mbi Molung e deri te liqeni dhe që prej aty, tutje në veri, atje ku shtrihet në largësinë e mjegullt, Tiroli, vendlindja ime. Dhe kur ngopem duke shikuar e kur ky tufan zë vend diku në zemër, kthehem ngadalë në banesën time dhe kryej me dashuri punët e mia. Për fat, këto orë të turbullta, s’janë dhe aq të shpeshta. Në Lezhë ishte dhe më keq. Atje e luftoja melankolinë me mjete të tjera. E lashë kalin t’i vinin shalën dhe përsëri u largova shpejt, duke kapërcyer hunj dhe gurë, gropa dhe kodra, gjithnjë shpejt e më shpejt. Sa më i egër udhëtimi, aq më shpejt e rigjeja veten. – Tu autem, Domine, miserere mei…

GJAKMARRJA

7 nëntor 1905

schulz_05Sot lejova Mark Palin të vinte tek unë. Ai është prej kohësh në gjak me familjen Kovaçi. Dikush nga familja Kovaçi kishte vrarë birin e tij. Kjo kishte ndodhur para shtatë viteve. Unë doja të ndërhyja dhe për këtë iu luta me fjalë bindëse, që të falte dhe të harronte. Për se të vlen urrejtja? Me këtë i sjell vetes pakënaqësi, ndërkohë që shkatërron dhe familjen e vrasësit. Kanë kaluar shtatë vjet që nga vdekja e fëmijës, dhe deri tani s’ke mundur të hakmerresh, ngaqë familja dhe fisi Kovaçi janë arratisur dhe sillen si të pastrehë nëpër këtë botë të madhe. Burri hodhi sytë nga zjarri (ne ishim në kuzhinë) dhe as që donte t’ia dinte për pajtimin. Kur u çua të ikte, bëra një copë rrugë me të. Duhej të kalonim nga varrezat. Papritmas u ndal aty, bëri me dorë nga një varr, pastaj nga një tjetër dhe më tha: këtu nëna e fëmijës tim ka shkulur flokët e kokës, këtu duhet të shkulë flokët e kokës edhe nëna e vrasësit.

Please follow and like us: