Albspirit

Media/News/Publishing

‘Azem Shkreli’, i Kadaresë

Foto: Driton Bublaku

‘Azem Shkreli’, i Kadaresë

Në këmbë është ngritur i gjithë publiku, kur Ismail Kadare është ngjitur në skenë. Për disa minuta me radhë, e kanë lënë pa thënë asnjë fjalë. Në sallën e stërmbushur të teatrin “Istref Begolli”, shkrimtari Kadare ka thënë se është nder për të, të pranojë çmimin që mban emrin e mikut të tij, Azem Shkrelit.

Ismail Kadaresë, çmimi “Azem Shkreli” i është ndarë në kuadër të Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, që për dy ditë është mbajtur në qytetin e Pejës. Kadare ka treguar se me Shkrelin kanë pasur gëzime, brenga dhe zhgënjime të përbashkëta.

“Jam vërtet i prekur që jam sot këtu, në këtë sallë, të marr çmimin që mban emrin e mikut tim të shtrenjtë Azem Shkreli”, ka thënë Kadare, i cili është njohur me Shkrelin për gati gjysmë shekulli. “Me të kemi pasur gëzime, brenga dhe zhgënjime të përbashkëta, për më shumë kemi pasur gëzime të përbashkëta”, ka treguar Ismail Kadare, të cilin qyteti i Pejës e ka nderuar edhe me titullin “Qytetar Nderi”. Të dy çmimet Ismail Kadare i ka pranuar nga Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, dhe nga Islam Musaj, kryetari i Asamblesë Komunale të këtij qyteti.

“Është vërtet një ndjenjë e pabesueshme që në këtë vend, në këtë kohë arrijmë të mendojmë që vjen një ditë që njerëz të Shqipërisë do të marrin një çmimin nga Kosova, ose Shqipëria t’u jepte çmim shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Kadare. Sipas tij, të japësh nder, do të thotë të kesh nder. “Dhe këtu qëndron edhe mrekullia, që Kosova ka nder sot, ka nder për veten e saj dhe ka nder t’i jap këtë titull të tjerëve”, është shprehur shkrimtari shqiptar, të cilin publiku e ka nderuar me duartrokitje të gjata. “Ju falënderoj dhe një herë për praninë tuaj, vullnetin tuaj, për dëshirën tuaj për të nderuar kulturën shqiptare, në të cilën bën pjesë edhe letërsia”, ka thënë Ismail Kadare.

Shkrimtari Adem Gashi, kryetar i Këshillit Organizativ të Takimeve Letrare “Azem Shkreli”, me anëtarë: Smajl Smaka, Luljeta Arllati, Shaqir Foniqi, ka thënë se njëzëri janë pajtuar që çmimi letrar “Azem Shkreli” t’i jepet shkrimtarit Ismail Kadare. “Çfarë kishim parasysh? Shpjegimin e nisim nga fundi. Francezët patën kurajën t’i thonë Alain Bosquet të njohim sepse të kemi sharë. Isamil Kadare e ka njohur Bosquet-n”, është shprehur Gashi. Ai ka thënë se ata kanë bashkëbiseduar dhe Alain Bosquet e ka vlerësuar lart Ismail Kadarenë. “Ne shqiptarët e njohim Ismail Kadarenë, por akoma nuk e kemi kurajën t’i themi të njohim sepse të kemi vrarë. Ç’është e vërteta kemi vrarë iluzionin tonë. Pjesën e paktë të vrashme të Kadaresë, pa prekur pjesën e shumtë të pavrashme të shkrimtarit Ismail Kadare”, ka thënë Adem Gashi, duke shtuar se letërsia shqipe me Kadarenë ka kapur majat e universit të përbotshëm letrar. “Ne nuk kemi pse të bëjmë pozë modestie, por krenari të ligjshme, ne shqiptarët”, është shprehur Gashi, sipas të cilit duke i dhënë çmimin modest, që mban emrin e mikut të tij “Azem Shkreli”, nderojnë kujtimin e tij, derisa deponojnë emrin e lavdishëm të Ismail Kadaresë në historikun e këtij manifestimi. “Për një çast ndalemi dhe kujtohemi, derisa nuk e shembën goditjet e tetë dekadave këtë njeri e shkrimtar, Ismail Kadarenë, nuk është e vështirë ta kuptojmë madhështinë e tij”, ka thënë Adem Gashi.

Greg Delawie, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka thënë se Ambasada Amerikane ofron disa programe arsimore dhe kulturore, duke filluar nga programe të ndryshme për studentë, për mbrojtje të kulturës. “Jemi krenar që po kontribuojmë edhe në këtë festival duke përkrahur pjesëmarrjen e poetes Elizabeth Acevedo, eksperten e shkrimit kreativ dhe eksperten e poezisë skenike”, është shprehur Delawie. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara i kushtojnë vëmendje të veçantë rolit të letërsisë në arsimin e brezave të ardhshme dhe për të zgjeruar diapazonin e dijes së të rinjve ne kemi zhvilluar sistemet publike dhe private të shpërndarjes së librit. “Kjo qasje e cila e mbron të drejtën e pronësisë intelektuale dhe i përkrah shkrimtarët që të mundë të krijojnë, në të njëjtën kohë mund t’i mbronin familjet e tyre”, ka treguar Greg Delawie. Ai ka thënë se ky Festival i Letërsisë u ndihmon shkrimtarëve, poetëve, kritikëve letrarë, studentëve, që të shkëmbejnë mes vete idetë dhe shkrimet e tyre. “Ambasada Amerikane në Prishtinë ka kënaqësinë t’i mbështesë dhe të marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si kjo”, është shprehur ambasadori për Takimet Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”, që filluar me interpretimin koral të Korit të Fakultetit të Arteve “Haxhi Zeka”. Gjatë programit kori ka interpretuar dhe këngën “Shkonin kushk” me dirigjent Hysen Nimanin. Sopranoja Egzona Gërvalla ka kënduar një këngë e shoqëruar me piano nga Syzanë Jakupi e cila njëherësh këtë pjesë të programit të Takimeve Letrare “Azem Shkreli”, derisa dhjetë poetë mysafirë kanë lexuar nga një poezi të tyre.

Please follow and like us: