Albspirit

Media/News/Publishing

Konfirmohet vrasja e liderit taleban

Konfirmohet vrasja e liderit taleban

Agjencia e zbulimit e Afganistanit ka konfirmuar se udhëheqësi taliban, Mullah Akhtar Mansour, është vrarë nga një sulm i telekomanduar i Shteteve të Bashkuara.

Drejtoria për Siguri Kombëtare e Afganistanit ka thënë se Mansur është vrarë në zonën Dalbandi të provincës Baluçistan në Pakistan.

Është ky konfirmimi i parë zyrtar për vrasjen e liderit taliban.

Pentagoni ka thënë se ka kryer një sulm ajror kundër Mansurit dhe një zyrtar amerikan ka deklaruar se ai, me gjasë, është vrarë.

Sekretari për media i Pentagonit, Peter Cook, ka thënë se sulmi ka ndodhur në një rajon të largët, përgjatë kufirit Afganistan-Pakistan, në orët e para të 21 majit.

 

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke analizuar rezultatet e sulmit.

Por, një zyrtar amerikan, jo i autorizuar për të diskutuar operacionin publikisht, ka thënë se Mansur dhe një luftëtar tjetër mashkull me gjasë janë vrarë.

Zyrtari ka thënë se sulmi është kryer nga një dron, me të cilin ka operuar Forca e Operacioneve Speciale e SHBA-së. Sipas këtij zyrtari, operacioni është zhvilluar në jugperëndim të qytetit Ahmad Val dhe është autorizuar nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Agjencia Associated Press ka cituar komandantin e talibanëve, Mullah Abdul Rauf, të ketë thënë se Mansur është vrarë nga një sulm i telekomanduar “në zonën kufitare Afganistan-Paksitan”.

Militantët e tjerë talibanë kanë thënë se këto raporte janë të pabaza.

Shefi Ekzekutiv i Afganistanit, Abdullah Abdullah, ka thënë se vdekja e Mansurit do të kishte ndikim pozitiv në bisedimet e ngecura të paqes midis talibanëve dhe Qeverisë afgane.

Ai ka thënë se Mansur “ka qenë figura kryesore që ka parandaluar talibanët t’i bashkohen procesit të paqes në Afgansitan”, ku talibanët janë duke udhëhequr kryengritje që 15 vjet.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se Mansur ka paraqitur “rrezik të vazhdueshëm dhe të pashmangshëm për personelin amerikan”.

Zëdhënësi i Pentagonit, Cook, ka thënë se Mansur ka qenë “i përfshirë në mënyrë aktive në planifikimin e sulmeve” në gjithë Afganistanin.

Anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur sulmin.

Përfaqësuesi Adam Schiff, demokrat në Komitetin e Inteligjencës, ka thënë se vdekja e Mansurit do të ishte goditje e rëndë mbi talibanët, por jo e mjaftueshme për t’i mundësuar SHBA-së që të shkëputet nga konflikti.

“Duhet të mbetemi vigjilentë dhe me burime të mira në terren, si dhe duhet të vazhdojmë të ndihmojmë në krijimin e kushteve për një zgjidhje paqësore”, ka thënë Schiff.

Kryesuesi i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, John McCain, ka thënë se është i kënaqur që Mansur “ka parë fundin e tij”. Ai ka bërë thirrje për më shumë sulme kundër talibanëve.

“Trupat tona janë në Afganistan sot për qëllimin e njëjtë sikur edhe në vitin 2001, kur janë vendosur atje – të parandalojnë Afganistanin të bëhet strehë e sigurt për terroristët globalë”, ka thënë McCain.

Mansur është shpallur lider i talibanëve në korrik të vitit 2015, vetëm disa ditë pasi Qeveria e Afganistanit ka konfirmuar se udhëheqësi shpirtëror i talibanëve, Mullah Mohammad Omar, ka vdekur në qytetin Karaçi të Pakistanit dy vjet më herët.

Talibanët kanë qeverisur Afgansitanin me një interpretim të ashpër të ligjit islamik derisa grupi është rrëzuar nga një pushtim i udhëhequr nga SHBA-ja, pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001.

Please follow and like us: