Albspirit

Media/News/Publishing

Sa të kem frymë

Nga: Valbona Sulçe

E dini kush është moment më i vështirë për një gazetar/e? Të detyrohet të ripublikojë shënime për ngjarje që  kanë ndodhur dikur. Të paktën kështu më ndodh mua sepse të duket se asgjë nuk lëviz, se edhe pas denoncimit të së keqes, asgjë nuk ndryshon, shkurt puna jote barazohet me zero.
Më ndodh me rrugët që po na vrasin, më ndodh me ndotjen e mjedisit, me arsimin, me fëmijët, sa herë dëgjoj ngjarje si ajo e Shkodrës. Filloj e numëroj herët kur kam shkruar për këtë gjë, veçmas për kujdesin ndaj fëmijëve, për pavëmendjen kronike ndaj tyre. Numëroj historinë e Marias që u mbyt në lumë, e fëmijëve të keqtrajtuar më herët në Shkodër, në Durrës, tani prapë në Shkodër. Dhe mund të vijë një moment, ashtu siç shumë ma sugjerojnë, që ta gjesh krejt të kotë të shkruash kur askush nuk dëgjon. Duart paralizohen dhe ndihesh krejt e pafuqishme përballë të keqes që nuk ndalet.
Mirëpo, mund të ndodhë dhe e kundërta. Që ngjarje të tilla të tregojnë nevojën ulëritëse që të vazhdojmë të shkruajmë për këto tema. Çdo ditë, edhe me koston e të qenit të mërzitshëm apo jo shumë në modë. Sa të kem frymë, unë do të shkruaj e bërtas për neglizhencën ndaj fëmijëve, për arsimin jocilësor, për rrugët që po na vrasin, për papërgjegjshmërinë shtetërore e njerëzore, për nervin e këputur dhe hipokrizinë sociale.

E di, askush nuk ma kërkon këtë. Shkruaj në këtë hapësirë sepse besoj se kjo është gazetaria: t’u japësh zë të pafuqishmëve, ti ndihmosh njerëzit të kuptojnë botën, të shpjegojnë pse ndodh diçka këtu dhe jo atje, pse përsëriten gjërat. Deri në pafundësi, derisa njerëzit të ndërgjegjësohen e të ndërmarrin veprime. Sepse mjet tjetër veç fjalës e syrit nuk kam.
E dini? Në San Francisko mediat janë bërë bashkë, 30 syresh, radio, Tv, gazeta, që të shkruajnë për të pastrehët, derisa çështja të zgjidhet. Sepse pushteti i katërt nëse nuk është i bashkuar, është thjesht një copë letër. Kur i njëri i bie gozhdës tjetri patkoit, fuqia jonë bjerret. Kur gazetat duhet të gëlonin nga lajmet për fëmijët, që të zbërthejnë deri në një sistemin dhe të çarat e tij, përgjegjësitë, detyrohemi të shohim telenovela me përgjime, parlament, reforma, shuka e guga.
Një kërkesë e kam për kolegët gazetarë: shkruani për fëmijët. Shkruani për sistemin e mbrojtjes së fëmijëve që, kështu siç është,  nuk funksionon. Shkruani për kapacitetet mjerane të bashkive për të administruar institucione të tilla, si dhe neglizhencën e tyre. Shpjegoni pse është defektoz sistemi I kontrollit ndaj institucioneve të përkujdesjes shoqërore, pasi që nga 2005-a kjo detyrë i është ngarkuar Inspektoriatit të Shërbimeve Sociale që kontrollon dhe ndërmarrjet, edhe OJF-të (!).

Shkruani për heshtjen skandaloze të shoqërisë ndaj keqtrajtimit të fëmijëve në rrugë, shtëpi e shkollë.  Tregoni  pse nuk merren parasysh rekomandimet e kontrolluesve. Tregoni çfarë thonë specialistët për fëmijët që rriten në institucione, por edhe për efektet shkatërruese që ka dhuna e çfarëdolloji mbi fëmijët, në institucione apo në shtëpi.
Shkruani për fëmijët, por edhe mbrojini. Mos tregoni identitetet e tyre, por tregoni fajtorët. Shkruani për të zakonshmit, të pafuqishmit.
Unë për vete e kam ndarë mendjen: sa të kem frymë.

Please follow and like us: