Albspirit

Media/News/Publishing

Trashëgimia e miqësisë i shtrin rezultatet në arte

Nga 9 deri më 13 maj u mbajt në Pekin Forumi i Bashkëpunimit i Arteve midis Kinës dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore. Një delegacion shqiptar prej nëntë vetash, artistë dhe drejtues të institucioneve artistike, morën pjesë në këtë forum dhe zhvilluan bisedime me përfaqësuesit e Kinës dhe të vendeve të tjera pjesëmarrëse.

Gjatë forumit, mjeshtrja shqiptare e baletit Alisa Gjoni, tha se pavarësisht largësisë, gjeti në Kinë një mjedis të ngrohtë dhe të familjarizuar me artin shqiptar. Duke folur për CRI Shqip, ajo tregon një hollësi se si kolegët kinezë e njihnin balerin Ilir Kerni, i cili sot drejton Teatrin e Operës dhe të Baletit.

“Drejtori aktual në atë kohë ka qenë më i vogël dhe ka qëndruar tre muaj këtu (në Pekin), pasi ka luajtur në shfaqjen “Cuca e Maleve” nga Agron Aliaj. Kur erdhëm në Kinë, moderatori pyeti nëse kishim eksperienca të mëparshme në Kinë, ai e dinte dhe ne folëm diçka për këtë dhe normalisht ndjehesh shumë mirë”.

Në fakt, shkëmbimet artistike midis Kinës dhe Shqipërisë ishin të shpeshta në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar. Shumë kinezë ruajnë ende kujtime të bukura për filmat shqiptarë. Kompozitori Endri Sina mendon se kjo trashëgimi e miqësisë jep mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën artistike.

“Në atë kohë, lidhja ka qenë e ndërsjellët si muzika kineze që njihej në Shqipëri, ashtu dhe muzika dhe filmat shqiptarë njiheshin shumë mirë në Kinë. Tani, nuk është më e njëjta lidhje, ndërkohë dhe njohjet e kulturës kineze apo shqiptare nuk janë në atë nivel të duhur si më parë. Ndoshta, kjo lidhje e re që po krijohet mund të sjellë një njohje më të mirë të kulturave.”

Specialistja e Marketingut e Teatrit të Operës dhe Baletit e Ansamblit Kombëtar të Shqipërisë, Nensi Gjetani, vlerëson shkëmbimet midis specialistëve të vendeve të ndryshme si dhe prezantimin e punës së çdo vendi.

“Përfitimi më i madh është shkëmbimi i ideve e kjo është pika fillestare nga e cila nis gjithçka. Sot ne komunikojmë nëpërmjet e_mailit dhe telefonave dhe përmes këtij forumi tregojmë ballë për ballë potencialin e vendit tonë dhe mendoj qe kjo është mënyra më e mirë për të prezantuar artin e vendit tënd”.

Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë Gerti Druga mendon se ky forum ofron një platformë të gjerë për pjesëmarrësit për të bashkëpunuar në industrinë artistike.

“Ky ishte një forum shumë interesant për shkak të mbledhjes së të gjithë Europës Lindore dhe Qendrore (brenda nismës) 16+1. Shpeshojmë që të nxirren eksperienca nga të gjithë vendet. Shpresojmë që të ketë një ndikim shumë të mirë në të ardhmen për bashkëpunime të mëtejshme qoftë në Kinë, por edhe në vendet pjesëmarrëse në këtë forum”

Shqipëria dhe Kina pritet të nënshkruajnë në fund të muajit maj, ‘Memorandumin e Bashkëpunimit në Kulturë’ ku do të hedhin hollësitë e çdo projekti ku përfitues do të jenë artistët. Hervin Çuli, drejtori i Teatrit Kombëtar, tha për CRI Shqip se forumi i shërben shtimit të kontakteve :

“Forumi është një gjë e jashtëzakonshme sepse jemi në prag edhe të nënshkrimit të protokollit për bashkëpunimin kulturor midis Shqipërisë dhe Kinës. Ky është një vend shumë i pasur dhe me një traditë e kulturë të jashtëzakonshme dhe ne mund të na bëjë vetëm se mirë.”

Ndërsa Herida Duro, drejtore e Arteve në Ministrinë e Kulturës shpjegoi bashkëpunimin që do të zhvillohet pas nënshkrimit të memorandumit

“Për fat të mirë jemi në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe midis dy ministrive respektive të Kulturës. Mendoj se aty do të detajojmë një program shumë specifik me angazhime të dy palëve ku pjesëmarrësit dhe përfituesit e drejtpërdrejt do të jenë artistët, institucionet e artit, ekspertët e fushave dhe mendoj se kjo do të vlejë në shumë drejtime.”

Forumi i Bashkëpunimit Artistik Kinë – Europa Qendrore e Lindore është veprimtaria më e madhe në fushën e artit. Ky forum u organizua bashkërisht nga Ministria e Kulturës e Kinës dhe Bashkia e Pekinit dhe është një nga ngjarjet më të rëndësishme të shkëmbimeve kulturore. Në këtë forum 5-ditor morën pjesë artistë, drejtues të institucioneve artistike dhe diplomatë nga 16 vendeve të Europës Qendrore e Lindore, përfshirë Shqipërinë. (Çang Çuo)

Please follow and like us: