Albspirit

Media/News/Publishing

Kush është Alexander Van der Bellen

Gati askush s’e kishte pritur, por më 24 prill ndodhi: Alexander Van der Bellen, kandidat për president të Austrisë, i konsideruar favorit, mori vetëm 21,3 për qind të votave. Fitues doli Norbert Hofer, një politikan i djathtë popullist. Kandidatët e partive të mëdha pësuan njw humbje tw thellw. Meqë asnjë kandidat nuk mori mbi 50 për qind të votave, të dielën u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve mes Van der Bellen dhe Hofer. Fituesi u bë i ditur të hënën në mbrëmje, pas numërimit të të gjitha votave. Për Van der Bellen kanë votuar 50,3 për qind të zgjedhësve. Në historinë bashkëkohore të Austrisë nuk ka pasur kurrw një rezultat kaq të ngushtë.

Kush është Alexander Van der Bellen? I njohur për zërin e qetë, qasje objektive në debate dhe pragmatizëm, 72-vjeçari Van der Bellen është profesor i ekonomisë dhe për disa vite ka qenë shef i Partisë së Gjelbër të Austrisë, pra koleg partiak i Ulrike Lunacek, aktualisht nënkryetare e Parlamentit Europian dhe raportuese për Kosovën.

Van der Bellen u lind më 18 janar 1944 në një familje etnikisht të përzier. Nëna e tij ishte estoneze, babai aristokrat rus me origjinë holandeze. Pas Revolucionit të Tetorit në Rusi në vitin 1917 familja e Van der Bellen qe e detyruar të arratiset disa herë përballë rrezikut që i kanosej nga sovjetikët. Pas një odiseje ajo gjeti strehim në një fshat në Tirol të Austrisë.

Van der Bellen u angazhua kundër një hidrocentrali mbi Danub dhe kështu rrëshqiti në politikë. Më 1994 u zgjodh deputet në parlamentin austriak, ku për 11 vjet ishte nënkryetar. Bashkë me Ulrike Lunacek ai ka protestuar në vitin 2010 kundër izolimit të Kosovës. «Kosova nuk guxon të mbetet vendi më i izoluar në Ballkanin Perëndimor», kishte shkruar Van der Bellen në një deklaratë të përbashkët me Lunacek. Ai po ashtu kishte nënvizuar se do të ishte fatale nëse BE i integron vendet e Ballkanit me dy shpejtësi të ndryshme. «BE duhet ta ketë parasysh Ballkanin si tërësi», mendonte Van der Bellen. «Kosova është vendi më i izoluar i rajonit. Kjo është një katastrofë sidomos për popullsinë kosovare, dy të tretat e së cilës janë nën moshën 25-vjeçare».

Në vitin 2007 Van der Bellen është angazhuar edhe në rastin e Arigona Zogajt. Familja Zogaj ishte marrë nga policia për çështje të të huajave dhe ishte dëbuar në Kosovë. Arigona kishte humbur pa gjurmë në përpjekje për të kundërshtuar largimin nga Austria. Van der Bellen i kishte bërë apel kancelarit të atëhershëm Alfred Gusenbauer që në rastin e Arigonës të tregojë «arsye dhe humanizëm», duke ia mundësuar asaj qëndrimin humanitar në Austri. Pas një drame disavjeçare, me ç’rast në Austri u zhvilluan debate të ashpra për dhe kundër dëbimit të Arigonës në Kosovë, në vitin 2012 ajo mori lejen e qëndrimit në Austri. Ndërkohë ajo dëshiron të kryejë maturën dhe të studiojë drejtësi në Linz të Austrisë. Një pjesë e familjes, përshirë edhe nënën e saj, jetojnë sërish në Austri.

Enver Robelli/Dialog Plus

Please follow and like us: