Albspirit

Media/News/Publishing

Sislej Xhafa: Pushteti të qëndrojë larg artit

Sislej Xhafa, me një ekspozitë retrospektivë në 20 vjet krijimtari në Muzeun e Arteve Bashkëkohore “Maxxi” në Romë, nga data 2 qershor deri më 2 tetor 2016 

ALDA BARDHYLI

Tingujt e orkestrës simfonike “d’Archi”, do të interpretojnë performancën “Again and again” të artistit shqiptar Sislej Xhafa, në hollin kryesor të Muzeut të Artit Bashkëkohor Maxxi në Romë të enjten më 2 qershor, duke i ftuar të pranishmit në një udhëtim në 20 vjet krijimtari të një prej emrave më të njohur të artit bashkëkohor. “Benvenuto” (Mirë se vjen) quhet ekspozita e cila i referohet titullit të një instalacioni të njohur të Xhafës, i cili në vitin 2000 do ta shkruante fjalën “Mirë se vini” në kodrat e qytetit italian Siena. Nën kurimin e Hou Hanru dhe Luigia Lonardelli, veprat e përzgjedhura në këtë hapësirë mbartin ironinë dhe kompleksitetin dhe kontradiktat e një artisti gjithnjë në hulumtim të realitetit. “Realiteti është më i fortë se arti. Si artist nuk dua të tregoj realitetin, por ta hulumtoj atë”, thotë Xhafa. Ekspozita përbëhet nga 30 vepra që përfshijnë karrierën e Xhafës nga viti 1990 e deri më sot, duke futur dhe disa vepra të reja që artisti i ka realizuar posaçërisht për këtë prezantim.

Kuratorët janë treguar të kujdesshëm që përmes veprave të zgjedhura të tregojnë identitetin artistik të një artisti që shpesh ka përdorur një gjuhë të ashpër dhe ndaj politikës me veprat e tij. I lindur në Pejë në vitin 1970, Sislej ishte vetëm 20 vjeç kur u largua nga vendi i tij, fillimisht drejt Londrës më pas në Itali, ku studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. 15 vitet e fundit, ai jeton në Nju Jork, një vend që thotë se e zgjodhi pikërisht për “kontradiktën dhe kundërshtitë” që mbart. Veprat e tij janë ekspozuar në galeri e muze të njohura të artit si Kanazawa, Toronto, Stamboll, Frankfurt, Romë, Tokio, Londër, Amsterdam, Barcelonë, Paris apo Nju Jork. Xhafa ka qenë pjesëmarrës në Bienalen e Venecias në vitet 1997, 1999, 2005, 2013, Bienalen e Stambollit (2001), Bienalen e Gwanju (2002) dhe Bienalen e Havanës (2009). Ai është fitues i çmimit Querini Stampalia – Furla në vitin 2000. Pas një rrugëtimi të gjatë artistik, ai rikthehet në Itali për një refleksion të brendshëm artistik të 20 viteve karrierë, në vendin që grishi më shumë qasjen e tij drejt artit. “Puna e Sislej Xhafës ofron mundësi për të reflektuar në çështjet që po bëhen dramatike çdo herë e më shumë, siç është bashkekzistenca paqësore e kulturave dhe e religjioneve, mbijetesa e modelit mbijetues perëndimor dhe ridefinimi i konceptit të emigrantit në shoqërinë globale”, shkruhet në faqen zyrtare të “Maxxi – National Museum of XXI Century Arts”, i cili është instituti i parë kombëtar italian që i dedikohet kreativitetit bashkëkohor. Ndërtesa e “Maxxi” është punë madhështore arkitektonike e dizajnuar nga Zaha Hadid, e cila gjendet në Romë dhe e krijuar në formë inovative dhe spektakolare. Në këtë ndërtesë ndër vite kanë ekspozuar artistë të ndryshëm botërorë. Në mesin e tyre është edhe Xhafa, i cili këtë herë rikthehet me ekspozitën retrospektivë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 2 tetor të këtij viti. Vitin e kaluar në “Maxxi”, Xhafa u prezantua me ekspozitën “Barka”, përmes së cilës goditi hipokrizinë ndaj emigrantëve.

 Në vitin 2000 ju shkruat fjalën “Benvenuto” në kodrat e qytetit italian Siena… Çfarë kërkonit të provokonit përmes një shprehje mirëseardhjeje?

Me veprat e mia unë nuk provokoj. Provokim është indiferenca, heshtja, dhuna, padrejtësia sociale, papunësia, paaftësia politike dhe mungesa e vizionit, mediokriteti, korrupsioni, emigrimi, e shumë paaftësi në fushat e tjera e të rëndësishme. Këto janë provokime reale dhe janë fakte. Arti im është i ëmbël dhe unë jam i pafajshëm.

Në fakt, a e ndiet këtë shprehje kur trokitët më shumë se 20 vjet më parë fillimisht për studime, e më pas si një krijues në rritje përballë artit italian dhe asaj çfarë jetuat aty?

Kjo është si me qenë në klasën e parë fillore. Nuk ekziston fundi ose fillimi, por është sensibiliteti dhe angazhimi si individ në rrjedhat e “stuhive” politike dhe ekonomike në botë.

Futja në kulturën e tjetrit dhe të mësuarit me të jetuarin në realitete të tjera ndodhi pikërisht këtu (Itali)?

Nuk ekziston një drejtim i të mësuarit ose të ndërrimit të përvojave ajo është gjithmonë dy drejtime.

Nga arti i Pasolinit, te Willy Verginer, çfarë gjen në veprat tuaja?

Dashuria është Utopi. Dashuria nuk përmban as kohë e as hapësirë.

Pasolini mendonte se revolucioni ishte një sentiment….?

Emocioni si akt është një sentiment por “revolucioni” si terminologji është vetëm një fjalë. Revolucion mundet të jetë edhe një vajzë duke pirë një gotë lëng portokalli ose një djalë i ri duke fjetur ose një mashkull i bukur, duke ecur me një qen të vogël. Kujtesa dhe transformimi i saj në një akt magjik është përvoja që reflekton dhe shpik kohën e vet.

Ekspozita është një lloj refleksioni në 20 vitet e karrierës suaj si artist, teksa kthehesh pas dy dekada më parë, si e shihni këtë rrugëtim?

Në mes të baltës dhe baltës.

Çfarë ka ndryshuar në interesat tuaja ndaj artit këto vite… ka ndryshuar qasja apo mënyra sesi e keni përdorur atë?

Nuk jam i vetëdijshëm për atë çfarë bëj.

Diku i referoheni artistit japonez Kinji Akagawa për ndikimin që ka pasur te ju, por artistë të tjerë …cilët kanë ndikuar te ju?

Nëna ime.

 Shumë ekspozita të artit bashkëkohor tregojnë gjithnjë e më tepër qasjen që ka ky art ndaj problemeve globale të shoqërisë dhe ikjen çdo ditë e më shumë ngasentimenti... A duhet të jetë arti antitezë e sentimentit…?

Kultura është statike dhe ajo krijon sentimente dhe romanticizëm. Arti bashkëkohor nuk ka lidhje me “kulturën” romantike. Arti bashkëkohor dhe akti i saj është irracional dhe vetëm ajo krijon tendenca të reja.

A e dëgjoni muzikën e veprave tuaja?

Dëgjoj ecjen e breshkës si muzikë.

Janë disa vepra tuajat ku ju ironizoni politikën, qoftë dhe personazhe realë të saj, siç është rasti i ish-kryeministrit Silvio Berlusconi. Sa i fuqishëm mund të jetë mediumi artistik ndaj politikës?

Unë jam i pafajshëm.

Cila është vuajtja më e madhe në veprat tuaja?

Kur vajza e vogël kërkon qumësht në orën 6:00 të mëngjesit. Aty përfundon filozofia ime.

Si orientohet arti juaj mes realiteteve lëvizës që jetoni, udhëtimeve nga një kontinent në tjetrin?

Art si rezistencë.

Debatet politike dhe ajo çfarë ndodh sot në një Kosovë të trazuar, çfarë zgjojnë te ju?

Dëshiroj që Kosova të mos shndërrohet në një qun i lazdrum.

A është arti një zgjedhje që mund ta ndihmojë politikën? 

Jo. Politikanët mund vetëm të stimulohen prej vizionit të artistëve të lirë dhe të pavarur.

P.sh., si do ta komentonit faktin që një vepër e Philipe Parrenos u vendos në hapësirën e Kryeministrisë në Tiranë? 

Është dështim total dhe pasojë e frustrimit individual dhe mediokritetit. Është abuzim i fuqisë politike. Paramendoni në Palazzo Chigi në Romë kryeministrin të bëjë filma dhe të promovojë filmat e tij!!! Ose kryeministri francez të jetë shkrimtar!!! Artistët e atij vendi do të ishin rebeluar deri në atë masë që kryeministrin e kishin detyruar të ndërrojë profesionin ose të japë dorëheqje!!! Kjo formë e aktit nuk ka lidhje asgjë me demokracinë, por është diktaturë me një formë të re perverse. Artistët e Shqipërisë meritojnë respekt nga autoritetet dhe përkrahje. Kur papunësia dhe korrupsioni është prezent dhe real çdo iniciativë tjetër që vjen prej një klase politike në fuqi nuk është asgjë tjetër pos akt i dështimit dhe “prostitucionit kulturor”. Politikanët nuk munden ta zgjedhin problemin “estetik” në emër që Shqipëria po ndryshon!! Po jap një shembull: nesër “në mëngjes kryeministri zgjohet dhe tregon se si shqiptarët prej së nesërmes duhet të hanë bukë katrore. Kjo është e vetmja formë që garanton progresin”. Ai krijon ligj dhe me emër të estetikës “buka katrore” hyn në ligj.

 A mund të jetë estetika një imponim?

Në Shqipëri, duke e ditur rolin e kryeministrit dhe “dashurinë” që ka për artin, nuk kam asnjë dyshim që është total i imponuar. Jo vetëm imponim që është një rrezik i madh por edhe një prezantim tepër i varfër dhe sipërfaqësor. Kuratorët e pavarur me ide të shkëlqyeshme në qytetin e Tiranës dhe jashtë saj nuk përkrahen nga institucionet aktuale, injorohen por në Kryeministri ndodhin “mrekulli”!!! Pushteti aktual duhet të zgjedhë problemet e papunësisë, korrupsionit, t’i pastrojë lumenjtë etj. Por duhet të qëndrojnë larg artit.

Çfarë raporti duhet të kenë midis estetikës dhe politikës?

Politika duhet të qëndrojë larg ndaj çfarëdo angazhimi estetik dhe në çdo fushë. Arti është roli i artistëve të pavarur, e jo i politikanëve që e përdorin artin për promovimin në mënyrë indirekte dhe direkte ambiciet për të qenë “Artist”, ku në demokracinë e sotme është e papranueshme.

Si do ta karakterizonit epokën në të cilën po jetojmë në art?

Trauma e post-inteligjencës

Çfarë tabloje do të donit të zgjidhnit nëse do të bënit një vizitë në Galerinë Kombëtare të Kosovës?

S’kam komente.

Po në pavijonin e soc-realizmit në Galerinë e Arteve, cilin do të merrnit?

Fantazmat e gjalla.

 Me cilën artiste do të donit të pinit një kafe të gjatë në Romë? 

Me Çiçolinën.

 Lexoni?

Shumë pak.

Cili është një personazh libri që ju frymëzon? 

Peter Sloterdijk, Bubbles Spheres I.

 20 vjet krijimtari, si mendoni se do të jetë 20 vjet më pas? 

Ndoshta mes çiftelisë dhe Benz-it.

Please follow and like us: