Albspirit

Media/News/Publishing

Stilistja shqiptare, tani aktore në një film indian

  • Elsa Nilaj, nusja nga Shkodra që u martua me aktorin indian, hyn në botën e madhe të filmit indian. Rrëfimi për rolin e Marias, europianes që gjeti dashurinë në Indinë e largët dhe ndërthurja e profesionit të stilistes me pasionin e aktrimit

Nga Anxhela Devole

Elsa Nilaj është stiliste dhe prej vitesh i është përkushtuar dizajnimit. Por së fundmi ka zbuluar një pasion tjetër të sajin, aktrimin. E martuar me një aktor indian, Vishal Sudarshanwar, ajo ka filluar një jetë të re në Indi, duke u përshtatur me traditën dhe kulturën atje. Ka pasur një eksperiencë katër ditore gjatë xhirimeve të një filmi dhe tani vjen si një aktore protagoniste me një rol që i shkon shumë karakterit të saj. Mediet indiane kanë shkruar për Elsën, duke nxjerrë në pah profesionin e saj si stiliste, që ndërthuret me pasionin për aktrimin. Në këtë intervistë, ajo tregon se si u bë pjesë e kastit të aktorëve dhe detaje të tjera rreth filmit.

http://imgur.com/v6HNY6F/embed?ref=http%3A%2F%2Fwww.shekulli.com.al%2Fp.php%3Fid%3D433347&w=540

Si u bëre pjesë e kastit të aktorëve në këtë film?

Kemi miq të mëdhenj artistë në Mumbai, që janë regjisorë, këngëtarë, koreografë etj., që më thonë se mund të bëhem një aktore e mirë dhe Vishali e mendonte kështu, por unë nuk e mora asnjëherë seriozisht këtë gjë. Por një ditë, një prej miqve të mi, Gopi, e cila është një aktore e famshme, më tha se bashkëshorti i saj, i cili është edhe ai një regjisor i madh, më donte mua në kastin e aktorëve të filmit të tij. Kështu, unë shkova ta takoja atë dhe pas audicionit, u përzgjodha.

Cila do të jetë tematika e filmit?

Është një film artistik dhe titulli i tij është “Kookh”, me një subjekt sensitiv. Por momentalisht nuk mund ta zbuloj historinë. Në film janë në rolet kryesore dy çifte, një çift indianësh dhe një i huaj. Gjithashtu është hera e parë që në një film “Gujrati” marrin pjesë aktorë të huaj, që luajnë karaktere të ndryshme. Andy është një aktor gjerman dhe ka punuar për shumë filma indian, prej 7 vitesh është pjesë e Bollivudit. Ai jeton në Mumbai dhe unë jam shqiptare (qesh). Ne do të jemi çifti i huaj.

Po roli yt?

Siç thashë edhe më sipër, janë dy çifte në film dhe unë luaj rolin e bashkëshortes së huaj. Kam një rol protagonist në film. Një vajzë e cila viziton Indinë dhe eventet e rëndësishme zënë një vend kryesor në jetën e saj, deri në fund. Emri i karakterit tim në film është Maria, një zonjë evropiane, e cila viziton Indinë, është shumë e ndjeshme, e butë dhe dëshiron të jetojë jetën. Por, nuk ka një jetë bashkëshortore të lumtur, pasi bashkëshorti i saj, Patriku mendon vetëm për paratë. Kur Maria shkon në Indi, atje gjen dashurinë e saj dhe kështu ndryshon komplet jeta e saj.

Keni filluar me xhirimet?

Po, ne kemi filluar xhirimet. Pesë ditët e para në kemi bërë prova, pasi regjisori ynë, Nimesh është shumë i disiplinuar dhe dëshironte që çdo gjë të ishte perfekte kur të fillonim xhirimet. Tashmë ne po shkojmë në qytete të ndryshme për të xhiruar, në dy shtete të ndryshme të Indisë perëndimore, Gujrat dhe Rajsthan.

Si ndihesh, duke marrë parasysh që profesioni yt nuk ka lidhje me aktrimin?

Puna si fashion dizajnere është e lidhur ngushtë më këtë që po bëj tani, pasi unë gjithashtu punoj për Industrinë e Filmit Indian, në televizion dhe në teatër duke veshur aktorët për rolet e tyre, dhe gjithashtu jam martuar me një aktor. Kështu, profesioni im është shumë i lidhur me aktrimin, edhe pse unë nuk e shikoja aktrimin si punë. Por, kur m’u ofrua kjo mundësi, e diskutova me Vishalin dhe më miqtë e mi aktorë dhe i thashë “Po” regjisorit, ndaj mund të them se jam shumë e lumtur për këtë mundësi.

Sa bashkëpunues është Vishali në këtë pjesë?

Vishali është mësuesi im i aktrimit, mentori im për filmin (Qesh). Ai nuk është i lidhur drejtpërdrejtë me këtë film, pasi po punon për një film tjetër në një tjetër vend, por ai është gjithmonë me mua, duke më mbështetur dhe ndihmuar, si dhe duke më motivuar që unë të jap më të mirën gjatë kësaj eksperience si aktore.

Mendon se pas këtij filmi do të jesh më aktive në kinematografinë indiane?

Unë mendoj që ky është një film i rëndësishëm dhe një projekt i rëndësishëm. Regjisori është një shumë i njohur për filmat e tij artistik, dhe ky film do të ketë një premierë të madhe në Indi, po ashtu jashtë vendit në shumë konkurse internacionale. Unë do të njihem më shumë pas shfaqjes së këtij filmi. Dhe shpresoj që të kem më shumë role në aktrim në të ardhmen.

Sa e rëndësishme është kjo për ty?

Për mua është shumë e rëndësishme, pasi nuk e kisha menduar asnjëherë që do të bëhesha aktore apo do të aktroja gjatë jetës sime. Por kjo erdhi si një surprizë dhe si një sfidë, të cilën unë po e shijoj shumë. Kam mësuar ditë pas dite dhe po, do të doja ta përsërisja. Sigurisht, dizajni do të jetë dashuria ime e parë. Shpresoj që së shpejti, puna ime si aktore të arrihet edhe në Shqipëri.

Ke mësuar gjuhën indiane? Si do të flasësh në film?

Po, unë kam mësuar paksa gjuhën indiane, për shkak të punë sime. Më duhet të flas në ditët e punës me kolegët indianë dhe po ashtu në film. Në film, unë flas anglisht, por filmi do të realizohet në gjuhën gujrat dhe vetëm dy personazhet, Patriku dhe Maria do të flasin anglisht (çifti i huaj), por filmi do të shfaqet me titra në anglisht dhe gujrat për audiencën e gjerë. Unë ndonjëherë ngatërroj gjuhën dhe flas shqip, pastaj hindi dhe anglisht dhe njerëzit që nuk më njohin mendojnë që unë jam e çuditshme. (Qesh)

http://imgur.com/zcYyeKY/embed?ref=http%3A%2F%2Fwww.shekulli.com.al%2Fp.php%3Fid%3D433347&w=540

Jeta e Elsës në Indi

Rreth një vit më parë realizuam një intervistë me Elsën, e cila na tregoi historinë e dashurisë së saj. Krejt rastësisht, ajo u njoh në rrjetin social “Facebook” me Vishal Sudarshanwar nga India, tashmë bashkëshorti i saj. Elsa Nilaj është nga Shkodra dhe me këtë kurorëzim nuk u bashkuan vetëm dy njerëz, por edhe dy kultura. Ajo është shprehur se, “Kurrë nuk e mendoja që bashkëshorti im do të ishte indian, por kurrë nuk e mendova që do të ishte vetëm shqiptar, gjithashtu. Kam menduar që personi përkrah meje të ishte me zemër të madhe, të ishte ambicioz në jetë, krijues, artist i cili dëshiron të arrijë majat etj. Dhe Vishali është ai që unë kisha menduar si partnerin e jetës. Me krenari e them që jemi të dy të njëjtë. Ne celebruam dasmën tonë në Shqipëri dhe në Indi po ashtu. Jemi martuar në kishë me të gjitha ritualet e fesë së krishterë ku unë vesha fustanin e bardhë dhe Vishali kostumin e zi. Gjithashtu kemi celebruar dasmën edhe në Indi me të gjitha ritualet e fesë Hindu, ku unë u vesha me “sari” dhe Vishal me “kurta pajama”, veshje tipike tradicionale të kulturës indiane.”

Ndërkohë, ka kaluar një vit kur realizuam intervistën e parë dhe disa të tjerë që kur je martuar dhe po jeton në Indi. Çfarë ka ndryshuar tek ty dhe jetesa jote këto kohë?

Shumë gjëra kanë ndryshuar gjatë kësaj kohe, për shembull, nga dizajnere u bëra aktore (qesh). Kam filluar të punoj për një kompani veshjesh në Indi, ku ndodhen 150 dyqane në të gjithë Indinë, dhe unë menaxhoj dhe dizejnoj 3 linja veshjesh të kësaj kompanie. Sapo kam përfunduar kostumet për një shfaqje, të stiluara për dy nga aktorët më të famshëm të Indisë, Saurabh Shukla and Vinay Pathak, të cilët kanë pasur sukses të madh. Muajin e kaluar, unë punova për një film të Bollivudit që do të shfaqet në shtator si aktore. Dhe aktualisht, siç edhe e mësuat, po i përkushtohem filmit “Kookh”. Nga një gjë, kam bërë shumë gjëra… pra, janë të gjitha ndryshime pozitive dhe shpresoj që të vazhdojnë të tilla ndryshime në jetën time.

Planet për të ardhmen…

Do të punoj shumë dhe do të jemi së bashku, sepse “VE” (ne, Vishal dhe Elsa) kemi shumë ëndrra që duam t’i realizojmë në të ardhmen. Unë do të hap së shpejti firmën time të veshjeve, në një nivel ndërkombëtar. Së shpejti, do të sjell në Shqipëri disa nga dizajnet e mia. Dua të punoj dhe të lë gjurmë në Industrinë e Filmit Indian, sigurisht si aktore dhe stiliste, kështu mund të bëj krenare familjen time, prindërit e mi dhe vendin tim.

Please follow and like us: