Albspirit

Media/News/Publishing

“Fiks Fare” sjell kronikën e një vrasjeje të paralajmëruar

Mosndërhyrja në kohë e punonjësve të policisë së Kurbinit në konfliktin që kishin banorët e fshatit Gallatë të Malbardhës me një bashkëfshatarin e tyre, i mori jetën 50-vjeçarit nga ky fshat një muaj më parë.

Në fshatin Gallatë të Malbardhës së Kurbinit u bë një vrasje në datën 2 prill rreth orës 15:00. Atë ditë humbi jetën shtetasi Mark Ndrecaj 50-vjeç i cili ishte banor i këtij fshati. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, autori i krimit ishte banori tjetër i fshatit, Tom Lala. Disa ditë pas vrasjes ai u dorëzua në polici. Mes viktimës dhe vrasësit kishte patur konflikte të vazhdueshme.

Si përfaqësues i komunitetit, i ndjeri Mark Ndrecaj kërkonte të hapte rrugën e varrezave të fshatit, të rregullonte rrugën e fshatit dhe të ndërtonte një urë për banorët e fshatit me disa shina prej hekuri, që banorët e fshatit i kishin blerë vetë. Por, Lala e kundërshtonte në të tre rastet pasi pretendonte se toka ku do ndërtohej ishte nën pronësinë e tij.

Të afërmit e viktimës pretendojnë se kjo vrasje ishte e paralajmëruar pasi konfliktet kishin qenë të shpeshta dhe shumë herë policia kishte shoqëruar viktimën në polici për shkak të këtyre konflikteve. Madje një ditë para vrasjes, viktima, një banor tjetër i fshatit dhe autori i krimit ishin përplasur gjatë kohës kur kishin tentuar të shtronin mbi lumë shinat e trenit që do t’u shërbenin banorëve si urë për të kaluar lumin.

Familjarët e viktimës pretendojnë se policia asnjëherë nuk kishte ndërhyrë për t’i zgjidhur konfliktet dhe gjithmonë kur shkonin në fshat rrinin në shtëpinë e vrasësit, Tom Lalës.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në fshatin Malbardhë te Kurbinit disa ditë pas vrasjes së 50-vjeçarit, Mark Ndrecaj. Të afërmit e viktimës dhe bashkëfshatarët tregojnë për konfliktin që kishte ndodhur mes Ndrecajt dhe çiftit Lala, pasi këta të fundit gjuanin me gurë banorët që shtronin hekurat për urën.

Djali i viktimës tregon se i ati e kishte denoncuar disa herë në polici vrasësin, duke u bërë me dije institucioneve që ai ishte njeri problematik dhe gjithmonë krijonte konflikte. Ndërsa vëllai i viktimës, teksa tregon se Marku u vra me armë gjahu kur po kthehej nga puna, ishte në furgonin e tij dhe sapo kishte shpërndarë fëmijët që transportonte nga shkolla për në shtëpi, shton se policia erdhi në vendngjarje dhe nuk shoqëroi asnjë person.

Në dokumentet që i ndjeri kishte me vete iu gjend edhe një shkresë zyrtare të cilën vetë ai ia drejtonte policisë, njësisë administrative dhe Bashkisë së Kurbinit. Në këtë shkresë thuhej se kishte konflikte të vazhdueshme me Tom Lalen, i cili e pengonte vazhdimisht atë dhe të gjithë komunitetin për të ndërtuar rrugën.

Pas kësaj ngjarjeje, “Fiks Fare” u interesua në komisariatin e policisë dhe në Prokurorinë e Laçit. Gjatë kërkimeve të gazetarëve të “Fiks Fare” mësuam se ndaj dy punonjësve të policisë që kishin qenë pjesë grupit të gatshëm që ka qenë prezent kur ka ndodhur konflikti i fundit, ka filluar procesi gjyqësor dhe janë pezulluar nga detyra për moskryerje të detyrës.

“Fiks Fare” kontaktoi me policët e pezulluar nga detyra ditën kur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Kurbinit zhvillohej seanca ndaj tyre, pas kërkesës së SHKB për pezullimin e tyre nga detyra.

Polici tregon se një ditë para vrasjes në vendngjarje kishte konflikt dhe shkoi grupi i gatshëm. Ai tregon se nuk iu bllokua arma e krimit autorit të vrasjes, por ai nuk mbante asnjë përgjegjësi për këto veprime të policisë, pasi në vendngjarje kishin shkuar dy oficerë policie dhe grupi i gatshëm.

Polici tregon se policët që ishin në vendngjarje hëngrën dhe pinë atje dhe nuk morën armën e gjahut me të cilën u krye vrasja.

Please follow and like us: