Albspirit

Media/News/Publishing

Paqja në Lindjen e Mesme, konferenca mblidhet në Paris

Përpjekjet për një raund të ri bisedimesh paqeje për Lindjen e Mesme, duket se kanë ndeshur në probleme që në fillim, ndërsa Izraeli nuk pranon ndërmjetësim. Franca pritet të organizojë një takim ministerial më 30 maj për të rigjallëruar bisedimet e vitit 2014, që u iniciuan nga Shtetet e Bashkuara. Të hënën, ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault vizitoi Izraelin dhe Palestinën në parapërgatitje të takimit ndërkombëtar.

Palestinezët përkujtuan atë që e quajnë, “dita e katastrofës”, e cila shënon dëbimin e qindra mijëra palestinezëve nga shtëpitë e tyre në vitin 1948 gjatë krijimit të shtetit të Izraelit. Protesta u mbajtën në të gjitha territoret palestineze, një ditë pasi Izraeli festoi 68 vjetorin e pavarësisë.

Në Bethlehem, pjesëmarrësit udhëtuan me një tren që mbarte emrat e ish-fshatrave palestineze. Organizatorët si Munther Amerra, shpresojnë për një rikthim.

“Dikur ishte ëndërr rikthimi në atdheun tonë. Tashmë po përpiqemi ta bëjmë realitet.”

Forcat izraelite të sigurisë hodhën gaz lotsjellës ndaj protestuesve që iu afruan një pike kontrolli në Bregun Perëndimor, dhe disa palestinezë në Gaza hodhën gurë drejt rrethimit kufitar me Izraelin.

Kjo ishte atmosfera që gjeti Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayraul gjatë vizitës në Ramallah, për t’u takuar me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Riyad Al-Maliki është shefi palestinez i politikës së jashtme.

“I urojmë sukses Francës pasi është e vetmja që po përpiqet të bëjë diçka.”

Por, Izraeli po kundërshton një rezolutë të UNESCO-s muajin e kaluar, e cila dënon Izraelin për “pushtimin” e xhamisë al-Aqsa dhe që pengon myslimanët të falen në të. Objekti adhurohet prej hebrenjve si Mali Tempull, dhe është toka më e shenjtë e besimit hebraik.

“U takova me ministrin francez dhe i thashë se rezoluta skandaloze e UNESCO-s, e mbështetur nga Franca dhe që nuk njeh lidhjen mijëra vjeçare të popullit hebre me Malin Tempull, ngjall dyshime për paanshmërinë e çfarëdolloj forumi që mund të organizojë Franca”, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanjyahu.

Kryeministri Netanyahu i tha Ministrit francez se Izraeli është i interesuar vetëm për bisedime të drejtpërdrejta me palestinezët.

Kryediplomati francez tha se rifillimi i bisedimeve është kyçi për t’i dhënë fund tensioneve dhe për të ndaluar infiltrimin e terroristëve të Shtetit Islamik në zonat e konfliktit.

“Franca nuk ka interes personal, por jemi të bindur se duhet të bëjmë diçka për të mos lejuar përhapjen e ideve të Shtetit Islamik në rajon.”

Përfaqësuesit e Izraelit dhe Palestinës nuk janë të ftuar në takimin e paqes në Paris.

Një takim ndërkombëtar me pjesëmarrës nga 20 vende pritet të mbahet në Paris në fund të këtij muaji për të diskutuar marrëveshjen e paqes, por as Izraeli e as Palestina nuk do të jenë të pranishëm në këtë takim.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e kundërshtoi veprimin e Parisit.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault tha se Franca shpreson për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje në këtë takim.

“Ne duhet të tregojmë se drejtimi që ne po propozojmë është i duhuri për të dalë nga kjo situatë tepër serioze në të cilën gjendemi.”

Ayrault foli për mediat pas takimit me kryeministrin izraelit dhe presidentin palestinez Mahmoud Abbas gjatë vizitës njëditore në rajon.

Sipas njoftimeve kryeministri Netanyahu tha se bisedimet direkte dhe pa parakushte ishin mënyra më e mirë për të arritur një marrëveshje përfundimtare paqeje.

Please follow and like us: