Albspirit

Media/News/Publishing

Shpallet në kërkim Hasan Halilaj, ish –kryetari i Bashkisë së Kukësit

Me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të gjykatës është shpallur në kërkim ish –kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj. Ndërsa janë arrestuar Mirdash Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Kukës; Lekë Deda, ish-drejtor i Financës, Bashkia Kukës’ Gëzim Ukperaj, ish-drejtor i Borxhit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, Kukë

Sipas prokurorisë, zyrtarët e lartë janë të dyshuar për shpërdorim detyre, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksioneve në shoqërinë “Klubi i Futbolli Kukës” sh.a., për të cilën më pas kanë paguar në mënyrë të paligjshme, në formë sponsorizimi, në periudhën 2011-2015 rreth 45 milionë lekë të reja.

Këtë shumë, sipas prokurorisë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar, duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit. Hasan Halilaj u bë i njohur për opinionin publik kur deputeti Ben Blushi i kërkoi publikisht Edi Ramës se përse e zgjodhi atë si kandidat për kreun e bashkisë së Kukësit, në një kohë kur ai në këtë detyrë ishte zgjedhur më parë në PD.

“Pse e zgjodhi Rilindja, Hasanin? Se ishte i zoti? Se ishte demokrat? Se ishte kryetar bashkie? Se kishte vota? Se kishte miq? Se kishte para? Se kishte punuar shumë mirë? Se ishte i pavarur? Se ishte përpjekur gjithë këto vite për të ndryshuar qeverinë e Partisë Demokratike me kontributin e tij si kryetar i Bashkisë së Partisë Demokratike?

A nuk kishte socialistë në Kukës? A nuk kishte progresistë? A nuk kishte opozitarë në Kukës?

Ja pse.

Sepse Rilindja ka humbur gjatë rrugës të gjitha virtytet, që e sollën në pushtet. Për të qenë pjesë e Rilindjes nuk është e domosdoshme të kesh besuar tek zgjedhjet, nuk është e udhës të kesh votuar për ndryshimin e qeverisë, nuk është e thënë të jesh socialist, nuk është kusht të jesh i majtë, nuk është e nevojshme të kesh besuar tek ndryshimi i vendit, mjafton të jesh Hasan. Të jesh pa din dhe pa iman. Pa sedër dhe pa nam. Pa kusur dhe pa plan. Pa kurajë, pa guxim dhe pa nishan”, shkruante Blushi më 5 maj 2015, në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore, në një shkrim të titulluar “Hasanizimi i Shqipërisë”.

Please follow and like us: