Albspirit

Media/News/Publishing

SHKELJET/ Pastruesja zbuloi abuzimin e Hasan Halilit me fondet në bashkinë e Kukësit

Abuzimi i ish-kryebashkiakut të Kukësit Hasan Halili dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të kësaj Bashkie me fondet e sigurimeve shoqërore, është zbuluar nga një pastruese.
Esma Muçaj ka qenë ajo që ka denoncuar skandalin te kryebashkiaku aktual Bashkim Shehu. Kjo për shkak se Esma Mucaj pasi është larguar nga puna në vitin 2015, ka shkuar pranë sigurimeve shoqërore për të kërkuar asistencë, duke qenë se kishte derdhur kontribute prej 22 vjetësh si pastruese në bashkinë Kukës.
Por punonjësit e sigurimeve i kanë thënë që në 4 vitet e fundit nuk ka paguar sigurimet shoqërore. Kjo e ka detyruar që të ankohet te kryebashkiaku aktual,Bashkim Shehu,  i cili ka urdhëruar një audit ë brendshëm, ku u zbuluan edhe abuzimet me fondet. Pastruesja Esma ishte një ndër të paktën 10 ish-punonjës të Bashkisë së qytetit verior që prezantonte këtë shqetësim në administratën e re lokale.
Ish kryebashkiaku i kukësi Hasan Halili me 3 ish-zyrtarë fondet e sigurimeve shoqërore i kaluan tek klubi i futbollit të Kukësit, ku bashkia ishte aksionere në mënyrë të paligjshme. Për Hasan Halili, Gjykata ka dhënë arrest me burg, por ai prej disa ditësh nuk gjendet në banesën e tij.

Denoncimi
Esmaja është larguar nga puna në nëntor 2015, pasi vendi i saj i punës u shkurtua. Në të drejtën e saj ligjore, ajo kërkon të paguhet me asistencë sociale. Në moshën 57-vjeçare ajo e ka të pamundur të sigurojë një punë tjetër dhe për këtë arsye mendon të marrë një pjesë nga kontributet që ka arkëtuar në administratën tatimore. Kërkesa e saj ka marrë një përgjigje absurde. Nuk mund të përfitojë, pasi nuk ka kontribuuar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore gjatë 4 viteve të fundit. Esmaja, e pamësuar me shakatë administrative, kërkon të drejtën e saj tek kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, i zgjedhur vetëm pak muaj më parë në këtë detyrë, në qershor 2015.
Bashkia e Kukësit, në periudhën tetor-nëntor 2015 ushtron audit të brendshëm mbi mënyrën e shpenzimit të fondeve publike nga ish-paraardhësi i tij, Hasan Halili dhe shkeljet e konstatuara, të shumta në numër, i referon në Prokurorinë e qytetit.

Hetimi
Gjatë veprimeve hetimore, prokurorët arritën të evidentonin shkeljet e kryera nga të paktën 4 ish-zyrtarë të lartë lokalë të Kukësit, me një dëm që llogaritet në rreth 45 milionë lekë të reja.
Të martën e datës 24. 05. 2016, gjykata e Kukësit vendosi për arrestimin e ish-kryetarit të Bashkisë, si edhe tre ish-drejtuesve të tjerë në këtë institucion dhe në administratën tatimore, pasi dyshohet se kanë devijuar fondet e sigurimeve shoqërore të punonjësve, në drejtim të sponsorizimit të ekipit të futbollit të Kukësit.
Paralelisht me këto sponsorizime, Bashkia Kukës shtonte borxhin ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për shkak se nuk kryente pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për mbi 300 punonjës të strukturave në varësi të institucionit.
Hetimi i Prokurorisë së Kukësit ka konstatuar se shuma e parave që bashkia ka sponsorizuar për ekipin e futbollit të qytetit, është thuajse e njëjtë me shumat e papaguara për kontributet e punonjësve.
Prokurorët kanë krijuar bindjen se paratë e punonjësve kanë shkuar për lojtarët e ekipit, të cilët luajnë në kategorinë superiore të futbollit shqiptar.
Shkeljet e evidentuara nga Prokuroria

– Sipas dokumentacionit sekuestruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, rezulton se më datë 08. 09. 2011është regjistruar si person i tatueshëm “FUTBOLL KLUB KUKESI –Sha”, me ortak R. G., F. H., S. Gj. dhe Bashkia Kukës. Aktualisht aksionerë të kësaj shoqërie rezulton shtetasi L. Gj. me 87.5 % të aksioneve dhe 12.5 % Bashkia Kukës.

– Nga dokumentacioni i administruar në Degën e Thesarit, rezulton se nga Bashkia Kukës janë kryer sponsorizime për llogari të klubit të futbollit të qytetit në 4 vite radhazi, 2011-2015. Më konkretisht, Bashkia Kukës ka kaluar në llogarinë e klubit sportiv 2 herë 5 milionë lekë për vitet 2011 dhe 2012. Në vitin 2013, shuma e sponsorizimit është rritur me trefish-15 milionë lekë. Në vitin 2014, Bashkia e Kukësit ka vijuar sjelljen bujare ndaj sportit, duke i dhuruar 10 milionë lekë. Dhe, vetëm pak ditë para se të largohej nga zyra e Bashkisë, në vitin 2015, ish-kryetari ka sponsorizuar edhe 6 milionë lekë të tjera.

Please follow and like us: