Albspirit

Media/News/Publishing

Kadare, letërsia, identiteti dhe historia

Ismail Kadare: Letërsia, identiteti dhe historia

NDUE UKAJ

 

(Pjesë e shkëputur nga një studim i botuar në librin “Kadare, leximi dhe interpretimet”)

Ismail Kadare është autori më përfaqësues i letërsisë shqipe, krijimtaria artistike e të cilit ka krijuar relacion organik me identitetin kulturor të shqiptarëve dhe është pasqyrimi më i mirë i tij. Vepra letrare e Kadaresë ka kapërcyer kufijtë gjuhësorë dhe etnikë shqiptarë dhe zë vend meritor në hierarkinë e letërsisë së përbotshme. Me vlerat e dallueshme artistike, ajo është bërë objekt i studimeve të shumta dhe përbën një materie kuptimplote për të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët: në planin historik, kulturor, etnik e identitar. Në këtë tekst, unë synoj t’i interpretoj marrëdhëniet ndërtekstore të letërsisë së tij me identitetin, kulturën dhe historinë; një trekëndësh nëpërmjet të cilit vepra e tij formëson peizazhin origjinar kadarean dhe, në anën tjetër, tregon Shqipërinë e përhershme kulturore.

Letërsia është e lidhur me imagjinatën dhe fiksionin, mirëpo relacioni i saj me të vërtetën dhe moralin është specifik. Kadare, i cili shkroi pjesën më të madhe të letërsisë së tij në kohën e totalitarizmit, imagjinatën e tij e mbështolli me kulturën shqiptare dhe atë universale. Në këtë mënyrë, tekstet e tij imagjinare, marrin kuptim, nëpërmjet leximit të tyre në relacion me baladat, legjendat, mitet, historinë.

Studimet letrare të viteve të fundit, veç ngulmimit për t’i evidencuar, vlerësuar dhe interpretuar entitetet estetike, artistike dhe semantike në imanencën e veprës letrare, gjithnjë e më shumë priren për t’i analizuar dhe kërkuar fenomenet kulturore, si forma identitare që trupëzohen e shtresohen përbrenda një letërsie. Kjo për faktin se letërsia luan rol të pazëvendësueshëm në krijimin e formave të identitetit kulturor të një shoqërie. Në këtë tekst, do të provoj t’i lexoj disa modele kulturore që shfaqen te letërsia e Kadaresë, duke specifikuar disa vepra të caktuara.

“Disidenca estetike”

Refuzimi estetik, si kategori semantike, siç shpjegon Ibrahim Rugova, realizohet me mjetet e letërsisë dhe shfaqet në momente kur në shoqëri ndjehet nevoja e mospranimit.

Në kohën kur Kadare shkroi pjesën dërmuese të letërsisë së tij, Shqipëria staliniste ushtronte pushtetin e vet despotik në jetë dhe letërsi, duke tentuar ta skematizojë dhe ta instrumentalizojë këtë të fundit në funksion të pastër ideologjik. Mirëpo, Kadare, me artin e tij, nëpërmjet refuzimit estetik, me satira, ironi, paradokse e grotesk, injoroi artin ideologjik për njeriun e ri, të moralshëm e pa të meta- të konstruktuar sipas inxhinieringut komunist, ku pushteti e partia kujdesen për “lumturinë njerëzore” dhe shkroi një letërsi tjetërfare.

Në fakt, shkrimtari Kadare asnjëherë nuk e pranoi epitetin e të qenit disident, mirëpo ai shkroi një letërsi që refuzoi estetikisht, një letërsi që refuzoi imponimin. Këtë aspekt karakteristik të veprës së tij e identifikon studiuesi Agron Tufa, i cili vë në spikamë një kategori tjetër refuzuese në veprën e tij të quajtur disidencën estetike. Tufa sjell argumentet e Arshi Pipës, kur pohon se me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Kadare përmbysi ligjet e shenjta të realizimit socialist. Partia kurrë nuk përmendet, tematika socialiste është lënë tërësisht mënjanë dhe heroi i romanit është një gjeneral armik i vendit. Më tej Tufa shton: “Duke folur për gjuhën e veprave të Kadaresë, si strehë dhe projeksion krijues të lirisë individuale, kam patur bindjen, se tëhuajësimi i parë i Kadaresë nga socrealizmi ka qenë mospajtimi stilistik dhe estetik.

Ndonëse çështja e të qenit disident apo nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me dimensionin artistik e estetik të letërsisë së tij, ajo shtrohet sa herë debatohet për veprën e shkrimtar. JohnCarey, kritik i shquar anglez, pohon se Kadare e sfidoi socrealizmin, dhe shkruan: “Të lexosh romane të tilla si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” apo fantazinë satirike “Pallati i ëndrrave”, të ndaluar në Shqipëri menjëherë gjatë botimit, është të shikosh këto ngjarje të transfiguruar në letërsi.”

Pushteti i alegorisë, nëpërmjet së cilës e Kadare godet diktaturën, është tipar mbizotërues dhe karakterizues i letërsisë dhe ndeshet kudo në prozën e tij. Njohës të veprës së Kadaresë, ndër ta edhe Arshi Pipa, që herët vunë në spikamë rebelimin dhe jokonformizimin e veprës së Kadaresë. Në këtë kontekst, Pipa shkruan: “Kronikë në gur”, i cili ndjek “Kështjellën”, sjell një pikë të mbrehtë rebelizmin jokonformist të autorit dhe akuzon këtë herë në mënyrë të nënkuptueshme partinë komuniste, që nxiti luftën civile dhe e shndërroi luftën kombëtare kundër fashizmit në luftë klasash.”

Në fakt, Ismail Kadare, që në romanin “Qyteti pa reklama” (1959), e sfidoi hapur metodën socrealiste në letërsi. Në kundërshtim me frymën pozitive dhe heronjtë pozitivë që proklamonte socrealizmi dhe ideologjia staliniste, Kadare këtu personazhin Gjon Kurti e paraqet si njeri me karakter të dobët e të meta të shumta, të shthurur e amoral, që me falsifikimet e tij arrin majat e suksesit si intelektual. Romani ka nota të theksuara nihiliste dhe kështu bie ndesh me metodën e afishuar komuniste për njeriun e ri pozitiv si qenie të përkryer përbrenda rendit të ri shoqëror. Kadare nëpërmjet këtij teksti letrar, shfaq shenjat e një letërsi tjetërfare, jashtë skemave dhe rregullave të diktatorit dhe shkruan një roman që dëfton heroin e pakënaqur, të paepur për liri, që bie në pije e dëfrime dhe që nuk çan kokën për mësimet e partisë. Këtë soj personazhi, mirëpo në trajta të ndryshme, do ta ndeshim më vonë te romani “Pallati i ëndrrave”, nëpërmjet heroit të dështuar që kur ngritët në hierarkinë e Pallatit e kupton absurdin e punës së tij, apo te romani “Hija” nëpërmjet skenaristit të dështuar.

Romani “Pallati i Ëndrrave” shënon një kapërcim të rëndësishëm në krijimtarinë artistike të Kadaresë.  Në këtë roman,shëmbëllyeshëm me letërsinë e Kafkës, Kadare ndërton absurdin letrar si simbolizëm shumëdimensional, duke trajtuar një temë historike, por ku nënteksti flet për Shqipërinë staliniste dhe utopitë që krijoi ajo ideologji. Ndonëse ngjarja është e zhvendosur në periudhën osmane, qëllimet e autorit duken të qarta: ai ngre kambanën e alarmit nga rreziku i ëndrrave utopike. E ngritja në karrierë, rezulton të jetë absurde. Në këtë mënyrë, Kadare i jep një ëshpartisë dhe pushtetit stalinist. Kritiku amerikan RichardEder këtë roman të Kadaresë e cilëson si nga më të mirët e autorit dhe shkruan: “Pallati i Ëndrrave, një fantazi për burokracinë e madhe otomane që mbledh ëndrrat e njerëzve dhe ia raporton më të rrezikshmet Sulltanit. Është kjo një parabolë e përhënët mbi marrëzitë e pushtetit – vrasës e vetëvrasës në të njëjtën kohë. Por, romani është zbavitës po ashtu, dhe të pushton me tonin e pafajësisë. Këto janë dy cilësi të rregullta, bashkë me tmerrin, në romanet e Kadaresë.”

Vizioni historik i letërsisë

Peizazhi tematik i romaneve të Kadaresë është sfondi i jetës shqiptare, i parë në kontekstin historik e aktual. Në veprën e tij letrare gërshetohen  përvoja nga kultura e përbotshme dhe ajo shqiptare. Eric Faye, njohës i veprës së autorit shkruan se: “Në laboratorin e tij të shkrimtarit, Kadareja rimerr përvoja të provuara në të kaluarën tragjike greke e, më pas, nga Danteja dhe Shekspiri.” E Kadare këtë e bën, sipas parimit se “qytetnimi dhe letërsia janë e njëjta gja, ato shprehin lirinë me të cilën Fjala i jep shpirt njeriut.” (Ardian Ndreca).

Shkrimtari e ka dëftuar fuqinë e fjalës së epërme artistike dhe lidhjet e tij organike me kulturën, nëpërmjet shumë kryeveprave në prozë, në të cilat e lartësoi identitetin dhe kulturën shqiptare në hierarkinë e vlerave të përbotshme. Ndërsa, për t’i sforcuar idetë e tij përtejletrare e zgjeroi gamën e interesimeve tematike dhe shkroi librin monumental, “Mosmarrëveshja – Raportet e Shqipërisë me vetveten”, me të cilin shpalosi idetë letrare e kulturore, tanimë si kategori jofiksionale. Kjo vepër, të cilën autori e kategorizoi sisprova letrare, është një ese që shënon autorin e afishuar matanë diskursit imagjinar dhe aty e gjejmë “qenien kulturore” ku banon autori dhe ku është brumi i identitetit të tij artistik e kulturor. I ndërgjegjshëm për këtë, ai i strukturon fijet e shkëputura kulturore dhe shëlbimin për kombin e kërkon me ngulm te kultura dhe te ruajtja e historisë. Gjithnjë sipas formulës se kombi shqiptar është komb kulturor, ndaj identiteti i tij kulturor duhet të shihet përtej dyzimeve dhe krizave identitare që vijnë e turbullojnë të kaluarën, nga mohues të ndryshëm. Matteo Mandala, te parathënia e botimit të fundit “Mosmarrëveshja – Shqipëria përballë vetes” përmend ndërlidhjen mes kësaj vepre dhe letërsisë fiksionale të Kadaresë. Sipas tij, “romani “Hija” është ai që ndihmon edhe çështjet që vërtiten rreth Mosmarrëveshjes, e sidomos na ndihmon të ajgëtojmë përmes një tisi të rafinuar “tinëzisht” letrar flakërimën e betejës kulturore që autori bën në emër dhe për hir të Shqipërisë së ardhme.”

Kadare në këtë libër, që nuk është vepër letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës, hedh dritë për të kuptuar statusin ontologjik të letërsisë së tij dhe dimensionin e saj historik, identitar e kulturor. Autori aty shënjon hapur idetë e tij kulturore dhe historike, që vërtiten në shumë vepra fiksionale. Si shkrimtar i ditur, ai këtu e paraqet alternativën e përhershme për identitetin kulturor dhe përkatësinë europiane të tij. Në këtë vepër monumentale ai “duke paraqitur një objekt, një ngjarje, një karakter, nuk e godet një tezë, por e nxit lexuesin që ta formulojë atë.” (TzvetanTodorov).

Ky libër, që analizon mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet e mëdha ndërshqiptare, e strukturon realitetin shqiptar në perspektivë historike e aktuale. Janë shenjat dhe simbolet letrare që bëhen tema qendrore të kësaj vepre, ku autori trajton raportet e shqiptarit me veten dhe me të tjerët, duke e shëtitur atë nëpër kohë e hapësirë dhe duke e ballafaquar me historinë e qenësisë së tij: si filozofi dhe histori. Agron Gjekmarkaj, duke analizuar këtë vepër, shprehet: “Mosmarrëveshja” është akti më i madh i dashurisë që shkrimtari me famë të përbotshme i blaton vendit të vet, por njëkohësisht është një shpallje lufte me artileri të rëndë, me zjarrin e së cilës duhet të bëjnë llogaritë përgjithmonë ata që në gjak kanë flirtin, tjetërsimin, nostalgjinë për pushtuesin dhe urrejtjen për Gjergjin Skënderbe, i cili do të krahasohet nga Kadare me Krishtin njësoj pa varr, i ngjitur në qiell në amshim, në përjetësi, ndaj i patakueshëm nga toka. Gjergji hero i qytetërimit europian, i mbrojtur nga Europa si i tillë, Gjergji hero kombëtar i shqiptarëve i vënë në diskutim prej vetë shqiptarëve. Nënë Tereza gjithashtu, IsmailQemali po aq. Te kjo përputhje dhe mospërputhje konsumohet “Mosmarrëveshja”. Por shkrimtari nuk lodhet së përsërituri se “Dosja Kastrioti” është thagma e Shqipërisë europiane, shpirti, identiteti i qytetërimit perëndimor në këtë vend dhe ndaj  rimohuesit me një tjetër identitet, qerosë apo me mjekra, me gjuhë kozmopolitizmi apo mbllaçitje revanie plot gulçe e rënkim prej shekujsh, i mëshojnë mallkimit të luftës kundër padishahut.”

Koncepti i Kadaresë mbi identitetin kombëtar është i lidhur ngushtësisht e organikisht me kulturën, e cila transmetohet nëpërmjet gjuhës dhe shenjave themelore identitare. Në këtë pikë, heroi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është gurthemeli i kombit shqiptar dhe ai i shoqëron përsiatjet e tij në këtë sprovë të jashtëzakonshme. Duke e njohur këtë shtresë karakterizuese të letërsisë së tij, njohës të veprës së tij pohojnë: “Argumenti bazë i Kadaresë për mbijetesën e identitetit shqiptar është pikërisht ritmi i ngadaltë e i gjatë herderian i formimit të identitetit. Kadareja mbron gjuhën, zakonet dhe kulturën e popullit të tij kundër sulmeve të jashtme qofshin ato otomane, sovjetike apo serbe. Patriotizmi i tij, në thelb, është më i afërt me atë të lëvizjes etno-kulturore të shekullit XIX, në Europën Qendrore, sesa me shovinizmin e shek. XX.”Jusuf Vrioni.

Relacionet e letërsisë së Kadaresë me historinë shprehen të hapura. Kadare ka një brengë të përhershme rreth procesit të formimit të identitetit dhe shthurjes së tij. Autori frymëzohet vazhdimisht nga historia, ndërsa temat historike në shumë romane të tij bëhen referenca themelore ku pikëtakohen fate personazhesh e kombesh. Kështu, historia si temë dhe kujtesë, shfaqet pushtetshëm te romani “Kështjella”, në të cilin evidencat historike bëhen jorelevante, përballë “fakteve” fiktive e artistike që i dëfton pjella e imagjinatës krijuese.

Historia përbrenda veprës së Kadaresë shfaqet me një përmasë shprehëse. Si një fushë e epërme e truall i gjallë ku ai gjen frymëzimin për vepra artistike, në një kohë kur regjimi orvatej të mbillte një identitet të ri, të shkëputur nga ai historik: identitetin e njeriut të ri komunist.

Autori niset nga një dramë individuale, për ta zhvendosur atë në histori, mitologji, religjion, dhe për të dhënë kështu “shpjegime” universale për fenomene historike, politike a kulturore. Aftësia e tij për t’i rrokur temat në tërësi, dhe për ta mbajtur lexuesin peng gjatë gjithë leximit, është tipar karakterizues i prozës së tij.

Kadare: Shkrimtari dhe Diktatura

PeterMorgan, studiues dhe njohës i veprës së tij, në monografinë përmbajtësore e të shkruar me informacione, dije e kulturë “Kadare: Shkrimtari dhe Diktatura 1957-1990”, shkruan: “IsmailKadare nuk na lejon të harrojmë lehtësisht.” Në këtë referencë, qëndron thelbi i letërsisë së tij. Kadare shkruan një letërsi që lufton harresën, një letërsi për kujtesën. Shkrimtari betejën me harresën e ka në dy aspekte: kur shkruan për tema të historisë së lashtë dhe për temat e zymta në Shqipërinë staliniste. Të parën e bën për t’ua kujtuar shqiptarëve lidhjet kulturore të shkëputura nëpër kohë dhe për t’ua mbajtur gjallë krenarinë, ndërkaq të dytën, nëpërmjet aluzioneve, për të treguar ferrin komunist në Shqipërinë staliniste.

Në monografinë e tij, Morgan letërsinë e Kadaresë e vështron brenda kontekstit historik e kulturor të shqiptarëve. Kadare, kur shkruan vepra letrare, me vetëdije shtegton nëpër histori, mitologji, religjion e politik.

Ky studiues, duke e vlerësuar rolin e autorit në Shqipërinë e zymtë pohon se Kadare është zëri i Shqipërisë moderne dhe këngëtari i identitetit të lashtë. Ky dyzim është kyçi i jetës, reputacionit dhe veprave të tij. Në fakt, studiuesi Morgan, me këtë përkufizim ka përmendur nyjën nevralgjike ku gjallon vepra e Kadaresë, e që endet mes përfaqësuesit të Shqipërisë moderne dhe këngëtarit të identitetit të lashtë shqiptar.

Kadareja shfaqi kundërshtimet e tij ndaj komunizmit nëpërmjet letërsisë dhe jo në fushën e doktrinës apo ideologjisë – vlerëson Morgan. “Ai e shprehu sfidën e tij nëpërmjet paraqitjes së zymtësisë në jetën e përditshme në socializëm dhe përmes evokimit të fuqishëm të Shqipërisë së lashtë, më të qëndrueshme se ajo e Enver Hoxhes.” Gjithnjë sipas Morgan, Kadare këtë e bën bazuar në gjetjet arkeologjike, me çka e “vendos kulturën iliro-shqiptare në një sfond të përbashkët parahistorik greko-ilir në gadishullin Ballkanik, përpara ardhjes së sllavëve.” Për të përforcuar tezën e tij, ky studiues citon Jean-PaulChampseix, i cili pohon se Kadare u mundua të shpëtonte identitetin kombëtar shqiptar, të cilin stalinisti Hoxha e shkatërroi, duke dashur të ndërtonte një Shqipëri sipas imagjinatës e ideve të tij.

Identiteti i letërsisë së Kadaresë është në relacion me kulturën e vendit të tij, me atë të hershmen, të fismen, rrënjët e së cilës autori i kërkon dhe i gjen në themelet e civilizimit perëndimor. Mirëpo, një tjetër relacion e formëson letërsia e tij me diktaturën. Beteja e Kadaresë me diktaturën është në thelb letrare e kulturore. Ai nuk zhvilloi betejë politike, me mjete e veprime politike. Derisa diktatura mbillte farën dhe formonte njeriun e ri, të moralshëm, pa vese, të përgjegjshëm para rendit të ri, ideal, Kadare shkruante një letërsi tjetërfare, ku njeriu bashkëkohës i tij shfaqej amoral, i shthurur, me vese e përplot mungesa. Njeriu i ri komunist, në veprën e Kadaresë shpërfaqet me shëmti të panumërta, një karikaturë ideologjike, teksa në anën tjetër, lartësohet shqiptari ideal i lashtësisë. Shqipërinë e kohës e shpërfaq me fytyrën e shëmtuar, ndërkohë që në sfondin e saj e shohim Shqipërinë e përhershme, mitike, atë të legjendave, ndërkohë që konteksti i teksteve të caktuara, alegoria dhe intenca, lexohen edhe në kontekst të kohës së shkrimit.

Përfundim

Kadare ka dëftuar se ka talent të jashtëzakonshëm për ta mbajtur pezull lexuesin, duke e shëtitur mjeshtërisht nëpër kohë dhe hapësirë. Dhe bashkë me galerinë mahnitëse të personazheve të tij, lexuesi zbulon gjithmonë mënyra të reja të perceptimit të universit tonë. E duke pasur si topose temat e dramat ballkanike, autori atyre gjithmonë iu jep një përmasë homerike të rrëfimit, ku konflikti është gjithmonë prezent, e ku domosdoja që ai të zgjidhet, është në përkim me kërkesat e artit letrar, drejt efekteve të katharsisit.

Kur e lexojmë veprën e Kadaresë, ne pyesim “a ndikon letërsia që ta kuptojmë një ide tjetër për historinë?”

E përgjigjen e jep vepra e tij e pasur e cila dëfton se letërsia dhe ligjërimi letrar, ka tagër që të dëshmojnë një ide tjetër për historinë dhe kulturën.

Kadare me veprën e tij e krijoi hartën kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo përfaqëson kombin shqiptar anekënd botës.

Ai shkroi tekste artistike të predestinuara për t’u rezistuar kohëve dhe për t’u hyrë në përjetësi.

Sepse krijimtaria artistike e Kadaresë e jep një alternativë të përhershme për Shqipërinë komuniste dhe jo vetëm për të. Ajo e jep një alternativë të përhershme për Shqipërinë kulturore e shpirtërore. Nga penda e tij mjeshtërore e kuptojmë më mirë edhe Shqipërinë kulturore dhe identitetin e saj të lashtë, të thadruar përbrenda në një vepër letrare me peshë dhe shtrirje planetare.

Please follow and like us: