Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëdhima sulmon Bollinon: Intrigant e mashtrues, shpif me mediat e tij

Dikur ishin ortakë në televizionin A1 Report, por sot janë armiq me njëri-tjetrin. Koço Kokëdhima ka sulmuar së fundi botuesin e shqiptarja.com dhe Report Tv, Karlo Bolinon.

Reagimi i ashpër i Kokëdhimës erdhi pasi mediat e Bolinos akuzonin kandidatin për kreun e PS-së në Himarë, Ilir Gjicali si person me precedent penal.

Gjicali mbështetej nga Kokëdhima. Sipas ish-deputetit dhe koordinatorit të PS-së në qarqet Vlorë-Gjirokastër, Karlo Bolino është një spekulant dhe mashtrues, që nuk ka të krahasuar me Ilir Gjicalin.

Më poshtë reagimi i Kokëdhimës.

“Jam informuar mbrëmë për një publikim që bënë mbrëmë mediat e Bolinos, ku e paraqesin Ilir Gjicalin si njeriun tim, si të përzgjedhurin tim dhe si njeriun që është mbrojtur me zjarr dhe me këmbëngulje nga unë në kryesinë e PS-së së Shqipërisë. Së pari, dëshiroj të them se Bolino është një gazetar perëndimor, ka përvojë punë në “Ansa” dhe ndoshta edhe në gazeta të tjera në tregun e shtypit italian dhe e di mjaft mirë se të shpërndash intriga, spekulime dhe mashtrime është një mëkat jo i vogël për njerëzit që bëjnë media. Fakti që Bolino, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, merret me intriga dhe shpërndan informacione tërësisht të pavërteta, tregon se ai është i motivuar në interesa për t’u përfshirë në këto intriga dhe shpifje. Gjicali si qytetar është i imi aq sa është i Nishanit, sa është i Ramës, sa është i Metës, aq sa është i Berishës, aq sa është i çdo shqiptari tjetër. Si socialist, Gjicali është i imi aq sa është i Ramës, sa është i Rucit, sa është i çdo socialisti dhe drejtuesi të PS-së tjetër. Ai ka qenë aktivist i PS-së përpara se sa unë të vija në PS dhe në politikë. Unë i kam njohur që të dy, edhe Bolinon edhe Gjicalin, dhe mund të them opinionin tim se Gjicali është një burrë me shumë vlera, madje qëndron shumë më lart nga vlerat e veta se sa Bolino. Kështu që nuk mendoj se duhet të bëhet rasti i tij një rast për sulme të paprecedenta, as për llogari të sulmeve që bëjnë ndaj meje kundërshtarët e mi politikë, dhe as për arsye të tjera”, tha Kokëdhima.

Please follow and like us: