Albspirit

Media/News/Publishing

BOTTICELLI, SIMONETTA DHE MIKEL MARULI

Luan Rama

Mitet i kanë krijuar njerëzit që në mugëtirat e kohës. Dhe Sandro Botticelli krijoi një ndër to, mitin e bukurisë, atë që në frëngjisht më shumë se “Beauté” do të ishte “Grâce” d.m.th. “Hire”, pasi kjo është diçka më shumë se bukuria, të cilës Umberto Ecco i ka kushtuar së fundi një libër me refleksione. Është “Hirësia” që të lë pa fjalë dhe ti thua: “Ja një vajzë më shumë se një engjëll”. Dhe është e habitshme që gjashtë shekuj më vonë ajo hirësi e ngritur në piedestal nga Botticelli, pikturuar me dritë yjesh të shuar shekuj më parë, qëndron po me atë dritë të fortë. Por krijimi është një pasion më vete dhe shpesh artistit i qëllon të dalë jashtë vetes së tij, atje, jashtë hapësirës dhe kohës, të tjetërsohet, në atë gjendje që na kujton notat e Mozart që në shtrat, në delir e gjysmëjetë, krijonte një nga kryeveprat e tij, të fundit, Mesha në Si. Pra Botticelli (1445-1510), jetoi aq shumë me modelin e tij, sa ai i harroi dimensionet fizike, të hapësirës e kohës, duke përjetuar në vetë modelin dhe hiret e saj. Kjo ka ndodhur me Botticelli-n dhe Simonetta Vespucci, gjenovezen e lindur në Porto Venera të Gjenovës, “la bella Simonetta” siç e thërrisnin apo ndryshe “Ajo pa një të ngjashme tjetër”, e martuar në moshën 15-vjeçare në Firence, në oborrin e Laurentit të Mrekullueshëm me një nga fisnikët e mëdhenj, Marco Vespucci. Duket se kjo figurë, edhe pse disi e ftohtë dhe pa dramacitetin që gjen më vonë te një Rembrandt apo Goya, etj, duket se ka të ngjizur brenda vetes bukurinë, hirësinë dhe sensualitetin, çka bënte ta adhuronin gjithë fisnikët e Firences së asaj kohe, por së pari, Botticelli, i cili e pikturoi atë. Nëse Botticelli para se të vdiste në vitin 1510, kërkoi ta varrosnin në këmbët e varrit të saj në kishën “Ognisanti” të Firences, kuptohet dashuria e madhe e artistit që e kishte të pamundur të shkëputej nga imazhi i modelit të tij edhe pse ajo kishte vdekur që më 1476, në moshën 23-vjeçare. E dhembshme për artistin vdekja e modelit të adhuruar në çdo detaj të trupit dhe shpirtit, tretja e atij trupi të kolmë me flokët e derdhura dhe shkëlqimin e syve, mishërimin e Venusit dhe të Pranverës, me gjithçka që merrte frymë e pulsonte, me gjinjtë, qafën dhe linjat femërore të saj, të cilat ai i përjetoi atje në atelierin fjorentinas. Ishte e adhuruara e tij, hirësia, magjia, idhulli, “eternita”… Ajo i rishfaqej gjithnjë, atje mbi telajo, merrte frymë gjithnjë.
Rreth 35 vjet rresht, Botticelli jetoi me modelin e tij prej mishi e gjaku, ku megjithatë asgjë nuk ishte shuar, por ishte rishfaqur, rilindur, duke e pikturuar vazhdimisht në telajot dhe afreskët e tij të mëdha, si Tri Hiret, (Pranvera), Pallas dhe Centauri, Vdekja e Procris, Venusi dhe Marsi, Portreti i një gruaje fjorentinase… Ah, gjithnjë ajo, përherë, në dritë të dielltë dhe argjendin e hënës, si në një poemë të kantikëve hebraikë. Edhe pse kishte vdekur, Simonetta rishfaqej me po atë fytyrë e ngjashme me veten dhe simotrat e saj të afreskeve të tjera, pasi artisti s’mund të bënte dot pa të, Simonetta e ngjizur përjetësisht në kristalinën e syve të tij, e vdekur dhe e gjallë. Simonetta Vespucci ishte magjistarja e përjetësisë, edhe pse burri i saj Marco, do të martohej një vit pas vdekjes së “la bella Simonetta”, modelit-princor. Fisnikët nuk i falen më hirësisë së vdekur, artistët po. Asnjë nga të gjallët e Firences së asaj kohe nuk kujtohet më. Historianët padyshim flasin për familjen Medicis, princët dhe luftërat e Italisë. Por arti është gjithnjë në ballë të kujtesës. Sandro Botticelli ishte alkimisti i kthimit në jetë të njeriut, shpirtit, alkimisti i Renesansës, i cili parapëlqente okrën, të verdhën, blunë e lehtë të qiellit, të kuqen veneciane apo violetën që rikrijonte mitin, apo jo?! Ishte dashuria që shtynte penelin e artistit, jo dora e tij, ishte si një lloj urdhri mesianik, peneli që s’donte të ndahej nga modeli, thua se nesër do të ishte dita e fundme dhe s’do të mund të pikturonte më. Ishte pikërisht ky portret që një ditë më shtyu të shikoja atje në Firence, në “Gallerie dei Ufficci”, ku gjeniu qëndronte gjithë hire me krijesat e tij. Dhe ti mund t’i adhuroje me rradhë, duke filluar me Pranverën (1478-1482), Lindjen e Venusit (1485), Pallas dhe Centauri (1482), Kthimi i Juditës, (1470) pikturuar në dru, duke u kthyer nga lufta me gjeneralin armik që donte të pushtonte dhe shkatërronte qytetin e saj, Betuli. Është një kthim triumfues, me kokën e tij të prerë në shportë, sipër kokës, dhe shpatën e saj në dorë, një tablo kjo që të mbërthen sapo e pikas… Gjithçka ka hire dhe dinamikë, lëvizje.

Sandro Botticelli apo Alesandro di Mariano di Vanni Filipeppi, ishte biri i një regjësi lëkurash dhe ai u mbiquajt “Botticelli”, pasi të vogël atë e thërrisnin kështu, çka do të thoshte “fuçi e vogël”. Me sa duket do të ketë qenë një fëmijë i shëndoshë. Kur u rrit, i ati e dërgoi të mësonte pikturën pranë mjeshtrit të madh fiorentinas Filippo Lippi, një murg, dhe ja pse pikturat e para të Boticelli-t fillojnë me temat fetare, biblike. Kur Lippi u largua nga Firence, Boticelli nisi të marrë porositë e para nga fisnikët më të mëdhenj dhe ishte pikërisht kjo kohë që ai realizoi ndoshta veprat e tij më të mëdha, apo ato vera që do të quheshin “piktura profane” si Pranvera për pallatin e Lorenzo di Medicis, Venusi dhe Marsi për pallatin e finikut Vespucci dhe më pas Lindja e Venusit po për Medicis. Më 1480 pas sulmeve të ushtrisë së Vatikanit mbi Firencen dhe nënshkrimin e paqes midis dy shteteve, Papa Sixte IV lançoi idenë e ndërtimit të një shapele gjigande në Romë, “capella magna”, e cila do të quhej më pas “Sikstina”. Për zbukurimin kubesë dhe e mureve të saj ai ftoi piktorët më me emër të asaj kohe, mes të cilëve dhe Botticelli-n. Gjatë dy viteve (1481-1482), Botticelli realizoi katër afreske të mëdha me temën biblike duke filluar me Zemërimin e Moisiut e duke vazhduar më pas me Tundimi i Moisiut, Tundimi i Krishtit dhe së fundi Zemërimi i Jezu Krishtit. Kur u kthyenë Firence, ishte fisniku Pucci, i cili i kërkoi t’i realizonte katër tablo mbi dru për dekorimin e salloneve të pallatit të tij, i ngacmuar nga Decamerone i Bocaccio-s. Bëhet fjalë për ciklin Onesti, me historinë e gruas që kishte tradhtuar Princin, që kishte ikur nga kështjella, që ishte përndjekur, ndëshkuar dhe që ishte risjellë përsëri në dhomën bashkëshortore. Veç tablove të mëdha, në këto vite Botticelli pikturoi jo pak portrete si ajo e Simonetta-s, Portret gruaje, Dante Aligheri, Santo Agostino, Lorenzo di Medicis, Giuglio di Medicis, Pietro di Medicis, etj. Midis tyre dhe një portret disi të veçantë, ajo e stradiotit Michele Marullo Tarcaniota, i cili ishte njëkohësisht dhe një poet humanist latin që me elegjitë, epigramet dhe himnet e tij do të influenconte shumë poetët italianë dhe francezë, mes të cilëve dhe Pierre Ronsard.

Mikel Maruli (Marullo Tarcaniota)

Ky portret me dimensionet aktuale 49×35 cm dhe që gjendet në një koleksion të Barcelonës dhe ekspozuar në muzeun “El Prado”, të imponohet menjëherë me qëndrimin e tij burrëror, ku janë pleksur tiparet e një luftëtari, letrari dhe fisniku. Në kohën e dyndjeve osmane, Tarcaniota, një stradiot i ardhur nga Peloponezi, si shumë stradiotë të tjerë të ardhur nga Arta, Nafplio, Durrësi e Shkodra dhe vende të tjera të dominimeve veneciane, kishte zbarkuar më së fundi në bregun tjetër italian, në Napoli, ku dhe përpunoi shijet e tij letrare. Historianët nuk e përcaktojnë nëse ishte një epirotas, një shqiptar i Greqisë (siç shkruan dhe një shkrimtar i sotëm italian, Giovanni Dall’Orta), apo pinjoll i një familje të vjetër bizantinase, i lindur në Kostandinopojë dhe i ikur që foshnje me familjen e tij, në kohën kur Konstantinopoja u pushtua. Sidoqoftë, ai ishte një stradiot i fesë ortodokse, siç ishin shumë të tjerë të ardhur nga shqiptarët e Greqisë. Nëna e tij, Efrosina, ishte nga Tarcanio e Moresë. Studjuesi Ronald Lightbown në një botim të rëndësishëm të krijimtarisë së Botticelli-t, (“Botticelli” ed. Citadelles), n’a tregon për udhëtimin rokambolesk të kësaj tabloje, një histori e ngjashme me atë të stradiotit tjetër Mërkur Bua, të pikturuar nga Lorenzo Lotto, siç u përcaktua më vonë. Ai shkruan se portreti është hequr nga suporti i tij i parë dhe është ngjitur më pas në një pëlhurë nga një restaurator rus, A. Sidorow, kur kjo tablo gjendej në muzeun “Ermitage” të Shën Petersburgut, në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Fillimisht për këtë portret që restauratori rus e kishte prerë në anët e saj, duke i zvogëluar dimensionet, (origjinali, 51×37,8cm), nuk dihej asgjë. Ai përmendet së pari më 1822 në koleksionin e Serand Lasalle në Munich dhe më pas më 1833, në koleksionin e Auguste de Beauharnais, duka i Lenchtenberg. Meqë vëllai i dukës, Maksimiliani, u martua me një nga vajzat e carit të Rusisë, ai e mori me vete këtë tablo. Më 1904 e gjejmë te Georges Nikolaieviç, duka i Leuchtenberg, pastaj te Sulley and Co’, në Londër. Tabloja vazhdonte të udhëtonte pa ditur se e kujt piktori ishte. Ajo u ble në Londër nga Eduard Simon, u transportua në Berlin e më pas, më 1929 u ble nga Don Francisco Cambo i Barcelonës, çka dhe u trashëgua më pas nga bija e tij Dona Helena Cambo de Guardans, ku është dhe sot.
Që kur u zbulua ky portret më 1822, historianët e artit menduan se kishin të bënin me një vepër e Masaccio-s. Por ndryshe nga E. Förster, studiuesi tjetër Rumohn këmbëngulte se ishte e Filippino Lippi. Më 1896, studiuesi tjetër F. Harck mendoi se ishte e Botticelli-t, tezë që u mbështet më pas, më 1906 nga historiani F. Laban. Ishte studjuesi tjetër Berenson që përcaktoi përfundimisht se kishim të bënim me portretin e Michele Marullo Tarcaniota, duke krahasuar dhe me portretin tjetër të Tarcaniota-s që ndodhet në koleksionin e Paolo Giovio, e 1754, si dhe kohën e realizimit të portretit që koinçidonte me kohën kur Tarcaniota ishte në Firence si një nga miqtë e afërt të princit Lorenzo Pierfrancesco di Medicis. “Ne e dimë se Marullus ishte në Firence nga 1489 deri më 1494, – shkruan studiuesi Lightbown, – çka përkon me datën e realizimit të portretit, bazuar dhe në faturën e pagesës…”. Murullus luftoi bashkë me stratiotët e tjerë si Nikola Ralli etj, të ardhur nga Peloponezi, madje ai dhe Konstantin Araniti ndoqën mbretin francez, Charles VIII, të gatshëm për të bërë kryqëzatën për çlirimin e Kostandinopojës, ku mbreti me ushtrinë e tij dhe shqiptarët do të zbriste së pari në Vlorë) Nga portretet e stradiotëve shqiptarë ruhen edhe disa portrete të tjera që ndodhen në muzetë e Londrës, por që nuk janë përcaktuar se cilët janë piktorët, autorë të tablove dhe cilët janë emrat e këtyre luftëtarëve të famshëm që luftuan si mercenarë për perandoritë europiane, mbretëritë e republikat e Francës së Louis XII, François I e Charles VIII, të mbretit Henry VIII të Anglisë, e perandorit Maksimilian të Gjermanisë, e dozhëve të Serenisimës së Venedikut, në shërbim të mbretit të Napolit, markezëve Sforza etj.
Gjatë pesë vjetëve, Mikel Maruli jetoi jetën intelektuale dhe politike të Firences, ku u njoh dhe me Botticelli-n. Ishte normale që pas Dantes dhe figurave politike të familjes Medicis, Botticelli t’i bënte një portret dhe Marulit, i cili i kishte thurur një sonet Simonetta-s së bukur, hiret e së cilës kishin marrë trajtën e legjendës. Kështu, Maruli qëndroi si model përpara mjeshtrit të madh dhe do të ishte interesant të gjenim gjurmë të bisedave të tyre. Pikërisht në Firence ai ra në dashuri dhe me gruan e tij të ardhshme, Alessandra Scala, vajzën 15-vjeçare të kancelarit të Firences, çka do të krijonte një luftë xhelozie me poetin tjetër të Firences, Poliziano. Pas vitit 1494, Maruli shkoi drejt betejave të tjera, gjithnjë me ëndrrën e tij, siç e thonë historianët, që të çlironte brigjet e Ilirisë, Greqinë dhe të shkonte deri në Kostandinopojë. Madje ai u vu në shërbim të Katerina Sforza-s, e cila e dërgoi si ambasador të saj pranë mbretit francez Louis XII, në Milanon e pushtuar. Por në 14 gusht të vitit 1500, (disa historianë parapëlqejnë datën 10), duke kaluar lumin Cecina me kalë, pranë Volterra-s, meqë lumi kishte shpërthyer nga rrebeshet, ai u mbyt. Është e habitshme që ende dhe sot, ne nuk i kemi përkthyer në shqip nga latinishtja epigramet dhe elegjitë e famshme të tij, ndërkohë që ato i gjen në shumë gjuhë të botës. Në krijimtarinë e Botticelli-t është dhe një portret tepër i ngjashëm me atë të Mikel Marulit, e titulluar “Njeriu me medaljen e Cosimo-s”. Ndoshta duhet të jetë po e Marulit, por që mjeshtri i madh nuk e ka cilësuar në shënimin për të. Përngjasimi është i jashtëzakonshëm.
Kur shohim sot tablotë e Botticelli-t në Firence, Romë, apo në Louvre, në Paris, na rivjen gjithnjë historia e Simonetta-s, e artistit dhe e modelit, apo muzës së tij, kohë kur u krijua një ngjizje me hire të jashtëzakonshme. Mitet duket se krijohen nga ajo që shfaqet në mënyrën më sublime dhe që brenda ka shumë habi e dhembje, që ka hirin tragjik… Mythos në atë “Kashtë Kumtri” ku shkojnë përfytyrime njerëzore të mbinatyrshme që shkëlqejnë me një dritë të jashtëzakonshme mbi jetën e të gjallëve. Pothuaj të gjitha mitet janë krijuar nga ky pikëtakim midis sublimes dhe tragjikes, ashtu siç kthimi i Orfeut për të parë të dashurën e tij Euridice në daljen nga ferri, çka solli humbjen përgjithnjë të saj. Dhe pasi krijon mitin e tij, artisti mund të shkojë, mund t’i mbyllë portat e atelierit të tij, por jo ato të Historisë. Botticelli dhe Simonetta i mbijetuan vdekjes, ashtu siç mbijetuan Leonardo dhe Monalisa, apo Raffaello me Fornarinën, një radhë artistësh të mëdhenj e deri te Modigliani me Jeanne në epokën moderne…/shqip

Please follow and like us: