Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Edhe Kosova në NATO. Mbështesim Shkupin pa mentalitet jugosllav

Gjatë fjalimit të tij në ditën e tretë të punimeve të Asamblesë parlamentare, kryeministri Edi Rama u shpreh se NATO duhet t’i hapë rrugën e anëtarësimit Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi gjithashtu edhe rrezikun rus në Lindje të Europës, duke kërkuar një koordinim të vendeve të aleancës ushtarake për të garantuar sigurinë.

“Integrimi i Kosovës është një domosdoshmëri jo thjesht për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Përgjegjësitë e integrimit nuk mund të kërkohen vetëm jashtë saj. Udhëheqja politike duhet të mbajë barrë kryesore në këtë proces. Institucionalizimi i marrëdhënieve NATO-Kosovë duhet parë si katalizator për të gjithë procesin integrues të rajonit”, tha Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se Shqipëria mbështet edhe integrimin e Maqedonisë në NATO, por me kushtin e vetëm, që ky shtet të shkëputet nga praktika e ish-Jugosllavisë.

“Kemi punuar e do të punojmë, që edhe Maqedonia të ankorohet në kursin euroatlantik. Eliminimi i trashëgimisë jugosllave në praktikën shtetërore mbetet parakusht për të ardhmen e atij vendi, për të cilin Shqipëria është e interesuar që të jetë sa më demokratik, sa më i begatë e sa më i bekuar. Besojmë në potencialin e Maqedonisë. Maqedonia ka mundësinë të projektojë të ardhmen e saj jo mbi formula arkaike të aritmetikave etnike e fetare, por mbi bazën e vlerave të mëdha të lirisë e progresit, si kusht për bashkëjetesën e qytetarëve të lirë. Ngrirja e proceseve të pajtimit të brendshëm vetëm e shton nevojën për mbështetjen e fuqishme nga ana e NATO-s dhe Bashkimit Europian për Maqedoninë”, tha më tej kryeministri Rama.

Edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se Kosova e Bosnja duhet të anëtarësohen në NATO për një siguri më të madhe në rajon.

“NATO duhet të zgjerohet për të mos lënë askënd jashtë. Kosova dhe Bosnja duhet të anëtarësohen në NATO. Është thelbësore që ne të veprojmë të gjithë si një trup i vetëm, që t’u tregojmë të gjithëve se kjo aleancë është e fortë dhe progresi është i mundshëm”, tha Meta.

Turner: S’ka dialog me Rusinë. NATO duhet të rrisë praninë në Lindje

Dita e tretë e punimeve të sesionit të pranverës të Asamblesë së Aleancës atlantiko-veriore iu dedikua projektdeklaratës dhe rezolutës për axhendën e Samitit të Varshavës. Paneli i kësaj të hëne u drejtua nga Michael Turner, president i Asamblesë parlamentare të NATO-s, i cili ndër të tjera tha se Rusia është duke punuar kundër NATO-s.

“Në Ballkanin Perëndimor ia kemi dalë t’i japim fund dhunës. Në vend të luftës e ndarjes kemi ofruar paqe e pajtim. Të gjitha vendet e rajonit kanë përqafuar këtë vizion për paqen e integrimin. Rusia është duke punuar kundër NATO-s, si dhe po përdor forcën kundër fqinjëve të saj. Rusia marshon në Gjeorgji e Ukrainë, dërgon bombardues bërthamorë në bregdet, kur kemi të bëjmë me testimin e kundërshtimeve të reja, çfarë dyshimesh duhet të kemi tjetër? Dialogu nuk është strategji dhe as përgjigje e përshtatshme ndaj agresioneve. Në Varshavë, ne duhet të vendosim të rrisim praninë tonë në Lindje, në mënyrë që të reagojmë. Në Kongresin e SHBA-ve kam kërkuar rritjen me katërfish të fondeve për NATO-n. Por na duhet edhe një nismë europiane për sigurimin, në mënyrë që të kemi të gjitha aftësitë për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë. Duhet të njohim e pranojmë, që kriza e refugjatëve mund të zgjidhet duke rritur stabilitetin në Irak, Afganistan e Siri”, tha Michael Turner.

Please follow and like us: