Albspirit

Media/News/Publishing

Shpërthen Eda Zari: Gazetarë, o të shëmtuar, fajësoni karrocierin kur bëheni kalë, nuk më prishni dot bukurinë e paqes sime

Artistja Eda Zari ka komentuar raportimin që i kanë bërë mediat ngjarjes të saj në lidhje me dhunimin ndaj nënës së saj dhe që u dënua me 6 muaj burg nga gjykata.  Sipas Zarit ky lloj raportimi është një shëmti por që nuk mund tja prishin bukurinë e paqes së saj.

“Shëmtia juaj, o gazetarë dhe gazeta betonieresh, o ti pjesë thashethemexhie e shoqërisë shqiptare, nuk ma prish bukurinë e paqes sime, as dashurinë për familjen, as dashurinë për artin, për të cilin sakrifikoj dhe këndoj me pasion, teksa i mbetem besnike së drejtës dhe urtësisë, të cilën im atë ma ka dhënë me vete: të jem Njeri!”, shkruan Zari në mbishkrimin që i ka bërë shkrimit të saj publikuar ditën e djeshme të titulluar “Shëmtia etike dhe empatia e shtirur”.

Në këtë shkrim Zari thekson se në Shqipëri liria e shfrenuar e të shprehurit e ka shndërruar fjalën e lirë në një mafia të opinionit, duke iu imponuar shoqërisë që ndërgjegjshëm dhe në vobektësi të bjerë dakord me gjithçka.

“Liria e të shprehurit” është, vallë, refreni? Lirinë e shprehjes e keni fituar, tani keni nevojë të fitoni aftësinë për t’u shprehur! Fakt është se në Shqipëri liria e shfrenuar e të shprehurit e ka shndërruar fjalën e lirë në një mafia të opinionit, duke iu imponuar shoqërisë që ndërgjegjshëm dhe në vobektësi të bjerë dakord me gjithçka. Mungesën dhe urinë e të shprehurit lirshëm në periudhën pas diktatoriale shqiptari, por, sidomos, media dhe politika, po e gëzojnë deri në ekstrem! Në këtë mënyrë kjo liri të shprehuri “si qeni kur lirohet nga zinxhirët” është kthyer në liri përbaltjeje, duke ua zënë frymën edhe atyre individëve që këtë liri e përdorin me ndërgjegje personale dhe profesionale.”, shprehet Zari.

Më tej artistja thumbon gazetarët shqiptarë duke përdorur shprehejen: “Mos fajëso karrocierin, kur pranon të bëhesh kalë?”.

“Kthehem dhe pyes gazetarët, punonjësit e mediave në Shqipëri, a e njohin moralin e fabulës: “Mos fajëso karrocierin, kur pranon të bëhesh kalë?” Kësisoj, në fund të muajit, mos pyesni më: Si ndodhi që u bënë tre muaj pa marrë rrogat? Ky është rezultati i fjalës së lirë në Shqipëri, për të cilën duhet trumbetuar me kujë, si dhe të solidarizoheni me kolegët tuaj që pushohen nga vendi i punës, nga drejtimi i emisioneve televizive apo çfarëdo pozicioni tjetër, thjesht sepse duan të jenë profesionistë, të jenë shembull i një gazetarie të shëndoshë! Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, pa kontratë pune, gjëja e fundit që i shkon në mendje është profesionalizmi apo Kodi i Etikës! Madje, një kolege thotë se kjo e fundit u tingëllon si tallje!”, sqaron artistja.

Sipas saj ajo është e sigurt që  fjala e saj do të shitet sërish nëpër gazeta. “Nuk e kam profesion të merrem me replika, as kam kohë të ndërpres artin tim për t’u marrë me përgjigje ndaj mediave. Por sot ma ka ënda të jem luan për një ditë dhe të mos jem dele e dorëzuar përjetësisht ndaj fuqisë suaj poshtëruese. Ju them se gjetët personin e gabuar për ta kryqëzuar, duke e kthyer në shembull diskreditimi në dobi të shoqërisë dhe për ta sensibilizuar atë. Ky akt “raportimi” dhunon, së pari, nënën time, dinjitetin, sferën dhe rehatinë e saj private. Mbi të gjitha, aty ku fillon liria juaj e shtypit dhe e fendëfjalës suaj, aty hoqët të drejtën e lirisë së saj! Nuk kam folur kurrë për jetën private, për prindërit apo për familjen time, i kam të shtrenjtë, dhe për t’u futur në atë hapësirë nuk shes bileta për askënd! Nuk jam e interesuar të ndjej dhembshurinë apo empatinë sipërfaqësore të askujt. Nëse do të dalë nevoja të bëj një hap të tillë, garantoj se do të jetë në shërbim të shoqërisë për një sensibilizim të përbashkët. Dizavantazhin e krijuar nga një empati e lartë kolektive e hasim shpesh tek shoqëritë e përbëra nga njerëz të cilët nuk arrijnë të merren me nevojat, hallet dhe kujdesin ndaj vetes, por “kujdesen” dhe qasen lehtësisht pranë halleve të huaja, duke i vendosur ato përmbi nevojat reale vetjake, ose duke u kthyer në apostuj të moralit. Këtë përfundim nxora teksa lexoja komentet pas skupit se qeshë dënuar me burgim, komente të cilat, teksa vuanin dukshëm nga mungesa e qytetarisë, më dhanë përshtypjen e një tufe të mërziturish që nuk kishin pasur mundësi të bëheshin subjekt i dhunës hipotetike të ushtruar nga unë.”, përfundon Zari.

Please follow and like us: