Albspirit

Media/News/Publishing

Zbulohen letërkëmbimet që implikojnë kreun e ARRSH

[youtube https://www.youtube.com/watch?v=6SXnX9o9Omg?feature=oembed]

Letërkëmbimet e Kompanisë “PIENVIS” me Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe firmën “Salillari”nxjerrin në dritë të tjera fakte mbi implikimin e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika në skandalin e moszbatimit të vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, për vendosjen e parmakëve në vendin ku ndodhi aksidenti me dy fëmijë të vdekur, të shtunën e 7 Majit.

Këto dokumenta faktojnë se si Dashamir Xhika reagoi brenda 2 ditësh, për një kërkesë të firmës “PINEVIS” për të mos lejuar vendosjen e parmakëve mbrojtës para karburantit të saj, në një kohë kur për dy vjet me radhë fshehu vendimin e gjykatës dhe nuk nxorri asnjë urdhër të vetëm për ta zbatuar atë.

Më 5 gusht 2014 “PIENVIS” i kërkon firmës Salillari që kishte nisur vendosjen e parmakëve anësorë metalikë që të mos i vërë ata përpara karburantit, në mënyrë që të mos bllokonte hyrje-daljet në rrugën kryesore, sipas një vendimi të Gjykatës së Kavajës së vitit 2011, që në fakt e kishte humbur efektin.

Një ditë më vonë, më 6 Gusht, Salillari i përgjigjet duke e sqaruar se punimet i kryen vetëm në bazë të projektit të miratuar nga ARRSH dhe se zbaton vetëm udhëzimet e këtij institucioni sipas kontratës.

Nisur nga kjo shkresë, “PIENVIS” vë në lëvizje menjëherë Autoritetin Rrugor Shqiptar. Dhe shihni se në ç’kohë rekord i kthehet përgjigjja. Brenda 2 ditësh, më 8 Gusht, një shkresë që mban emrin e Dashamir Xhikës i drejtohet kompanisë Salillari, të cilës i kërkohet të mos i vendosë parmakët e tipit H 3 në hyrje -dalje të karburantit në pronësi të shoqërisë “PIENVIS.”

Ky reagim i zellshëm i Drejtori të Autoritetit Rrugor Shqiptar do të ishte për t’u përgëzuar nëse me të njëjtën shpejtësi ai do të kishte kërkuar respektimin e vendimit të Gjykatës Administrative të apelit për këtë çështje.

Kjo gjykatë e dha vendimin më 1 Korrik të vitit 2014, një muaj përpara se Dashamir Xhika t’i drejtohej me kërkesë kompanisë Salillari. Por ai nuk u respektua asnjëherë. Nga zyra e Dashamir Xhikës, titullarit të institucionit që u përball në gjyq me firmën “PIENVIS”, nuk iu kërkua asnjëherë kompanisë së ndërtimit që t’i vendoste parmakët metalikë anësorë, sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës.

Ndryshe nga sa reagoi me shpejtësi për të ndihmuar firmën private “PIENEVIS”, të babait të një drejtori të rëndësishëm të Ministrit të Transporteve Edmond Haxhinasto, Dashamir Xhika e mbajti të fshehur vendimin e gjykatës, duke u bërë shkaktar që aksidenti i 7 Majit të përfundonte me dy fëmijë të vdekur.

 

Please follow and like us: