Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria si asnjëherë tjetër, lajm botëror: ISMAIL KADARE dhe NATO

 


Shqipëria si asnjëherë tjetër, lajm botëror: ISMAIL KADARE dhe NATO

Mes NATO-s dhe Ismail Kadaresë nuk ka ndonjë lidhje direke. Ajo që i bashkon dy emrat është Shqipëria. Në dy ditë këto kanë qenë dy lajmet më të mira për vendin. Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar u vlerësua me çmimin më të lartë që Franca mund të japë: “Komandant i Legjionit të Nderit”. Ndërsa NATO, organizata më e madhe ushtarake dhe politike në botë, zgjodhi Tiranën, si kryeqytetin ku zhvilloi mbledhjen e Asambleja Parlamentare e saj. Janë nga ato ngjarje që kanë rëndësi të jashtëzakonshme, sidomos kur vjen fjala për vende si Shqipëria, që kanë probleme me imazhin dhe në mediat ndërkombëtare janë gjithmonë në rubrikën e kronikës së zezë. Dje Shqipëria ka qenë në lajmet ndërkombëtare, jo si vend problematik, por si një shtet ku diskutohen projektet e sigurisë globale dhe si një vend që importon kulturë.  Le ti marrim me radhë.

kadare-6

Në karrierën e tij Ismail Kadare ka marrë mjaft çmime ndërkombëtare në Itali, Spanjë, Angli dhe Francë, por vlerësimi i djeshëm “Komandant i Legjionit të Nderit” është më i veçanti. Është ndër titujt më të lartë që ka shteti Francez dhe zë fill me Napoleon Bonapartin në vitin 1802. Ajo që e bënë më të veçantë këtë vlerësim ishte ceremonia. Shkrimtarit shqiptar titulli ju dorëzua nga vetë Presidenti Francez Fransua Holland me një ceremoni të veçantë enkas për gjeniun e letrave shqipe në pallatin presidencial “Elyse”. Zakonisht dhënia e këtij çmimi bëhet për disa figura njëherësh dhe dorëzimi bëhet nga protokolli i presidencës. Me Ismail Kadarenë Presidenti Holland, sipas mediave franceze, bëri përjashtim duke i dorëzuar personalisht çmimin në një ceremoni të veçantë.

“Komandant i Legjionit të Nderit” është një medalje që i bën nder shkrimtarit gjenial, por njëherësh është dhe një medalje që i vendoset Shqipërisë. Në kryeqytetin e kulturës botërore, Shqipëria përfaqësohet denjësisht me kulturë dhe me shkrimtarin më të mirë të të gjitha kohërave.  Është nga ato ngjarje që e rendit vendin tonë mes vendeve që prodhojnë kulturë dhe njerëz të kalibrit ndërkombëtar. Njerëz si Kadare janë ndër të paktët që i kanë dhënë vendit dinjitet dhe tregojnë se Shqipëria është pjesë e Europës jo vetëm gjeografikisht, por edhe si mentalitet dhe kulturë.

E një tjetër karakteri nga ceremonia në Francë ishte mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shqipëri. 260 parlamentarët e aleancës së Atlantikut Verior diskutuan për tre ditë në Tiranë, lidhur me sfidat e sigurisë. Mesazhet e kësaj konference kapërcejnë kufijtë e vendit tonë dhe Europës.Asambleja diskutoi rrezikun e terrorizmit, luftën kundër shtetit islamik, marrjen e masave ndaj qëndrimeve të Rusisë dhe projektet e sigurisë së Aleancës. Shqipëria në zhvillimet globale ka një rol tejet minimal, por një aktivitet si ky i tre ditëve të fundit bën që bota të kthej sytë dhe nga Tirana duke marrë mesazhe pozitive. Mesazhi i parë ka të bëjë me sigurinë. Një takim i Asamblesë së NATO është një çertifikatë sigurie për vend si Shqipëria. Jep mesazhin e një vendi normal, pavarësisht problemeve që mund të ketë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Mesazhi i tyre është besueshmëria e Shqipërisë si partner i NATO. Shqipëria ka vetëm 7 vjet pjesë e Aleancës dhe takimi i nivelit të lartë të Asamblesë është garanci se Shqipëria nuk shihet me inferioritet si anëtare më e re e NATO-s.

ter

Mesazhi tjetër ka të bëjë me kapacitetin e Shqipërisë në aktivitete të tillë. Deri dje edhe festivalet artistike ndërkombëtare kanë pasur probleme teknike në terren për tu zhvilluar në Shqipëri. Jemi cilësuar si një shtet pa infrastrukturë dhe kapacitete teknike dhe sigurie për të pritur delegacione nga dhjetëra vende. Asambleja e NATO-s vlen edhe në këtë pikë si një histori suksesi. Autoritetet shqiptare menaxhuan me sukses dhe pas asnjë incident një aktivitet global të rëndësisë së jashtëzakonshme. Një meritë që shkon për kreun e Parlamentit shqiptar Ilir Meta që organizoi dhe menaxhoi situatën, si dhe për Qeverinë që dha mbështetjen financiare, për një aktivitet ku vetëm salla e mbledhjeve kushtoi rreth 330 milionë lekë.

Në llojin e tyre, NATO dhe Kadare ishin dje dy lajme të mira për Shqipërinë. Shqipëria citohej këto ditë në mediat ndërkombëtare si vendi nga vinin deklarata për sigurinë dhe forcimin e aleancës së NATO-s. Reklamë e mirë, bile falas, për një shtet që shpreson tek turizmi. Ndërsa Kadare edhe një herë dëshmoi se i ka dhënë këtij vendi më shumë se kushdo tjetër, dinjitet dhe kulturë.

KADARE dhe NATO, ishin kryelajmi këto dy ditë.

 

Please follow and like us: