Albspirit

Media/News/Publishing

Të vërtetat e “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit”

 


Të vërtetat e “grupit armik të Teme Sejkos dhe Tahir Demit”

65 të dënuar, 13 të pushkatuar, 9 vdiqën në burg, 4 me vdekje që iu kthyen në 25 vjet dhe mbi 1000 vite burgim

Nga Hyqmet Zane

Kanë kaluar 55 vjet nga ajo ditë kur një trupë gjykuese me dëshirë kriminelësh, i dhanë vendimin më kobzi 65 pjesëtarëve të komunitetit çam me të ashtuquajturin “grup armiqësor i Teme Sejkos dhe Tahir Demit. 28 maji 1961 ka hyrë në historinë e shqiptarëve si një megagjyq me dënimet më të mëdha, me amplifikimet më të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare edhe me radio, me sajesat më absurde të një prokurorie politike me vendime politike, me dënime kriminale më të padëgjuara në historinë kriminale të diktaturës staliniste të Enver Hoxhës.

Janë thënë e shkruar, janë sajuar e imagjinuar, por asnjëherë nuk është thënë e vërteta, si një fshehje e qëllimshme për synime më shumë se të qëllimshme të gatuara në kuzhinat me asortimente greke në Tiranë. Në këtë pikë do të doja të thoja se Mit’hat Frashëri, paska pas të drejtën e Zotit kur është shprehur se “Komunizma është një sëmundje e tmerruar, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por dhe më tepër akoma, zemrën dhe shpirtin e njeriut”.

Ngjarja e kobshme antiçame

Me pamëshirën më të madhe plumbat e pabesisë së pushtetit komunist ranë mbi trupat e djemve shqiptarë nga Çamëria për të vrarë jo vetëm atë grup të cilësuar “armik”, por për të vrarë gjithë komunitetin çam dhe vetë Çamërinë. Ata që e duan dhe e njohin historinë e Çamërisë, edhe pse nuk janë çamë të asaj krahine krenare, ndoshta rekomandimi se Çamëria është e të gjithë shqiptarëve, është një mesazh për të mësuar mirë se kjo histori është e larë me gjak jo vetëm nga pushtuesit nazifashistë, por edhe nga gjenocidi grek dhe më pas do të përfundonte me gjenocidin komunist.

Vetëm pas 10 muajsh arrestimi të atij 28 korriku 1960 në orën 10, hetimi dhe shantazhimi barbar në dhomat e inkuizicionit komunist, diktatori dha verdiktin e pushkatimit të grupit të ashtuquajtur “grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit”. Ka qenë 30 dhe 31 maji i vitit 1961 që togat e pushkatimit do të zbraznin karikatorët e armëve të tyre mbi bijtë shqiptarë të nënave çame. Ishin Teme Sejko, Tahir Demi, Taho Sejko, Shaban Ademi, Avdul Resuli, Ali Xhelo Arapi, Hajri Mane, që pas atij gjyqi të fund majit 1961 do të pushkatoheshin, ashtu siç nuk viteshin as edhe kuajt e jo më njerëzit. Shumëkush ka hamendësuar përmes copëzave të bisedave dhe historive të treguara dhe të shkruara se vrasjet e këtyre djelmëve të Çamërisë kanë qenë të formave të ndryshme dhe në vende e kushte të ndryshme nga më çnjerëzoret dhe makabre. Për Teme Sejkon ka edhe më shumë se kaq, se janë kujtime të njerëzve që kanë qenë edhe dëshmitarë se çfarë mynxyrash nga më të paimagjinueshmet që mund t’i bëhen një njeriu, një shqiptari nga pseudo-shqiptarët, një luftëtari antifashist dhe kundëradmiralit të vetëm që kishte flota shqiptare që përfundoi aq tragjikisht pa nam e pa nishan.

Nuk ishte as i pari e as i fundit Teme Sejko, se edhe të tjerët bashkëkombës të tij, që mbanin edhe grada e pozicione pune për merita të veçanta, asnjëherë nuk janë rikthyer ato vlerësime nga ana e Presidentëve të Republikës së Shqipërisë, si shenjë e rikthimit tek të vërtetat që ekzistonin dhe që u tjetërsuan padrejtësisht. Është harresë apo e qëllimshme, është një zgjatim në kohë i një pushkatimi dhe dënimi të pamerituar që po bëhen nga segmentet e ish sigurimit të shtetit që bëjnë kujdes për të mos vënë në vend dinjitetin e së drejtës morale dhe ligjore të atyre bijve që ishin shqiptarë dhe që u trajtuan si armiq.

Dhe jo vetëm këta, por me pushkatim u dënuan edhe Beqo Plaku, Ilia Gjyzeli, Jorgji Cukali, Nikolla Goçi, Theodhori Vito, që u cilësuan si bashkëpunëtorë të kryetarëve të grupit dhe që ishin sajesat e mendjes tipike greke që kërkonte të zhdukte nga faqja e dheut çdo njeri që ishte intelektual dhe që nuk ishte grek e serb.

Viktimat përballë ekzekutorëve

Për hir të së vërtetës duhet thënë se veç të pushkatuarve, nëse kanë qenë të tilla, se nuk ka as edhe një procesverbal të mbajtur, janë edhe një grup bijsh shqiptarë nga Çamëria që jo vetëm nuk dolën në gjyq, por u trajtuan në atë farë feje që iu mor jeta në dhomat e hetuesive të komanduara nga vetë Enver Hoxha përmes Kadri Hazbiut, Mihallaq Ziçishtit, Nevzat Hasnedarit dhe një farë Rexhep Kolli etj. Taho Sejko, nuk doli në gjyq, u eliminua në fshehtësi, ashtu si edhe Shaban Adem Kalo, ndërsa i mirënjohur komandant i “Çetës Çamëria”, antifashiste, Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë.

Do të ishte fatale për një pjesë tjetër të këtyre bijve të Çamërisë që u dënuan me dënime maksimale dhe vdiqën në burgjet e Burrelit e Spaçit e gjetkë si Sami Murati, Jonuz Purizo, Rushan Hasan Mullai, Dr Aleksandër Kalivopulli, pasi ishin dënuar me nga 25 vjet, vdiqën në burgje në Burrel e gjetkë, ashtu si  dhe Vangjel Xhomaka 25 vjet, vdekur në burg, Yzeir Sollopia, Kostandin Petro Vaso, dënuar me vdekje, kthyer 25 vjet, vdiq në burg, Pandeli Varezi, dënuar me pushkatim, kthyer në 25 vjet, vdekur në burg, Kasëm Karafili, 25 vjet, vdiq në internim.

Gjenerali i nderuar që pati një fund enigmatik, Hilmi Seiti, nuk e pranoi planin ogurzi të sajimit të një grupi armiqësor për të bërë kojën e paraskenuar si përgjigje ndaj social-imperializmit rus pas prishjes. Pa zgjatur as edhe një ditë, thuhet se e helmuan. Kështu tregohet dhe kështu ekzistojnë faktet, se ajo që ndodhi më pas vërtetoi gjithçka : mashtrimin me çdo mjet që justifikonte qëllimin e zi që i vrau dhe eliminoi Teme Sejkos e të tjerë. Ata nuk kanë arritur të besonin se mendjet e shqiptarëve bastard do të shkonin aq larg sa realisht do tu merrnin jetën, vetëm e vetëm se i ishin futur lojës. Sa e sa grupe u sajuan më pas, vetëm e vetëm që të çohej në vend ideja fikse e diktatorit për të eliminuar të gjithë elitën intelektuale shqiptare që nuk u bënë pjesë e strategjisë së UDB përmes emisarëve serbë të saj, Popoviç, Mugosha e Stojniç e sa e sa të tjerëve. Ishte kjo ide që zhduku klerin katolik shqiptar vetëm e vetëm pse ata ushqenin antishkjaun të frymëzuar nga Homeri shqiptar, Gjergj Fishta. Ekziston mendimi se të gjitha të ashtuquajturat “grupe armiqësore” që u eliminuan pas atij nëntori famëkeq 1944, do të ishin ekskluzivisht intelektualë që kishin mbaruar shkollat shkëlqyeshëm jashtë shtetit, ish nxënës të shkollës amerikane të Fullcit, apo që nuk pranuan të viheshin në shërbim të planeve serbe që nga Mustafa Gjinishi e më tej që u bënë viktima të tradhtisë komuniste.

Të vërtetat e pamohueshme

Ishte kjo klikë antishqiptare që në “emër të popullit” vranë, ekzekutuan, varën apo eliminuan pa gjyq edhe këtë grup të Teme Sejkos e Tahir Demit. Ishte i pari dhe i vetmi gjyq që u bë me altoparlantë dhe publik, si shprehje e urrejtjes krahinore që futi vetë Enver Hoxha në mes shqiptarësh. Këtë fenomen nuk mund ta ndalonin as trupa e avokatëve që ishin thjesht formalë, sa për të thënë përballë një prokurori xhahil, si Aranit Çela, që në atë kohë ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe një trupi gjykues që vepronin mbi bazën e urdhrave dhe jo të drejtësisë siç ishin Shuaip Panariti, kryetar i Gjykatës së Lartë, gjen/major Muharrem Kokomani, kol. Sotir Spiro, kol. Bejto Isufi, n/kol. Hilmi Telegrafi dhe sekretar seance Murat Deliallisi. Përballë këtij grupi “armiqësor” të sajuar ishin vetë ata që e kishin sajuar, ishte vetë diktatori dhe sigurimi i shtetit. Ky moment ka qenë bërë publik në debatin mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hasbiut kur do të dënohej ky i fundit.

Eliminimi i këtij të ashtuquajturi grup armiqësor, ishte edhe një avokati e shkëlqyer që qeveria e Enver Hoxhës i bënte tezës greke për eliminimin e elitës intelektuale çame që kishte dalë nga lufta antifashiste dhe që ishin përfaqësuesit e atij angazhimi të kësaj krahine në luftën antifashiste gjatë Luftës II Botërore. Ishte kjo tezë që ende edhe sot e kësaj dite qarqet zyrtare greke e thonë dhe rithonë sa herë që vjen fjala tek Çështja Çame dhe zgjidhja e saj. Është rasti për të thënë se shumë nga ata që u cilësuan armiq ishin në strukturat drejtuese të luftës dhe që së bashku me pjesën tjetër të komunitetit çam të organizuar në Batalionin 4 të Regjimentit 15, përbënin edhe pjesën e rëndësishme të kontributeve të Çamërisë në këtë luftë. Do të doja të fiksoja këtu luftën 55 ditore të Konispolit ndaj forcave gjermane, ku edhe ranë rreth 40 dëshmorë. Ishte një luftë e vërtetë frontale si asnjë luftë tjetër e ta ashtuquajturës ushtri shqiptare. Dhe kjo është meritë e këtij komuniteti, gjë e cila u hodh poshtë dhe u shkel me këmbë nga segmentet pro greke brenda udhëheqjes komuniste shqiptare, të cilat ndikuan ndjeshëm për të hedhur idenë e të ashtuquajturit “bashkëpunëtorë me pushtuesin” të komunitetit çam.

Një vlerësim Presidencial

Për hir të së vërtetës, vetëm Presidenti Bujar Nishani pati kurajën që në mënyrë zyrtare të shprehte publikisht se, “çamët nuk ishin bashkëpunëtorë me gjermanët” aq më tepër që pjesëtarë të këtij komuniteti ishin internuar edhe në kampet e shfarosjes në masë në Gjermani që janë edhe të dekoruar nga Presidenti Alfred Moisiu.

Por më shumë se kaq, tradhtare ishte qeveria e Enver Hoxhës ndaj interesave mbarëkombëtare shqiptare, kur jo vetëm i vrau çamët, por i dërgoi edhe në internimin e Llozhanit në Maliq më 1949, u hoqi shtetësinë greke më 1953 dhe më vonë u hodhi baltë gjithë komunitetit çam, pas pushkatimit të pjesëtarëve të këtij grupi.

Çfarë faji kishin bërë këta bij shqiptarësh që u dënuan dhe u pushkatuan, si pararojë e atij dënimi të madh që i bëri Enver Hoxha gjithë komunitetit çam pas atij 1961-shi? Asnjë faj, por kjo ishte filozofia e një regjimi kriminal që mbeti në pushtet përmes netëve makbethiane ndaj shqiptarëve. Të shkruash për të vërtetat e atyre ngjarjeve që ndodhën 55 vjet më parë, nuk është çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar dhe dokumentuar pabesitë e bëra dhe barbaritë e zbatuara. Ajo që të vjen keq edhe pas 55 vjetësh është fakti se ende edhe sot nuk është hequr balta që u hodh mbi këtë komunitet, por edhe mbi viktimat e tij. Asnjë falje nuk kanë marrë ata 65 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda kufirit shtetëror përfshinë në këtë gjyq në atë fillim të viteve ‘60 me të ashtuquajturit grupe armiqësore inekzistente dhe të sajuara për hatër të antishqiptarizmit serbo-grek të instaluar në kokën e Byrosë Politike të Enver Hoxhës. Kush duhet tu kërkojë falje, shteti, Presidenti, drejtësia apo kush tjetër për mbi 1.000 vjet burgime që u dhanë ndaj këtyre shqiptarëve.

Shumë dokumentacione ekzistojnë për këtë ngjarje tragjike, po aq sa edhe çnjerëzore, por ajo ngjarje makbethiane kërkon një film të tërë që do të ishte tronditës për kineastët hollivudianë, tamam si hebrenjtë e Europës.

Beteja e luftës ndaj çamëve vazhdon në forma dhe në mënyra të ndryshme derisa angazhimet zyrtare qeveritare heshtin para pretendimeve greke dhe para faktit qe pafajësia e këtyre burrave që pësuan fatin më të keq, ashtu si  i gjithë komuniteti çam që vuan pasojat e pabesisë greke dhe komuniste si dhe mosmirënjohjes për kontributet që ky komunitet ka dhënë në këtë Shqipëri për mbi 72 vjet në luftë dhe në punë.

E pilog

Të vërtetat që flasin dhe kërkojnë shpagim me faljen që është domosdoshmëri për t’ua bërë në emër të drejtësisë njerëzore. Ata u dënuan si bashkëpunëtorë me anglo-amerikanët dhe më qesharakja dhe absurdja prej këtyre akuzave ishte se u akuzuan edhe si bashkëpunëtorë me grekët. (?!) Dhe kush, bijtë e Çamërisë që grekët i vranë dhe i dëbuan mizorisht nga trojet e tyre stërgjyshore. Ata meritojnë nderimin shtetëror si ai që bëri Presidenti Bujar Nishani ku Hektor Sejko, djali i Taho Sejkos, një nga ata pasardhës okularë të krimeve, dha mesazhin në emër të familjeve të persekutuar në Presidencë, kur pohoi me përgjegjshmërinë e njerëzve që kanë vuajtur dhe kanë kaluar sprova të mëdha në jetën e tyre, kur pohoi “Ne nuk hakmerremi, por edhe nuk harrojmë “.

1961, 05. 28 – Të dënuar të grupit të Teme Sejkos dhe Tahir Demit

  1. Teme           Sejko            – me pushkatim    – KundërAdmiral i Flotës detare
  2. Tahir Demi            – me pushkatim    – Kryetar i Kom. Ekzekutiv Elbasan
  3. Taho Sejko            – vdiq në hetuesi – Drejtor i Parkut Automobilistik
  4. Shaban Ademi – vdiq në hetuesi – Shef i Organizmit Kom. Ekzekutiv Elbasna
  5. Avdul Resuli           – me pushkatim    – Oficer
  6. Xhelo Arapi            – me pushkatim    – Kryetar kooperativa Konispol
  7. Hajri Mane            – me pushkatim    – Oficer Kufiri
  8. Beqo Plau              – me pushkatim    –
  9. Ilia Gjyzeli   – me pushkatim    –
  10. Jorgji Cukali          – me pushkatim    –
  11. Nikolla Goçi – me pushkatim    –
  12. Theodhori Vito              – me pushkatim    –
  13. Haki Rushiti   – me vdekje 3 herë në mungesë –
  14. Sami Murati          – vdiq në burg, me 25 vjet – Redaktor Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”
  15. Jonuz Purizo          – vdiq në burg, me 25 vjet – Çoban me dhen
  16. Rushan Mullai          – vdiq në burg, me 25 vjet –
  17. Aleksandër Kalivopulli Dr. – vdiq në burg, me 25 vjet –
  18. Vangjel Xhomaka     – vdiq në burg, me 25 vjet – Nëpunës në Min. Bujqësisë
  19. Yzeir Sollopia       – vdiq në burg, me 25 vjet –
  20. Kostandin Petro Vaso – vdiq në burg, me 25 vjet –
  21. Pandeli Varezi – vdiq në burg, me 25 vjet –
  22. Kasem Karafili – vdiq në internim, me 25 vjet –
  23. Skënder Bariu            – me vdekje, kthyer 25 vjet      – Bufetjer
  24. Dervish Sulo, – me vdekje, kthyer 25 vjet      –
  25. Nasho Gërxho – me vdekje, kthyer 25 vjet      –
  26. Gani Tartari          – me vdekje, kthyer 25 vjet      –
  27. Rexho Plaku,           – 33 vjet burg, dënuar 2 herë    – Kunati Teme Sejkos
  28. Xhemal Bali – 27 vjet burg                    –
  29. Zalo Goxhai         – 25 vjet burg                    –
  30. Ali Goxhaj         – 25 vjet burg                    –
  31. Adem Osman Kalo           – 25 vjet burg                    –
  32. Osman Emini           – 25 vjet burg                    – Nëpuns tregtie
  33. Hasan Mero            – 25 vjet burg                    –
  34. Haxhi Bilal       Mullai          – 25 vjet burg                    –
  35. Kadri Saliko           – – 25 vjet burg           -Ish oficer i marinës
  36. Sulo Veshi            – 25 vjet burg                    –
  37. Eqerem Veshi – 25 vjet burg                    –
  38. Miho Shëngjergji   – 25 vjet burg                    –
  39. Petro Duro             – 25 vjet burg                    –
  40. Miço Gogo            – 25 vjet burg                    –
  41. Mushir Plaku            – 25 vjet burg                    –
  42. Lole Dhjamanti    – 25 vjet burg                   –
  43. Luan Goxhai – 22 vjet burg                    –
  44. Qerim Demo           – 22 vjet burg                    –
  45. Lutfi Sejko            – 20 vjet burg                     – Përgjegjës në grumbullim
  46. Mehmet Kadri Bello – 20 vjet burg                    –
  47. Hiqmet Bello – 20 vjet burg                    –
  48. Mero Ali   Plaku            – 20 vjet burg                    –
  49. Lelo Guda            – 20 vjet burg                    –
  50. Pilo Bushi            – 20 vjet burg                    –
  51. Dule Maze       Mullai          – 18 vjet burg                    –
  52. Spiro Gogo            – 17 vjet burg                    –
  53. Asllan Veliu            – 15 vjet burg                    –
  54. Tefik Emin       Mero            – 15 vjet burg                    –
  55. Xhemil Demi – 15 vjet burg                    –
  56. Hasan Plaku            – 15 vjet burg                    –
  57. Taip Kaloshi  – 15 vjet burg                    –
  58. Petro Gogo            – 15 vjet burg                    –
  59. Sotir Taho             – 15 vjet burg                    –
  60. Lole Gogo            – 15 vjet burg                    –
  61. Kaso Agushi   – 15 vjet burg                    –
  62. Syrja Musa       Shehu           – 15 vjet burg                    –
  63. Janaq Gerxho – 15 vjet burg                    –
  64. Nazmi Sulo       Veshi            – 11 vjet burg                    –
  65. Hamit Demi            –   5 vjet burg                    –
Please follow and like us: