Albspirit

Media/News/Publishing

Lu: Gjyqtarë e politikanë mbushin xhepat me para të pista

 Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu, thotë se korrupsioni në Shqipëri është një problem shqetësues.

Duke folur sot në prezantimin e një sondazhi për perceptimin e korrupsionit të mundësuar nga USAID dhe një kompani private, ai tha se korrupsioni i lejon gjyqtarët dhe politikanët të mbushin xhepat me para të pista.

“Të pasurit dhe të fortit e blejnë drejtësinë, ndërsa gratë dhe të dobëtit janë viktima”, u shpreh Lu.

Ai tha se shqiptarët e kuptojnë reformën në drejtësi dhe korrupsionin dhe këtë gjë e kanë treguar studime të ndryshme intensive, lidhur me perceptimin e korrupsionit.

Sipas ambasadorit amerikan, raporti tregon përparim gjatë 11 muajve të fundit, me një rënie prej 13% referuar njerëzve që kanë pasur eksperienca vetjake me korrupsionin.

Lu deklaroi se problemet më të mëdha ndjehen tek udhëheqësit e partive politike, prokurorët, gjyqtarët dhe doganierët.

Ai tregoi se ka pasur një diskutim me një politikan që pretendonte se populli shqiptar nuk mund ta kuptojë në të vërtetë debatin për reformën në drejtësi.

“Sinqerisht kjo është tipike për arrogancën e politikanëve dhe elitës shqiptare që besojnë se vetëm ata janë të zgjuar mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë po ndodh në shoqërinë shqiptare”, tha Lu.

Në nisje të fjalës së tij ai tregoi një histori të një gruaje shqiptare se si një gjyqtar e largoi nga fëmijët e saj.

“Gruaja ishte rrahur prej të shoqit për shumë vite. Pas vitesh vuajtje gjeti kurajon ta linte bashkëshortin në emër të sigurisë së fëmijëve. Kur shkoi në sistemin gjyqësor për të kërkuar drejtësi, gjeti vetëm më shumë vuajtje. Gjykata i dha gjithë pasurinë bashkëshortit të dhunshëm si dhe 2 nga 3 fëmijët e saj. Pse duhet të vendosë një gjyqtar në favor të një njeriu të tillë? Përgjigja e thjeshtë, korrupsioni”.

Please follow and like us: