Albspirit

Media/News/Publishing

Reagimi i MPJ turke për rezolutën: e turpshme, shembull i injorancës

485145

Të “turpshëm” e ka quajtur Ministria e Jashtme turke miratimin sot nga parlamenti gjerman të rezolutës që u vë emrin “gjenocid” ngjarjeve të 1915-ës. “Kjo rezolutë është një shembull i injorancës dhe i mungesës së respektit për ligjin, duke e politizuar historinë, duke e penguar diskutimin e lirë për çështje historike, dhe duke u përpjekur ta imponojë tabunë e vetëkrijuar të narrativës armene si një fakt të padiskutueshëm,” thuhet në një reagim të saj. Pajtimi për ngjarjet e 1915-ës, sipas dikasterit që mbulon diplomacinë turke, ishte i mundur vetëm përmes dialogut, empatisë, e një këndvështrimi të ndershëm. “Me këtë perceptim, Turqia përpiqet të nderojë kujtimin e armenëve otomanë, të ndajë vuajtjet e tyre, ta ruajë trashëgiminë kulturore armene, e të ndërmarrë hapa domethënës për shtrimin e rrugës për pajtim midis dy vendeve fqinje”. Ministria e Jashtme turke deklaron se, “Në këtë pikëpamje, Turqia nuk ka asgjë për të mësuar nga parlamenti i Republikës Federale të Gjermanisë”. Gjermanisë i është kërkuar të mos e politizojë këtë ngjarje historike, të ndodhur 101 vite të shkuara, e të mbajë një qëndrim objektiv e të ndershëm. Presidenti turk, Rexhep Tajjip Erdogan, që ndodhet për një vizitë në Afrikë, ka bërë të ditur sot në një konferencë shtypi se me t’u kthyer në vend do të diskutohen hapat e mëtejshme reaguese ndaj miratimit të rezolutës nga parlamenti gjerman.

Please follow and like us: