Albspirit

Media/News/Publishing

Vlorë, skandali i falsifikimit, në filtër pronësitë e tokave në dy dekadat e fundit

Pas sekuestros së fundit prej 220 ha në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun, ku vlera e tregut arrin në 100 milion euro, hetimet për mafien e tokave në bregdet kanë ngritur dyshimet se pas tyre qëndron një grup i strukturuar kriminal.
Këtë të enjte kryeprokurori Llalla ka zhvilluar një takim në Vlorë me drejtuesin e akuzës Ramadan Troci dhe kreun e krimeve të rënda Besim Hajdarmataj.
Report TV ka mësuar se në këtë takim është vendosur të kalojnë në filtrin e hetimeve të gjitha titujt e pronësisë në bregdetin e Vlorës të fituara dhe regjistruara në hipotekë nga viti 1994 deri në vitin 2012.
Për sekuestron e vendosur në Shën Vasil në prangat e policisë deri më tani janë 5 persona përfshi dhe zyrtarë, si noter, avokat apo përfaqësues të hipotekave.
Ndërkohë, për rreth një vit, bilanci i pronave të sekuestruar arrin në 500 ha përfshi kullota, troje dhe plazhe.
Disa nga pronat e sekuestruara nga prokuroria e Vlorës

palase new31 Maj 2016
Prokuroria e Vlorës ka vendosur nën sekuestro 220 hektarë tokë në zonën e Karaburunit, vlera e të cilës përllogaritet sipas çmimeve zyrtare në rreth 100 (njëqind) milionë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar.

20 Maj 2016
Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestron e një sipërfaqe toke 20 mijë metra katrorë, në zonën e Palermo-Himarë, pasi dyshohet se është përfituar nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar nga ana e shtetasit Vasil Rrapo.

Shtator 2015
Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të një sipërfaqe prej rreth 128 mijë metra katrorë tokë pyjore në zonën e Palasës, në Himarë, me vlerë sipas çmimeve shtetërore 280 mijë euro, e përfituar në bazë të dokumenteve të fallsifikuara nga shtetasi Timotheo Dhimolea, i cili u dënua me 2 vjet burgim.

Shkurt 2015
Prokuroria e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive për një sipërfaqe toke prej mbi 44 mijë metra katrorë, me vlerë tregu rreth 4.4 milionë euro në zonën bregdetare të “Jonufrës” në qytetin e Vlorës, e dyshuar se është përfituar nga pasardhësit e shtetasit Gjon Gjonboçari në bazë të dokumenteve të falsifikuara.

Please follow and like us: