Albspirit

Media/News/Publishing

Zhduket pajisja përgjuese, luftë Prokurori-Qeveri.

Zhduket pajisja përgjuese, luftë Prokurori-Qeveri. Implikohet dhe Italia

imsiProkuroria thotë se pajisja e ardhur nga Italia përgjon celularët dhe të dhënat e përdoruesit. Zbulon se ishte manipuluar që të bënte përgjime të gjera. Shkon ta sekuestrojë, por zhduket ndërsa oficerët prisnin t’ua dorëzonte kryepolici Çako. Gjykata pezullon Drejtorin e Policisë, masë arresti shtëpiakë për dy drejtues të tjerë. Kryeministri sulmon Prokurorinë, asnjë fjalë për zhdukjen e pajisjes. Hesht edhe PD. Ambasadori italian kërkon ta lërë jashtë kësaj historie qeverinë e tij. Rama thotë se zhvillimi i fundit ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet me Italinë

edison kuraniNga Edison Kurani

I ashtuquajtur skandal i përgjimit të shqiptarëve nga policia me pajisje të dhënë nga qeveria italiane, ka precipituar orët e fundit në një konflikt të ashpër Prokurori-Qeveri, duke implikuar edhe autoritetet italiane dhe në zhdukjen pa lënë gjurmë të pajisjes.

Prokuroria e Përgjithshme, në një njoftim të gjatë për shtyp që i shpërndau sot mediave, tha se Prokuroria e Tiranës kërkoi nga gjykata pezullimin nga detyra për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.

Kërkesa erdhi në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisjeje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Kjo pajisje i është dhënë Policisë Shqiptare nga qeveria italiane. Pajisja arrin të kryejë përgjime të celularëve, madje të marrë kodin IMEI, nga i cili mund të përftohen të dhënat e përdoruesit të telefonit, thuhet në hetimet e kryera deri tani.

Gjykata e Tiranës e pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi sot masën ndaluese “pezullim nga detyra” për kryepolicin Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për Artion Duka, Drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.

prokuroriaSakaq, Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.

Ajo tha se hetimi nisi pasi u provua se Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike.

tahiri cakoNga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se kryepolici Çako nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit.

“Kjo pajisje ka hyrë në territorin shqiptar pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla”.

Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.
Nga hetimi del se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të “IMSI Catcher”.

I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ai ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Çako ka deklaruar se pajisja është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë. Por rezulton që në të paktën dy raste, mjeti ku gjendej pajisja, ka lëvizur nga specialisti i F.O, Ention Xhelilaj.

Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pajisjes. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës shkuan në Polici për ta sekuestruar, por pajisja ishte zhdukur 10 minuta pasi oficerët e policisë gjyqësore kishin arritur atje dhe po prisnin kryepolicin që t’ua dorëzonte.

Pajisja është zhdukur nga mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe nuk gjendet më edhe pse u urdhërua sekuestrimi i saj. Këtë e konfirmon zyrtarisht për NOA.al, Prokuroria e Përgjithshme. Zyrtarisht ajo tha se “më 13 maj 2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë hyrë në ato ambiente po atë ditë, midis orës 11.45 dhe 12.00. Çako nuk gjendej dhe oficerët kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në 12.10 nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e F.P.O., automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga këto ambiente në drejtimin e Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi O.P.Gj-të ishin paraqitur në D.P.Policisë me vendimin për sekuestrimin e  kësaj pajisjeje”.

Nga krahasimi i periudhës para datës 12.05.2016 dhe pas kësaj date, Prokuroria dyshon se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të F.P.O. dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

“Artion Duka, – vazhdon njoftimi zyrtar, – në cilësinë e Drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit”.

Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës, thotë Prokuroria e Përgjithshme.
Po ashtu, Duka ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë të gjithë kohës së trajnimit në ambientet e Forcës Operacionale.

Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga Artion Duka është edhe me e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumtim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit IMSI CATCHER nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm.

imsi noa1Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu nga hetimi ka rezultuar se aparati konkret funksionon duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e ligjit 9918 Neni 123/2 (Janë të ndaluara të gjitha format e mbikëqyrjes, përgjimit, ndërprerjes, regjistrimit, ruajtjes, transferimit dhe devijimit të komunikimeve, si dhe të dhënat, referuar pikës 1 të këtij neni (Konfidencialiteti i komunikimit përfshin: a) përmbajtjen e komunikimit; b) të dhënat e trafikut dhe të vendndodhjes në lidhje me komunikimet; c) të dhëna për përpjekjet e pasuksesshme për vendosjen e lidhjes) – përveç rasteve kur kjo është e nevojshme për përcjelljen e mesazheve, të faksit, të postës elektronike, të sekretarisë telefonike, mesazheve zanore, mesazheve të shkurtra apo për rastet e parashikuara me ligj).

imsi noaEntion Xhelilaj, me funksion Specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyre automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknike të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në F.O, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen.

Prokuroria e Tiranës thotë në fund të deklaratës se po vijon hetimet mbi këtë rast, për të provuar, ndër të tjera, edhe zyrtarë të tjerë të lartë që mund të jenë përfshirë në veprimtarinë e dyshuar si të paligjshme të përgjimeve.

Sakaq, Qeveria nuk dha asnjë shpjegim se ku ndodhet pajisja.

Kurse lidhur me pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ndalimin e dy drejtuesve të saj, reagoi kryeministri Edi Rama. Ai sulmoi ashpër Prokurorinë, duke shënuar një tjetër sulm të qeverisë ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë, pas revanshit trevjeçar mbi gjykatat.

“Kjo ndodhi është e pajustifikueshme dhe për Shqipërinë është një tjetër kambanë që bie për emergjencën kombëtare të Reformës në Drejtësi”, – tha z.Rama.Në deklaratën e tij, z.Rama njoftoi dhe një ndjesë publike ndaj qeverisë së Italisë.

“Partnerët tanë kanë të drejtë të ndjehen të lënduar nga përfshirja e tyre indirekte në një hetim absurd si edhe, më zi akoma, nga veprimi ekstrem që ka ndërmarrë sot prokuroria”, thotë z.Rama.

Duke i kërkuar ndjesë italianëve, Rama paralajmëroi se veprimet e prokurorisë kanë dëmtuar bashkëpunimin mes dy vendeve. “Duke u kërkuar ndjesë për këtë “çudi” që e ka dëmtuar jo pak vazhdën e një bashkëpunimi të shkëlqyer, prej të cilit në gjithë këto vite, Shqipëria e shqiptarët kanë përfituar aq shumë, sa kurrë nuk do të mund të lahemi me fqinjët tanë të mirë, dua t’i siguroj miqtë e mëdhenj dhe partnerët e paçmueshëm italianë për mirënjohjen më të thellë e konsideratën më të lartë”.

Në deklaratën e tij, z.Rama nuk dha asnjë detaj se ku u zhduk pajisja që ende kërkohet nga Prokuroria.

Ambasadori italian Alberto Cutillo, ndryshe nga z.Rama beson se hetimi nuk ka lidhje me palën italiane. “Përsa i përket çështjes së përgjimeve, ky është një hetim që i përket policisë shqiptare dhe nuk ka lidhje me autoritetet italiane”, – thotë ai.

***

I ashtuquajturi skandali i përgjimeve, është ndër më të përfolurit aktualisht në Shqipëri. Opozita ishte e para që e denoncoi, por fillimisht qeveria e mohoi. Më pas ajo e pranoi se ekzistonte, por tha se nuk bënte përgjime. Por më vonë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pranoi se pajisja arrinte të merrte dhe kodet IMEI të celularëve. Disa ekspertë thonë se, marrja e kodit IMEI, do të thotë zbërthim të të gjithë të dhënave të një numri celular, përfshirë komunikimet e ndryshme të poseduesit të telefonit.godinaPasditen e të martës, PD kërkoi dorëzimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për t’i hapur rrugë hetimit të plotë.

Në deklaratë, PD kritikon faktin siç thotë ajo, se Edi Rama ka sulmuar Prokurorinë me një letër tipike nga ato që bën për Elvis Rroshin, pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme.

“Edi Rama duhej sot t’i kërkonte ndjesë popullit të tij, qytetarëve, sepse u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme. E në vend të kësaj, ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta beje edhe atë palë në këtë krim shtetëror. Ne e dimë mirë se drejtësia atje, opinioni publik, mediat, shoqëria civile do të reagonin me forcë nëse një pajisje e paligjshme do kishte hyrë në territorin e tyre, pa u deklaruar, dhe do të përdorej pa autorizimin e Prokurorit”, – thuhet në reagimin demokrat.

“Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin, – vijon qëndrimi opozitar, – e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet. Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror. Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme. Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund”, – përfundon qëndrimi zyrtar demokrat.

PD, nuk bëri asnjë koment mbi zhdukjen e pajisjes pa lënë gjurmë.

Kurse deputeti demokrat Arben Ristani, sulmon njëkohësisht kreun e qeverisë shqiptare dhe qeverinë italiane. Në një dalje të posaçme mbrëmjen e së martës në replikë me Ramën, e quajti ironike dhe cinike, “t’i kërkosh të falur italianëve për përgjime të paligjshme që ke kryer në vendin tënd dhe të mos u kërkosh të falur atyre që kanë qenë viktima të përgjimit. Dhe viktima të një përgjimi të paligjshëm, janë qytetarët shqiptarë, politikanë ose jo, gazetarë apo diplomatë”.

***

Fakti që pajisja u zhduk nga zyrat më të larta të Policisë së Shtetit, dhe që qeveria nuk iu bind urdhrit që ta dorëzojë në Prokurori, shihet nga disa, si një ngjarje e rëndë që vjen pesë vjet pasi qeveria e ish kryeministrit të djathtë Sali Berisha, pengoi urdhrin e prokurorisë dhe gjykatës për të ndaluar gardistët e dyshuar për vrasjen e protestuesve në demonstratën që thirri kryetari socialist më 21 janar 2011. Në atë ngjarje, pas dhunës së disa pjesëmarrësve ndaj policisë dhe pushtimit të rrethimit të Kryeministrisë dhe qitjes me armë nga Garda, mbetën të vrarë katër protestues të paarmatosur si dhe u lënduan disa dhjetëra policë dhe civilë. /e.k/noa.al/

 

Please follow and like us: