Albspirit

Media/News/Publishing

S’ka reforma në mbretërinë e horrave

S’ka reforma në mbretërinë e horrave

Çerçiz Loloçi

Reforma në Drejtësi ka hyrë tashmë në një rrugë pa krye për shkak të dështimit të takimit Rama-Basha, megjithëse edhe me miratimin e saj me numrin më të madh të deputetëve, sërish do të kishim një “vrimë në ujë”.
Ky pohim vjen vetvetiu duke marrë shkas nga një tjetër ligj i rëndësishëm: ai i dekriminalizimit, që më shumë ngjan me një farsë se sa me rezultate konkrete.
Në një vend normal demokratik dhe me një prokurori më serioze, ligji i mësipërm do t’i shërbente organit të akuzës që fillimish të arrestonte ata kryetarë partish që u kanë dalë deputetë, kryebashkiakë apo zyrtarë të lartë të inkriminuar. (Pavarësisht se zgjedhja apo emërimi i tyre mund të justifikohet me propozim forumesh, personi që ka firmosur bart edhe përgjegjësinë individuale ligjore sepse i ka dhënë pushtet një individi me rekorde të rënda kriminale).
Pra jo me kryeprokurorin Lalla, por me një prokurori speciale tashmë do të kishim para drejtësisë gjithë zullumqarët në legjislativ, egzekutiv, gjyqësor, media, shoqëri civile, botë akademike dhe universitare,; ata që na kanë grabitur Shqipërinë, që janë pasuruar në mënyrë të padrejtë, që s’kanë lënë gur e mur pa lëvizur për të kaplluar gjithçka: tenderat, fondet publike, emërimet e shkarkimet dhe duke na detyruar të gjithëve ne, në mos sot nesër, të ikim nga sytë këmbët.
Natyrisht se nuk bëhet fjalë për fushatë spastrimesh apo gjueti shtrigash, të ngjashme me ato komuniste, ku rrafshoheshin me dhe pa faj të “zinj e të bardhë”, por vetëm me një kriter për të gjitha nivelet e zgjedhura apo të emëruara: justifiko pasurinë që krijove në këto 25 vjet.
Sipas këtij kriteri, lehtësisht të verifikueshëm dhe jo nga institucione gjoja kushtetuese dhe duke i lënë secilit një proces të rregullt gjyqësor, në burgjet tona nuk do të kishim më fakira dhe njerëz pa mbrojtje, por ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë, gjyqtarë, prokurorë, noterë, doganierë, tatimorë, etj.

Cerciz Loloci's photo.
Please follow and like us: