Albspirit

Media/News/Publishing

Sonita, historia e një vajze nga Afganistani rrëmben kupën e DocuTIFF

sonitaSonita-filmi-1-28Përfundon edicioni i dytë i Festivalit të Filmit Dokumentar DocuTIFF që u mbajt në Tiranë përgjatë 8 ditëve

Historia e Sonitës, vajzës nga Afganistani e cila ia del të ndjekë ëndrrën e saj për të kënduar, në një shoqëri mes luftës dhe konservatorizmit, do të triumfonte si dokumentari më i mirë i edicionit të dytë të DocuTIFF i cili u mbajt përgjatë tetë ditëve në Tiranë. Realizuar nga regjisorja Rokhsareh Ghaemmaghami, filmi bazohet në jetën e reperes Sonita Alizadeh, e cila u frymëzua të shkruante muzikë kur familja e saj “donte ta shiste atë”. Me përpjekje titanike ajo arrin të sfidojë një mentalitet shtypës dhe të mbërrijë në SHBA.

“Ato vajza të cilat martohen me dhunë nën moshë, humbasin fëmijërinë e tyre. Ato humbasin shpresën. Kur erdha në Amerikë, nuk më iknin nga mendja imazhet e fytyrave të shoqeve të mia – me shenja dhune dhe të frikësuara pasi kishin kundërshtuar familjet e tyre”, do të shprehej Alizadeh e cila u kthye në frymëzim për regjisoren Ghamaghami. Juria e DocuTIFF e vlerësoi filmin me çmimin “Best Feature documentary” me motivacionin “Sonita” është një histori e fuqishme, e treguar mrekullueshëm. Vetë filmi dhe mënyra se si janë të zhvilluara rrethanat dhe gjithçka kalon në jetën e saj protagonistja, na e tregon jo vetëm për mënyrën e mbijetesës në një shoqëri në periudhë lufte do të thotë: që sjell tek ne një kuptim emocional për të, dhe gjithashtu një pamje të qartë të bagazhit kulturor të jetës në Afganistan dhe Iran. Por ajo çfarë ishte për t’u vlerësuar ishte përfshirja personale e regjisorit, me ndjeshmëri delikate, Rokhsareh Ghaemmaghami, i cili drejtoi dy historitë dhe Sonitën e re, me të gjithë ne, drejt një rruge të dhimbshme por çliruese. Nëse është e vërtetë që një ndërhyrje “e fshehtë” mund ta shkatërronte filmin, sinqeriteti i regjisores që nuk e fsheh përfshirjen e saj, bën që kjo punë të jetë mjaft interesante dhe na shtyn ne që të mendojmë për marrëdhënien e ndërlikuar midis regjisorëve të dokumentarëve dhe temës së filmit”. Çmimi i internetit ka shkuar për dokumentarin “Shihemi në mëngjes” me autor Alma Zekollari. Çmimi i audiencës ka shkuar për filmin “Mr. Gaga, nga regjisori Tomer Heymann. Çmimi i medias shkoi për dokumentarin “Qukapiku rus” realizuar nga Chad Gracia me motivacionin “si një prodhim i cili mbart brenda kërkimin e vazhdueshëm për të vërtetën. Në një shoqëri e cila po shkon vazhdimisht drejt përplasjeve të reja, ky dokumentar nxjerr në pah rëndësinë që ka historia në këto konflikte të heshtura dhe jep shembullin e një investigimi të thellë, jo vetëm artistik. Filmi është një homazh për të vërtetën dhe hap një vizion të ri të raporteve të kërkimit historik”. Çmimi best frame i cili ka qenë dhe një çmim i ri për këtë edicion shkoi për dokumentarin “Shoulder the lion”, realizuar nga Erinnisse dhe Patryk Rebisz. “Best debut film” ka shkuar për dokumentarin “Lulet e egra” nga Fathia Bazi me motivacionin “për ndjeshmërinë e autorit duke na prezantuar një burrneshë dhe për vështrimin e saj objektiv mbi botën e karakterit”. Çmimi për dokumentarin më të mirë shqiptar ka shkuar për regjisoren Donjetë Berisha me “Na ishte një kohë”. Për jurinë ky dokumentar është ndërtuar në një bazë të fortë vizuale. “U impresionuam nga thjeshtësia e filmit dhe subjekti që regjisorja prezanton në mënyrë të ndjeshme. Ne na duhen diskutime të temave shqetësuese në filma, siç është dhuna ndaj grave, dhe të promovojmë kështu barazi gjinore, siç është dhe ky film”, thuhet në motivacion. Çmimi “Special mention” shkoi për dokumentarin “Gjyshja” nga Jurgen Agushi me motivacionin “Për dashurinë midis shteteve dhe njerëzve sidomos për Shqipërinë” si dhe për filmin “Someone knocks” nga Zhejni Garo me motivacionin “për të treguar se sa emocional dhe të pambrojtura janë qeniet njerëzore në një këndvështrim të lartë kinematografik”. Filmi më i mirë ballkanik shkoi për regjisorin turk Mehmet Selcuk Bilge me dokumentarin “Rotetten” me motivacionin “për kurajën që të përballosh temat e ndjeshme dhe tregimet e forta përmes imazheve të fuqishme”. “Best europian short” shkoi për filmin “Minor border” nga Lisbeth Kovacic. “Një reflektim i fuqishëm kinematografik për kufij të kaluar dhe të tashmë dhe një përdorim i rrallë i ndjeshëm i muzikës i bën këto mendime – të kthyera – në imazhe filmin më të mirë europian në këtë festival”, thuhet në motivacionin e jurisë. Dokumentari më i mirë i shkurtër ka shkuar për “Një sy për tjetrin” realizuar nga Steve Bache, Mahyar Goudarzi, Louise Peter. Tre studentët gjermanë në fushën e filmit kishin sjellë mjeshtërisht në ekran portretin e një vrasësi dhe krimin e tij të tmerrshëm. “Special mention” shkoi për dokumentarin “Refleksioni i fuqisë” nga Mihai Grecu me motivacionin “për një paraqitje mrekullisht freskuese të peizazhit të Koresë Veriore totalitare dhe monumenteve të tij, si dhe fundit të qartë që regjisori me aq guxim parashikon”.”Best middle length documentary” shkoi për “Fundi i botës” nga Monika Pawluczuk. Dokumentari “Exotica Erotica etc” i regjisores greke Evgelia Kranioti është vlerësuar me dy çmime “Best Europian Feature documentary” dhe “Special mention”.” Është poetik, i menjëhershëm dhe emocionues dhe e gjitha kjo falë punës së madhe kinematografike të regjisores Evangelia Kranioti. Është definitivisht befasuese të shikosh një punë të mrekullueshme me kamerën në një dokumentar: përzgjedhja nga juria për fotografinë më të mirë nuk mund të ishte më e merituar se ky dokumentar.” Rreth 180 filma u shfaqën në ekranet e vendosura në hapësirën e Muzeut Historik Kombëtar apo COD Center përgjatë tetë ditëve të festivalit, filma që vinin nga 102 vende të ndryshme të botës, prej të cilëve 100 ishin në konkurrim dhe 80 filma u shfaqën në programet dhe projeksionet speciale. Emra të njohur të kinematografisë europiane ishin të pranishëm përgjatë këtyre ditëve në Tiranë. DocuTIFF konsiderohet si një nga festivalet e rëndësishme ballkanike, që i jep jetë filmit dokumentar duke vënë theksin mbi punën dhe rëndësinë e kësaj gjinie artistike.

Please follow and like us: