Albspirit

Media/News/Publishing

Bashkia e Tiranës përgjoi përgjuesin e Saimir Tahirit

Nuk do të ishte zbuluar lëvizja e makinës që mbante përgjuesin e paligjshëm të policisë por të mos ishin kamerat e Bashkisë së Tiranës, pavarësisht se libri i hyrje daljeve të repartit të Forcës së Posacme Operacionale tregonte se makina lëvizi dy herë.

Nga këqyrja e këtyre librave, rezulton se mjeti ku ndodhet pajisja është drejtuar nga shefi i IT-së së këtij reparti, tashmë i arrestuar dhe izoluar me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Ention Xhelilaj.

Si provë mbështetëse e këtyre librave të hyrje-daljeve, prokurorët kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Bashkisë së Tiranës, ku është identifikuar makina që kalon në rrugën ku ndodhet reparti i Forcave të Posaçme Operacionale.

Këto pamje janë fiksuar pikërisht më datën 13 maj, rreth orës 12:00, kur oficerët e policisë kanë shkuar për të sekuestruar makinën ku ndodhet pajisja e përgjimit. Por, ajo është larguar nga ambientet 10 minuta pasi hetuesit kanë shkuar në ndërtesë dhe ishin në pritje të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako që të firmoste sekuestrimin. Nga ana tjetër, ajo që për hetuesit hedh poshtë pretendimet e policisë se ekspertët italianë gjatë gjithë kohës kanë qenë të pranishëm në momentin e trajnimit, hidhet poshtë nga sistemi TIMS i Policisë së Shtetit. Burimet thonë se nga verifikimet e kryera, rezulton se nga marsi, kur pajisja ka hyrë në Shqipëri e deri në momentin që ajo është bërë publike në media, ka rezultuar se në disa raste ekspertët italianë janë kthyer në Itali duke lënë pajisjen në ambientet e Repartit të Forcave të Posaçme të Operacionales. Sipas Prokurorisë, ajo që ka ngritur më shumë pikëpyetje, se kjo pajisje është përdorur për përgjime të paligjshme, është fakti se sa herë ka hyrë në territorin shqiptar kjo pajisje, ajo është deklaruar në dogana, Policia e Shtetit ka njoftuar prokurorin e Përgjithshëm dhe më pas prokurorëve konkretë për veprime hetimore, sipas abc news. Rasti i fundit ishte gjatë periudhës së vitit 2013-2014 kur në Shqipëri kishte çdo ditë shpërthime eksplozivi.

Please follow and like us: