Albspirit

Media/News/Publishing

Prapaskenat në gjyqin mes pronarëve të Top Channel

Vazhdon saga e gjyqeve për pronësinë e një prej televizioneve më të mëdha në vend, Top Channel. Gjykata e Apelit vendosi së fundmi të lërë në fuqi masën e sigurisë për pezullimin e përkohshëm të mbajtjes së asamblesë së përgjithshme të Top Channel, të thirrur nga aksionerët Albert Sino i cili zotëron 40% dhe Aurel Baçi i cili ka 20%. Thirrja e Asamblesë së aksionerëve është kundërshtuar nga aksionerja tjetër që ka 40%, Vjollca Hoxha së bashku me 4 fëmijët e saj Lorela Hoxha, Redia Hoxha, Sara Hoxha dhe Itan Hoxha. Vendimi i sotëm është marrë nga 3 gjyqtarët e Apelit: Agim Bendo, Zamir Poda dhe Gramoz Levanaj.

Por Boldnews.al shkruan se ka mësuar në mënyrë konfidenciale se një nga këta gjyqtarët është parë nën shoqërinë e njërit prej drejtuesve të rinj të Top Channel. Takimet kanë qenë të shpeshta mes tyre përpara hedhjes së shortit për gjyqin e Apelit që do të vendoste masën e sigurisë. Kjo sipas Bold News hedh dyshime të forta për procedurën e shortit në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Por për çfarë vendosi Gjykata e Apelit sot? Dy aksionerët kryesor të Top Channel, Albert Sino dhe Aurel Baçi që zotërojnë 60 % kërkuan thirrjen e Asamblesë së përgjithshme por kjo nuk u pranua nga aksionerja me 40% Vjollca Hoxha e cila depozitoi në Gjykatën e Shkallës së Parë padi për pezullimin e kërkesës së dy aksionerëve.

Më 09.02.2016, Gjyqtarja Antonela Prendi vendosi të pushojë çështjen pasi pala kërkuese, Vjollca Hoxha bashkë me 4 fëmijët e saj si aksionerë nuk u paraqitën në gjyq.

Pak javë më vonë, teksa kishte nisur edhe shqyrtimi i çështjes në themel nga gjyqtarja Teuta Hoxha, kjo e fundit vendos në mënyrë të papreçedentë masën e sigurisë për të pezulluar mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme.

Për këtë shkelje të rëndë, dy aksionerët Albert Sino dhe Aurel Baçi kërkuan përjashtimin e gjyqtares Teuta Hoxha e cila kishte marrë një vendim në shkelje me ligjin dhe jashtë kornizës ligjore të padisë. Gjyqtarja Teuta Hoxha u përjashtua në kushtet e paligjshmërisë dhe çështjen e themelit e merr Marinela Osmani.

Më 09.05.2015 dy aksionerët dominues të Top Channel fitojnë gjyqin e themelit duke rrëzuar padinë e familjes Hoxha pasi ishte e pabazuar në ligj dhe në prova. Me një vendim prej 17 faqesh, gjyqtarja Marinela Osmani arriti të mbizotëronte mbi presionin e fuqishëm mediatik të Top Channel, e cila drejtohet nga Vjollca Hoxha.

Por për të marrë kontrollin e Top Channel, Albert Sino dhe Aurel Baçi kishin apeluar masën e sigurisë për pezullimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të vendosur në shkelje nga gjyqtarja Teuta Hoxha. Pikërisht sot (10.06.2016) Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të mbajë në këmbë këtë paligjshmëri ku me një vendim të dyshimtë la në fuqi masën e sigurisë të marrë nga një gjyqtare e përjashtuar.

Histori intrigash për të marrë pabesisht kontrollin e Top Channel

Por cilat janë prapaskenat që u përdorën për të marrë pushtetin absolut të Top Channel duke nxjerrë jashtë loje dy aksionerët Albert Sinon dhe Aurel Baçin, njëherësh edhe miqtë e ish të ndjerit Dritan Hoxha?

Në padinë e ngritur ndaj dy aksionerëve të Top Channel, Vjollca Hoxha pretendon se ish bashkëshorti i ndjerë u ka shitur aksionet Albert Sinos dhe Aurel Baçit pa dijeninë e saj dhe sa për sy e faqe për të plotësuar kriteret e nenit 20 të ligji Nr.9742, datë 08.05.2007, që kërkonte që asnjë subjekt në fushën e medias të mos zotërohej për më shumë se 40% nga një person i vetëm.

Por e drejta për të ngritur një pretendim të tillë nuk qëndron. Kjo pasi, Vjollca Hoxha, me cilësinë e përfituesit të aksioneve si pasojë e trashëgimisë nga i ndjeri Dritan Hoxha, ka që nga viti 2008 ka qenë plotësisht në dijeni të faktit të pronësisë së aksioneve të Albert Sino dhe Aurel Baçi. Kjo vërtetohet edhe në 12 vendime të Mbledhjes së Aksionerëve dhe akte të tjera thelbësore për funksionimin e Top Channel, ku të pranishëm kanë qënë të gjithë aksionerët. Gjithashtu, Kodi i Familjes parashikon se Vjollca Hoxha duhet të ngrinte këtë pretendim brenda afatit 1 vjeçar pasi ajo të trashëgonte aksionet e bashkëshortit të ndjerë, pra në 2008 dhe jo 8 vite më vonë.

Vjollca Hoxha shkon edhe më tej duke thënë se Albert Sino dhe Aurel Baçi nuk kanë paguar shumën për blerjen e aksioneve dhe se kjo nuk është kryer me asnjë transfertë bankare. Por Gjykata çmon se ligji i asaj kohe (2007) lejonte palët në qarkullimin civil, që pagesat për çfarëdo shume të kryheshin nëpërmjet palëve në çdo formë që ato binin dakord me njëra tjetrën. Pra, çmimi i parashikuar në kontratë mund të shlyhet në të holla, por mund të shuhet edhe me kompensim me detyrime të tjera financiare, që palët mund të kenë pasur me njëra tjetrën.

Sipas Bold News, jo pak herë, Vjollca Hoxha ka përdorur fort influencën e Top Channel për të manipuluar procesin gjyqësor. Sipas të njëjtit burim, rasti më i fundit ishte përjashtimi i gjyqtares Zeqine Sollaku në Gjykatën e Apelit pak muaj më parë kur pritej të vlerësohej masa e sigurisë. Kjo për shkak të konfliktit të interesit pasi në disa media nisën të qarkullojnë foto në plazhet e ishujve tropikalë Maldive ku shihej Lori Hoxha (vajza e Vjollca Hoxhës) nën shoqërinë e Adela Sollakut (vajza e Zeqine Sollakut).

Please follow and like us: