Albspirit

Media/News/Publishing

Komuniteti LGBT në Tiranë solidarizohet me viktimat e Orlandos

Komuniteti LGBT në Tiranë solidarizohet me viktimat e Orlandos

Me anë të një deklarate për mediat kreu i shoqatës së LGBT, Kristi Pinderi fton të gjithë qytetarët nesër të bashkohen në shkallët e korpusit të Universitetit Politeknik në një event solidarizimi për 50 viktimat e Orlandos në SHBA.

Deklarata e Plotë

Ditën e martë, në orën 18.00 aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBTI ftojnë të gjithë qytetarët të bashkohemi në një event solidarizimi me viktimat e masakrës së Orlandos në SHBA, miqve dhe familjarëve të tyre.

Ne besojmë se ajo masakër që terrorizoi gjithë botën ishte një ngjarje me motive të pastra urrejtjeje ndaj një komuniteti të tërë. LGBTI mund të jenë motrat, vëllezërit e dikujt, djemtë e vajzat e dikujt, miqtë e dikujt dhe janë pjesë e kësaj shoqërie.

Sot është një ditë zie jo vetëm për komunitetin LGBT në Amerikë por për të gjithë ata njerëz që besojnë në një shoqëri ku vlerë është dashuria dhe barazia dhe jo urrejtja.

Le të ndezim një qiri ditën e nesërme në orën 18:00 tek shkallët e Universitetit në Sheshin Nënë Tereza, për 50 personat e masakruar në Orlando dhe çdo person LGBTI në botën perëndimore dhe lindore që ka humbur jetën për shkak të homofobisë dhe krimit të urrejtjes.

Le të tregojmë që jemi shumë më tepër se ata persona që vjellin urrejtje dhe nxisin përmes gjuhës së urrejtjes krimin ndaj personave LGBTI dhe në këto ditë zije.

Veç kësaj po konstatojmë me shumë shqetësim që në faqet online të mediave kryesore po shpërfaqen komente që lavdërojnë një kriminel dhe që i gëzohen një akti të tillë. Ne u bëjmë thirrje redaksive të tregohen të përgjegjshme dhe të mos lejojnë që komente të tilla të dhunshme dhe çnjerëzore të shfaqen në faqet e tyre. Mos harroni: LGBTI mund të jenë motrat, vëllezërit e dikujt, djemtë e vajzat e dikujt, miqtë e dikujt dhe janë pjesë e kësaj shoqërie.

Së fundmi, konstatojmë me habi mungesën totale të reagimit nga ana e institucioneve shqiptare. Për një ngjarje të ngjashme u shfaq jo vetëm solidariteti i politikanëve, por këta të fundit patën mundësi të jenë edhe kreativë në solidarizimin e tyre (kujtojmë tre lapsat në xhaketën e kryeministrit). A mos vallë jeta e komunitetit LGBTI vlen më pak?!

Please follow and like us: