Albspirit

Media/News/Publishing

Rusia e Lindjes së Mesme

Një analizë në lidhje me praninë e Rusisë në Lindjen e Mesme dhe synimet e saj në këtë rajon.

 

Koment – Rusia e Lindjes së Mesme

Në fund të viteve 1970, Egjipti ishte afruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kishte nënshkruar marrëveshjen e paqes me Izraelin. Ishte periudha e Luftës së Ftohtë dhe ndikimi i Rusisë sovjetike në rajon kishte marrë një goditje të rëndë. Përveç kësaj, dy shkaqe të tjera të fuqishme, që e detyruar Rusinë në shkëputej edhe më shumë nga Lindja e Mesme, ishin zhytja e ish-Bashkimit Sovjetik në “batakun” e Afganistanit dhe Revolucioni Iranian. Aq sa në fillim të viteve 1990 sistemi sovjetik u bllokua plotësisht. Për të kapërcyer këtë ngërç, presidenti i atëhershëm i Rusisë sovjetike do të renditej edhe në krah të koalicionit të formuar nën drejtimin e SHBA-ve kundër Irakut, pas pushtimit nga ky i fundit të Kuvajtit. Tashmë Rusia sovjetike ishte dorëzuar me kuptimin e plotë të fjalës në Lindjen e Mesme dhe mungesa e saj në këtë rajon mundësoi gjatë kësaj kohe thellimin e influencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por epoka postkomuniste dhe rrënjosja e pushtetit të Vladimir Putinit bënë që Rusia të nisë sërish kërkimin e mënyrave për t’i krijuar vetes terren në Lindjen e Mesme. Këtë shans, të cilin e priste prej më shumë se dy dekadash, Moska e gjeti përmes krizës siriane. Në këtë pikë, Rusia kishte tri avantazhe:

  1. SHBA-të iu shmangën gjithmonë një manovre, që do të mundësonte largimin e regjimit të Esadit, pavarësisht se Uashingtoni kishte theksuar me dhjetëra herë se ai nuk kishte vend në të ardhmen e Sirisë.
  2. Rusia dhe Siria gëzonin prej kohësh lidhje të fuqishme historike. Siria është njëherësh edhe tregu i dytë më i madh i armëve të Rusisë në rajon.
  3. Baza detare ruse në Tartus të Sirisë është një tjetër faktor lidhës shumë i rëndësishëm ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, arriti ta shndërrojë vendin e tij përsëri në një aktor me peshë në Lindjen e Mesme duke mbështetur regjimin e Esadit në Siri. Baza detare në Tartus, e cila pas Luftës së Ftohtë shfrytëzohej kryesisht për t’u furnizuar me karburant, u modernizua dhe u bë gati për përdorim shumëqëllimor. Kështu Rusia fitoi njëherësh edhe një bazë ushtarake në Siri. Ajo u përpoq të konsolidojë dhe përjetësojë praninë e saj ushtarake në rajon. Putini i tregoi botës se një zgjidhje e mundshme në Siri nuk mund të arrihet pa Rusinë. Po ashtu, Rusia shtiu në dorë edhe iniciativën për të pasur të drejtën e fjalën në lidhje me linjat gazsjellëse, jashtëzakonisht të rëndësishme për interesat ekonomike të saj, të cilat kanë gjasa të kalojnë nga ky rajon.

Aspirata e Putinit është të rindërtojë mbi themele më të qëndrueshme praninë e Rusisë në Lindjen e Mesme. Megjithatë ai është i vetëdijshëm edhe në lidhje me fuqinë ekonomike mjaft të kufizuar të vendit të tij. Ekonomia ruse ka filluar përsëri të hyjë në një tendencë rënieje gjatë disa viteve të fundit. Për më tepër, kriza ekonomike e Rusisë po thellohet edhe më shumë si pasojë e rënies së çmimeve të naftës dhe e sanksioneve perëndimore për shkak të rolit të saj në krizën ukrainase.

Sidoqoftë, Rusia, pesha politike e të cilës ka filluar të marrë përmasa globale andej nga gjysma e shekullit të 18-të, nuk ka qenë kurrë një superfuqi në aspektin ekonomik. Putini edhe sot e di mirë gjendjen ekonomike të Rusisë. Por ai beson qorrazi se Rusia mund të arrijë në skenën botërore një peshë shumë herë më madhe sesa potenciali i saj ekonomik duke shfrytëzuar shanset, që i janë paraqitur dhe i paraqiten. Madje mund të thuhet se Putini ka arritur në një konkluzion të tillë: “Rusia ose do të konsolidojë ekzistencën e saj si një fuqi e madhe ose do të shpërbëhet. Pikërisht për të parandaluar këtë shpërbërje, fuqia e Rusisë duhet të ndihet edhe jashtë, edhe brenda.”

Rëndësia e Lindjes së Mesme për Rusinë buron edhe nga një tjetër faktor: Ajo është një shtet me mbi 15 milionë myslimanë në gjirin e saj. Sipas shërbimeve sekrete perëndimore, një pjesë e konsiderueshme e luftëtarëve të huaj, të cilët u janë bashkuar radhëve të DAESH-it, janë qytetarë myslimanë të Rusisë. Është pikërisht kjo popullatë myslimane që e bën Rusinë të ndihet e brishtë dhe delikate karshi zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Prandaj elitës politike ruse i duket sikur vendi i tyre është kaq afër Lindjes së Mesme, saqë e ka të pamundur të bëjë rolin e indiferentit përballë zhvillimeve në këtë rajon.

Mirëpo, teksa përpiqet për t’u bërë një fuqi aktive në Lindjen e Mesme, elita politike ruse nuk kërkon në rajon një prani të ngjashme me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas 1990-s. Ajka e politikës së Rusisë mendon se kjo do të ishte një qorrsokak për vendin. Pasi Rusia e ka dëmtuar reputacionin e saj edhe përmes ndërhyrjes për të mbajtur në këmbë regjimin e Esadit, një aleat i ngushtë i Iranit.

Rusia e sotme gëzon një avantazh të rëndësishëm në krahasim me atë të periudhës sovjetike. Pavarësisht këtij reputacioni të dëmtuar si pasojë e ndërhyrjes në Siri, Rusia ka ndërtuar marrëdhënie të forta dhe konstruktive me gati të gjitha vendet me peshë në rajon duke filluar që nga vitet 2000 e këtej. Edhe pse marrëdhëniet e saj me Turqinë mund të jenë prishur për shkak të çështjes së rrëzimit të avionit luftarak rus, opinioni se kjo nuk do të zgjasë për shumë kohë është mjaft i përhapur dhe i besueshëm. Rusia gëzon aktualisht marrëdhënie të mira edhe me Izraelin, edhe me Iranin.

Pavarësisht marrëdhënieve mjaft të ngushta me Iranin për sa i takon mbështetjes së regjimit të Esadit, kjo për Rusinë nuk mund të arrijë nivelin pozitiv të marrëdhënieve të saj me Izraelin. Po ashtu, këto marrëdhënie të mira me Teheranin nuk prodhuan as një qëndrim pro këtij të fundit në rivalitetin ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite, që më tepër të lë përshtypjen e një gare apo mosmarrëveshjeje sektare. Me pak fjalë, ndërmjet Rusisë dhe Iranit nuk mund të flitet për “marrëdhënie dashurie”; por për marrëdhënie pragmatike tërësisht në varësi të koniunkturës.

Si përfundim, Moska në Lindjen e Mesme nuk synon të rivalizojë Uashingtonin në çdo aspekt dhe ta dëbojë atë nga rajoni. Përkundrazi, ajo po përpiqet ta prezantojë veten si një partner, me të cilin mund të luftojnë bashkërish kundër problemeve të përbashkëta. Por sigurisht që në këtë partneritet Rusia shikon të llogarisë dhe të mbrojë gjithashtu interesat e saj.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

Please follow and like us: