Albspirit

Media/News/Publishing

Endrrat e rinisë shqiptare të Shkupit në shekullin e kaluar

 

VALBONA REKA
Eci unë nëpër Çarshinë tonë duke shpejtuar të arrij në hapjen e lokalit të ri të quajtur “Hamlet” ku isha e ftuar. Tingujt e takeve nëpër kalldrëmin e Çarshisë sikur më kthejnë në ditët e bukura të rinisë sime. Çdo trokëllitje e sandaleve sikur zgjon një ngjarje, një dashuriçkë, një xhelozi, një të qeshur. Përplot kujtime është Çarshia jonë, përplot me të kaluar, me histori. E historia nuk trillohet, nuk tjerët nga qejfi sikur bëjnë disa trushpërlarë në këto ditë të sotme. Historia përjetohet, ndodh dhe ka ndodhur, shkruhet, historia është një e vërtetë. Sot vërejmë si disa janë me detyrë që ta ndryshojnë të vërtetën dhe të krijojnë një histori të rrejshme të qytetit tonë të Shkupit por, kalldrëma flet, krisma e takeve në te, në secilin gurë të Çarshisë tonë të bukur flet, kujton, rrëfen një histori të vërtetë….
“Hamlet”-sa emër të bukur i ka vënë pronari, një djalosh i ri, shpirt i vërtetë artisti. Ky është aktor, prandaj dhe me siguri i lindi kjo ide. Na presin bukur, me respekt të veçantë, e mua më vjen mirë. Zëmë një pozitë me shoqen time, aty tek tavolinat e rregulluara me stil. Një ambient i bukur në rrugën “Gradishte”, një shkëlqim festiv që ma ndriçon shpirtin dhe zemrën. Bendi nga Kosova performon. Dëgjohen hitet që secili i ri që ec me kohën duhet ta ketë shijen që t’i shijojë, është muzikë botërore që u krijua gjatë revolucioneve hipi-progresive, muzikë me vlerë e cila poashtu i përshtatet ambientit dhe shekullit në të cilin jetojmë. Por, ndjenja më e këndshme dhe ajo që më bëri të ndihem optimiste ishte rinia që u mblodh aty. Gjenerata të reja, fëmijë të shokëve të gjeneratës sime kishte aty. Më përshëndesin, më njohin si shoqe të prindërve të tyre por, ca më identifikojnë edhe nga aktivitetet e mia që bëj në facebook lidhur me komunën ku jetojmë, ambientin, ekologjinë, çështjet qytetare e kështu me radhë. E bukur kjo rini, secili e secila me stil europian, të qeshur, të hapur dhe disi reflektojnë mendje të ndritshme… Kur, ashtu papritur fillojnë të më afrohen. Njëri vjen dhe më pëshpërit-të lumtë për guximin, tjetri-të përcjell dhe shpesh të bëj “llajk”, një tjetër edhe më përqafoi, e mua zemra më bëhet mal.
Ashtu duke e shikuar rininë e sotme, sikur më lëvizin para syve pamje nga rinia ime….”Çaça” quhej lokali ku ne mbildheshim dhe ishte mu këtu nëpër këto rrugica. Për çka flisnim ne, rinia shqiptare e Shkupit në shekullin e kaluar, cilat ishin temat që zhvillonim, cilat ishin brengat tona!? Mundohem të kujtohem. E di se nuk flisnim për mbeturina të hedhura vend e pa vend, sepse ato nuk i shihje askund. Nuk flisnim për prerje të drunjëve, shkatërrim të parqeve, devijim të lumenjve, ndotje të ajrit nga fabrika që nuk respektojnë ligje të vendosjes së filtrave, as për uzurpime të pjesëve publike nuk flisnim sepse të gjitha këto nuk ndodhnin. Nuk diskutonim për korrupsione dhe hajni nga përfaqësues tonë, sepse këta ishin pak nëpër vende kyçe dhe nëse u mundësohej të vjedhnin u mundësohej nga pak, u jepej ndonjë banesë apo tokë që këta të shpërnguleshin në Shkup nga periferia dhe fshatrat, ose këtyre të qytetit u ndahej ndonjë banesë shtetërore plotësuese nëpër vendet malore apo tek liqenet…Dhe këta, përfaqësuesit tonë të shekullit të kaluar, kështu të prangosur në hipoteka vepronin ashtu si ju urdhëronte pushtetari atë botë… E për çka diskutonim pra ne !? Hmmmm, të shumtën e rasteve për dashuritë, të cilat në ato vite ishin më shpesh platonike…Por, ato që ne i diskutonim në shekullin e kaluar ishin ëndrra për një demokraci, për ndryshime, për atë sesi të bëhemi qytetarë të trajtuar njëjtë, të barabartë, sesi të arrijmë të kemi më shumë të drejta…Asnjëherë nuk ma merrte mendja se ne, rinia e shekullit të kaluar, sot e kësaj dite do të diskutojmë për tema të njëjta, me një ndryshim në kahjen e diskutimit dhe temës- kriminelët dhe krimi nga ana e përfaqësuesve tonë ndaj nesh në demokracinë aq shumë të dëshiruar dhe të ëndërruar…

Please follow and like us: