Albspirit

Media/News/Publishing

Muntaz Dhrami, një tjetër Lasgush Poradeci për Liqenin e Tiranës

Dhurata Hamzai

 

 

Një skulpturë e Lasgush Poradecit e përshtatur për tu vendosur në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës po merr jetë në studion e artistit të madh Muntaz Dhrami. Skulpturat e Parqeve ende mungojnë, por artisti që ka gdhendur bustet e shtatoret e heronjve të kombit gjithë jetën e tij, këmbëngul që parqet publike të pasurohen edhe me yjet e letërsisë, artit dhe kulturës. Ende nuk ka gjetur shumë mbështjetje ideja e tij, por në studion e Muntaz Dhramit skulpturat e Dritëro Agollit, Vaçe Zelës e të tjerëve duket sikur janë në pritje të parkut ku do të vendosen. Me skulpturën e Lasgush Poradecit ka më shumë se dy vjet që po punon.

Motive të shumta shpirtërore e e artistike e lidhin skulptorin Muntaz Dhramin me poetin e madh, edhe pse në jetën e tij e ka takuar vetëm një herë. E shohim që punon i emocionuar, duke djegur njëra pas tjetrës edhe cigaret në buzë. Është pasdite vonë dhe ai ende punon në studion e tij. Me mollëzat e gishtave që nuk rehatohen kurrë skulptori i jep jetë baltës dita- ditës, të duket sikur ndjen të gjallë frymëmarrjen drithëruese të poetit. Ndjen se ke dëshirë të ulesh në këtë stol pranë Lasgush Poradecit e pastaj të rrish e të lexosh një libër në park pranë tij. Ai duket si i gjallë me këtë vështrim zhbirues e nënqeshje të lehtë ironike nën buzë. Duket ashtu siç na e ka rrëfyer Ismail Kadareja në kujtimet e tij, kur përshkruan takimet dhe bisedat e trazuara me poetin shpirtrebeluar. Kadareja ka ardhur edhe vetë ta shoh këtë skulpture, rrëfen skulptori Muntaz Dhrami.

Kjo ka qenë një ide e imja që mbasi mbarova monumentin në Pogradec ta trajtoja Poradecin ne një plan më njerëzor, aq më tepër që Lazgushi ka pasur një aktivitet të gjerë në Tiranë, ka pasur edhe një shtëpi këtu”, u shpreh ai. Pas gjithë kësaj pune, skulptori i njohur shpreson që një ditë Lasgush Poradeci i derdhur në bronz do të takohet me njerëzit, te parku i Liqenit të Tiranës, pikërisht në rrugën që mban emrin e tij, për të qenë aty në përjetësi. Muntaz Dhrami njihet tashmë nga të gjithë edhe si autori i njërës prej shtatoreve më të bukura të Lasgush Poradecit, asaj që është ngritur në shëtitoren e Pogradecit.

dhrami
dhrami
dhrami
dhrami

Please follow and like us: