Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, politika e frikës dhe myslimanët

  • Jeff Swicord
  • Carolyn Pressuti
  • Lisa Bryant

Familja Bashir është pjesë e grupit të emigrantëve pakistanezo-amerikanë. Dy djemtë e kësaj familjeje, Danish dhe Danyiel janë lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara. Ata janë pjesë e mbi 3 milion myslimanëve që jetojnë në këtë vend. Sipas një raporti të fundit të Qendrës së Studimeve Pew, deri në vitin 2050, Islamizmi do të jetë besimi i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara.

Nëse thirrjet e zotit Donald Trump për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, do të viheshin në jetë, familje si ajo e Bashirëve, nuk do të lejoheshin të hynin në Amerikë dhe nuk do të mund të bëheshin shtetas amerikanë. Në një fjalim pas sulmit në Orlando, zoti Trump e përsëriti idenë e ndalimit të hyrjes së myslimanëve në vend.

“Në fund të fundit arsyeja e vetme që vrasësi ndodhej në Amerikë është se ne kemi lejuar ardhjen e familjes së tij këtu. Ky është një fakt për të cilin ne duhet të flasim”,tha zoti Trump.

Amna dhe Emron erdhën në Amerikë në vitin 1988 për të studiuar në Universitetin Syracuse në veri të Nju Jorkut. Ata u njohën kur ishin në vitin e dytë, u martuan, dhe vendosën të qëndronin në Shtetet e Bashkuara.

“Ne e përqafuam atë,” thotë Amna duke folur për integrimin në kulturën amerikane. “Ne u mësuam me jetën studentore. Erdhëm këtu dhe jeta na pëlqeu shumë. Emronit i përlqente të shihte programe në MTV.”

Familja Bashir u vendos në një lagje të klasës së mesme në Virxhinia, në periferi të Uashingtonit. Emroni dhe djali i tij i madh, Danish punojnë në industrinë kompjuterike. Djali i tyre më i vogël, Danyiel studion për mjekësi në Universitetin e Baltimorës.

“Springfieldi është mjaft i mirë”, thotë Amna për qytetin ku ata jetojnë. “Çdo gjë është këtu. Kemi familjen afër, dhe nuk ka rëndësi nëse fqinjët tanë janë myslimanë apo jo. Me të vërtetë për mua kjo nuk ka rëndësi.”

Ndonëse në SHBA ka qytete me popullsi të madhe myslimane, pjesa më e madhe e tyre janë integruar mirë dhe janë të shpërndarë në lagje të larmishme në të gjithë vendin.

Myslimanët në Evropë

Molenbeek, një lagje e përzier e Brukselit me banorë të kombësive të ndryshme, ndodhet gjysmë orë në këmbë nga qendra e qytetit, Grand Place. Në këtë lagje janë kthyer nga Siria disa luftëtarë xhihadistë, dhe aty janë rritur disa nga të dyshuarit për sulmet terroriste në Bruksel dhe në Paris.

Por Molenbeeku është më tepër se sa një lagje me disa banorë radikalë. Ajo është një pasqyrim i ndryshimit të shpejtë të Evropës së sotme shumë-kulturore, që sipas ekspertëve dhe aktivistëve, kërkon mënyra të reja integrimi.

Për disa, kjo do të thotë pranim i nocioneve të ndryshme të përkatësisë, për shembull të një lagjeje apo qyteti, si dhe të një vendi. Të tjerë besojnë se kjo nënkupton braktisjen e modeleve tradicionale të asimilimit dhe zbatimin e një qasjeje më të ngjashme me atë të stilit amerikan ndaj fesë dhe multikulturalizmit që pasqyron larminë, një realitet i ri i Europës së sotme.

“Nuk ka rëndësi nëse mban shami në kokë, më e rëndësishme është ajo që keni në kokë,” thotë sociologia Corinne Torrekens, specialiste e komuniteteve myslimane në Universitetin e Lirë të Brukselit. “Ne duhet të ndalim këtë debat të neutralitetit dhe laicitetit në Belgjikë dhe ta kuptojmë dhe ta pranojmë shoqërinë tonë shumëkulturore në të gjitha format e saj. Jo vetëm kur ne duam të pijmë çaj turk.”

I njëjti debat po zhvillohet në Francën fqinje, gjë që pasqyron ngjashmëri të mëdha mes dy vendeve.

“Këta fëmijë të brezit të dytë dhe të tretë nuk ndihen francezë, sepse ndihen të refuzuar nga vendi dhe vlerat e tij thelbësore,” thotë Alexandre Piettre, sociolog i Grupit Shoqëria, Feja dhe Laicizmi, me qendër në Paris. “Ky është një dallim i madh me Shtetet e Bashkuara, ku, për shembull, afrikano-amerikanët mund të ndihen të refuzuar, por ata ndihen amerikanë.”

Belgjika dhe Franca janë shtete laike që promovojnë asimilim në vend të diversitetit kur është fjala për të sapoardhurit. Ato janë eksportuesit kryesorë evropianë të luftëtarëve xhihadistë dhe kanë numër të lartë të emigrantëve nga Afrika Veriore dhe të pasardhësve të tyre. Këto dy vende janë përballur me pasojat e sulmeve terroriste islamiste që duket se janë gjithnjë e më të ndërlidhura.

Amerika nuk është Evropë, por …

Përbërja demografike e myslimanëve në Amerikë është e ndryshme nga ajo e myslimanëve në Evropë. Sipas studimit të Qendrës Pew, myslimanët në Shtetet e Bashkuara janë të arsimuar mirë dhe kanë të ardhura më të larta në krahasim me shumicën e feve të tjera. Tridhjetë e nëntë përqind e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara kanë diplomë universiteti, ndërsa vetëm 25 përqind e të krishterëve kanë përfunduar arsimin e lartë.

Ky nivel i arsimit nënkupton të ardhura më të larta. Në vitin 2015 të ardhurat mesatare vjetore për një familje në Shtetet e Bashkuara ishin 53,657 dollarë. Njëzet e nëntë përqind e myslimanëve kanë të ardhura vjetore mes 50,000 dhe 100,000 mijë dollarë. 20 përqind e myslimanëve në Amerikë, fitojnë më shumë se 100,000 dollarë në vit. Njëzet e shtatë përqind e të krishterëve amerikanë fitojnë mes 50-100,000 dollarë në vit ndërsa vetëm 17 përqind e të krishterëve fitojnë më shumë se 100,000 në vit.

Ky realitet hedh poshtë pretendimet e kandidati republikan për president, Donald Trump.

Trump bëri thirrje në muajin mars për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në vend, pas sulmeve të Brukselit. Ai vazhdon të thotë se feja islame është e rrënjosur në urrejtje dhe dhunë. “Ne duhet të mësojmë se nga ku po vjen kjo urrejtje dhe pse ekziston ajo”, thotë zoti Trump.

Thirrja e tij për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara është denoncuar si antikushtetuese dhe kundër-produktive nga studiues ligjorë dhe ekspertë të terrorizmit. Seth Jones, ekspert i terrorizmit në Korporatën Rand, thotë se ideja e ndalimit të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara është e gabuar sepse nuk prek rrënjët e problemit.

“Kjo nuk ka të bëjë me fenë Islame, apo me sektin suni të Islamit, por me një përqindje shumë të vogël individësh që besojnë në pikëpamjen Selafiste- xhihadiste të krijimit të një kalifati global”, thotë ai. “Ky është një grup ekstrem. Problemi dhe zgjidhja është të mësojmë dhe kuptojmë se si dhe pse ka elementë të tillë dhe si të ndihmojmë 99 përqind të popullatës që i kundërshton ata, në mënyrë që kjo pjesë të kontrobuojë në përpjekjet për identifikimin e faktorëve ekstremistë.”

Ekspertët thonë se retorika politike kundër myslimanëve ndihmon ISIS-in.

“Mesazhi që ISIS dërgon (për myslimanët), është se Perëndimi ju urren, Perëndimi është në luftë me Islamin. Ju nuk mund të bëheni pjesë e shoqërisë perëndimore”,thotë Lorenzo Vidino i Qendrës për Siguri Kibernetike dhe Kombëtare në Universitetin George Washington.

Myslimanët amerikanë i frikësohen reagimeve të ashpra

Kthehemi tani në shtëpinë e familjes Bashir në Springfield të Virxhinias. Emron dhe djali i tij Danish pas kthimit nga puna përgatisin darkën. Danish u dërgon miqve të tij mesazhe me celular për serialin televiziv “Game of Thrones”, i cili është shumë popullor mes të rinjve amerikanë.

Emron thotë se ai është i shqetësuar për mënyrën se si po portretizohen myslimanët në fushatën presidenciale. Ai i tha Zërit të Amerikës se ndoshta është më mirë që ai t’u shmanget debateve publike.

“Ne jemi një familje e klasës së mesme. Ne duam të jemi njerëz të zakonshëm, duam të bëjmë një jetë normale. Nuk ka arsye pse t’i japim dikujt një mundësi për të kritikuar dhe ka njerëz të mirë kudo. Është shumë e lehtë për dikë që të drejtojë gishtin drejt nesh dhe të krijojë një shqetësim të panevojshëm në jetën time.”

Danish thotë se ai nuk e kupton Donald Trumpin. “Edhe unë jam shtetas amerikan. Por, pikëpamjet e mija janë të ndryshme nga pikëpamjet tij. Urrejtja e tij (për ISIS-in) është e drejtë. Por, nuk ka kuptim të drejtosh gishtin ndaj njerëzve në oborrin tuaj.”

Danish thotë se ai është i bekuar që jeton në një lagje të larmishme dhe që ka miq nga kombësi të ndryshme.

“Nuk ka ndarje në këtë kuptim. Ka mundësi të barabarta për të gjithë. Dhe kjo është ajo që ne kemi në Amerikë. Pavarësisht se nga vjen, mund të punosh dhe të arrini synimet e tua. Dhe kjo është arsyeja pse prindërit e mi erdhën në Amerikë.”

Please follow and like us: