Albspirit

Media/News/Publishing

100 komplete të Kadaresë për bibliotekat e Kosovës, Maqedonisë dhe viseve të tjera shqiptare

Bruna Merko
Në një ceremoni modeste dje në BKUK përfaqësuesit e këtij institucioni si dhe përfaqësuesi i Fondacionit “Hi Classic”, z. Adem Demaçi, në prani të një numri të konsiderueshëm pjesëmarrësish, njoftuan për shpërndarjen e 100 kompleteve të veprës së Kadaresë, për 50 bibliotekat e Kosovës. Kjo ceremoni e shpërndarjes u pasua me fjalimin e z. Demaçi i cili ndër të tjera tha se ky është një gjest që duhet ndjekur edhe të tjerët, në ngritjen e vlerave të kulturës kombëtare dhe vetëdijesimin e bashkëqytetarëve tanë.
“Në këtë zgjim të përgjithshëm të shqiptareve, kemi edhe dy personalitete të kombit tonë si sopranoja e pashoqe në botë, Inva Mula, një zonjë e madhe të cilën duhet ta nderojmë gjithmonë edhe pse ne herë pas here bëjmë ndonjë nderim, por prapë mbetet i pamjaftueshëm. Ndërsa tjetri është Hetem Ramadani, një biznesmen i suksesshëm, por mbi të gjitha një shqiptar i vërtet. Këta dy donatorë më të mëdhenj të këtij fondacioni e dinë se një shqiptar nëse lexohet tek-tuk me vepra s’mund ta shijosh sa duhet, e s’mund ta kuptosh sa duhet, e ta përjetosh sa duhet. Por kur lexohet ai me fuqinë e vet atëherë është bota e tij që pasqyron botën tonë reale dhe prandaj është një nismë shumë me vend që bibliotekat tona të pajisen me veprat e Ismail Kadaresë’, tha z.Demaçi.
Drejtori i BKUK, Sali Bashota me këtë rast falënderoi dy personalitete, Inva Mula dhe Hetem Ramadanin për këtë iniciativë të tyre. “Është një kënaqësi që të jemi të gjithë bashkë këtu për një ngjarje të tillë kulturore, për këtë nismë të fondacionit “Hi Classic”, ka një simbolikë të veçantë sot sepse shpërndan veprat e shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadaresë. Ky fondacion ka marrë iniciativën për të shpërndarë 250 komplete të veprave të Kadaresë, për Shqipërinë 80 komplete, për Kosovën 100 komplete, për Maqedoninë 30, në Mal të zi 20 komplete dhe në Luginën e Preshevës 20 të tilla. Vetë simbolika e shpërndarjes së këtyre veprave flet shumë për këtë nismë. Këtë iniciativë të pazëvendësueshëm që po e bën ky fondacion tregon se shkrimtarë të mëdhenj si është Ismail Kadare të jetë në bibliotekat shqiptare.”, tha prof. Bashota duke shtuar se ky fondacion duke nderuar një personalitet të tillë nderon edhe kulturën në përgjithësi.
Ndërsa prof.Bashota bëri të ditur se më 28 prill, ditën botërore të librit, do të themelet një bibliotekë moderne në kazermën “Adem Jashari”, për të vazhduar të kontribuar në këtë mënyrë në afirmimin e Kosovës dhe dijes në vend.
Janar 2011.
Please follow and like us: