Albspirit

Media/News/Publishing

“Falën” 40 ha tokë në Butrint pasi futën 50 mijë € në xhep, gjyqtarja dhe burri i saj arratisen nga Shqipëria

“Falën” 40 ha tokë në Butrint pasi futën 50 mijë € në xhep, gjyqtarja dhe burri i saj arratisen nga Shqipëria

Pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste për arrestimin e tyre, gjyqtarja e Majlinda Andrea dhe bashkëshorti i saj janë arratisur nga Shqipëria.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ata akuzohen se kanë marrë 50 mijë euro ryshfet për të dhënë një vendim në favor të palës që ka paguar paratë. Bëhet fjalë për 40 hektarë tokë në Butrint që i ka kaluar personit që ka paguar 50 mijë eurot.

Një ditë pasi kanë marrë paratë, konkretisht më 12 korrik të këtij viti, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, dy personat që korruptuan gjyqtaren me 50 mijë euro.

Ka qenë prokuroria e Përgjithshme ajo që pas 6 muajsh hetime i kërkoi Gjykatës së Lartë të marrë masën e “pezullimit nga detyra” për gjyqtaren e kësaj Gjykate nën akuzë për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve”. Për bashkëshortin e saj, Odhise Andrea, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg”, por asnjë nga masat nuk është mundur të ekzekutohet nga efektivët e policisë për shkak se çifti i bashkëshortëve janë larguar nga vendi pak para vendimit.

Ndërkohë, policia ka mundur të vë në pranga tre personat që kanë dhënë ryshfetin, Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Ata akuzohen se kanë korruptuar gjyqtaren Majlinda Andrea me 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme. Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.

Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me Petraq Dashin, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me bashkëshortin e gjyqtares, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së Çabirit në Gjykatën e Lartë.

Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me Ilia Çabirin dhe Eleni Linon, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro.

Në fakt, këtë shumë, Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares, Odhise Andreas, me qëllim dhënien e vendimit në favor të Çabirit dhe Linos.

Odhise Andrea, i cili aktualisht mban detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendimi për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, i është përcjell Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

Please follow and like us: