Albspirit

Media/News/Publishing

Nenet 104 e 105 të Kushtetutës dhe zgjedhjet e parakohshme

Edi Rama dhe Ilir Meta në Parlament më 31 korrik 2014. Foto: Franc Zhurda/LSA

Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur deri tani nga Edi Rama dhe Ilir Meta si një mundësi në rast se dështon Reforma në Drejtësi që pritet të votohet të enjten në Kuvendin e Shqipërisë. Nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës përcaktojnë se si mund të mbërrihet deri te zgjedhjet.

Shqipëria ka njohur dy raste deri tani të zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, më 1992 dhe 1997, por asnjë rast nuk ka pasur zgjedhje të parakohshme të kryera me kushtetutën aktuale, e cila u miratua në vitin 1998.
Pasi kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë muajve të fundit se Reforma në Drejtësi është parakusht prej tij për koalicionin qeverisës, aleati i tij në qeveri Ilir Meta u shfaq në mënyrë të pazakontë në media këtë të diel për të deklaruar kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje.
Kushtetuta aktuale në nenet 104 dhe 105 jep dy rrugë që të shpien të zgjedhjet e parakohshme, rrugë që, pavarësisht se janë të qarta, sërish mbeten të pa testuara në histori.
Neni 104 i jep të drejtë kryeministrit të kërkojë ndaj vetes mocion besimi në parlament. Mocioni duhet të marrë 71 vota që kryeministri ta quajë veten me mazhorancë. Në rast se kryeministri nuk i merr të 71 votat, ai ka për detyrë të kërkojë brenda 48 orësh shpërndarjen e parlamentit nga presidenti i Republikës. Presidenti duhet ta shpërndajë parlamentin brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës nga kryeministri. Neni i jep Ramës rolin e protagonistit. Ai ka në dorë të shkaktojë zgjedhje të parakohshme nëse dëshiron.
Në rast se reforma dështon të miratohet, Rama ka mundësi të zgjedhë se kur dëshiron të bëjë kërkesën për mocion besimi dhe ka dy rrugë kryesore: ta bëjë kërkesën menjëherë javën e ardhshme, ose të presë për më vonë.
Neni 105 i Kushtetutës nga ana tjetër i jep rrugë mundësisë që kryeministri të rrëzohet nga pushteti dhe jo thjeshtë të shkaktojë zgjedhje të parakohshme. Ky nen thotë se një e pesta e deputetëve, (28 deputetë), mund të kërkojnë mocion mosbesimi ndaj kryeministrit dhe njëkohësisht të propozojnë një kryeministër të ri. Teorikisht, PD dhe LSI mund ta përdorin këtë nen për të rrëmbyer pushtetin ekzekutiv nga Rama. Praktikisht, shifrat në Kuvend nuk e mbështesin dot idenë e një skenari të tillë dhe nëse ndodh, situata do të jetë veçanërisht e komplikuar. Neni 105 nuk jep mundësi që thjeshtë të rrëzohet kryeministri. Bashkë me rrëzimin e kryeministrit, duhet të emërohet një kryeministër i ri.

Balanca e votave
Pas zgjedhjeve të vitit 2013, Partia Socialiste doli nominalisht me 65 deputetë, PD me 50, LSI me 16, PDIU me 4, PR me 3 dhe PBDNJ e PKDSH me nga 1 deputet. Pas zgjedhjeve ka pasur disa transferime deputetësh nga opozita te mazhoranca, ndërsa efektivisht disa deputetë të PS janë mbështetës të hapur të LSI, si p.sh, Spartak Braho. PDIU, e cila qe në krahun e djathtë më 2013, duket se është e ndarë sot një këmbë majtas dhe një këmbë djathtas. Gjithsesi, një koalicion me bazë PD+LSI që të bëjë 71 vota, do të duhet të marrë deputetë shtesë nga partitë e vogla, gjë që e komplikon shumë skemën e një qeverie pa PS-së. Në këtë rast, koalicioni qeverisës do të jetë i përbërë nga një numër shumë i madh partish e deputetësh gjysmë të pavarur, secili duke bërë llogaritë për zgjedhjet e ardhshme.
Rrjedhimisht, përdorimi i nenit 105 të Kushtetutës ngjan i vështirë dhe gjasat janë që zgjedhjet e parakohshme të kalojnë nga neni 104, pra të shkaktohen nga Partia Socialiste.

Çështje afatesh
Sipas nenit 65 të Kushtetutës, në rast shpërndarjeje të parakohshme të Kuvendit, zgjedhjet duhet të zhvillohen jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja. Sezoni parlamentar aktual përfundon në fund të këtij muaji dhe nëse dëshiron të mos ketë komplikime, Rama duhet të bëjë kërkesën për mocion besimi menjëherë pas ditës së enjte. Sipas kushtetutës, mocioni i besimit i kërkuar prej tij, nuk mund të shqyrtohet më herët se tre ditë nga data e dorëzimit. Në rast se sesioni aktual mbyllet dhe kryeministri nuk e ka bërë ende mocionin e besimit, ai gëzon gjithashtu të drejtën të kërkojë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, në bazë të nenit 74 të Kushtetutës, gjë që do të thotë se ai mund të mos presë shtatorin dhe rihapjen e punimeve të Kuvendit për të kërkuar mocion besimi. Por në këtë rast, duhet pasur parasysh se politika shqiptare është e njohur për mungesë respekti për procedura e afate kushtetuese dhe administrimi i kërkesës së kryeministrit për seancë të jashtëzakonshme nga administrata aktuale e Kuvendit mbetet për t’u parë se si do të shkojë. Në këtë rast, zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen në shtatorin e ardhshëm.
Zgjedhjet e ardhshme janë efektivisht vetëm një vit larg ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e kuvendit aktual. Por palët duket se po bëjnë llogaritë se cila prej tyre do të ketë pushtet dhe sa pushtet do të ketë në rast zgjedhjesh. Veçanërisht, kontrolli i Ministrisë së Brendshme ka rëndësi të madhe për shkak se Ministria e Brendshme duhet të dërgojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve numrat e votuesve në çdo qark, numra që përcaktojnë edhe numrin e deputetëve që do të dalë në çdo qark. Në zgjedhjet e vitit 2013, Partia Demokratike arriti efektivisht të ndalojë pakësimin e numrit të deputetëve në Qarkun e Kukësit nga 4 në 3, dhe rrjedhimisht shtimin e numrit të deputetëve në Qarkun Tiranë nga 32 në 33. Është e gjithëditur se kontrolli i administratës publike në periudhë zgjedhore në Shqipëri ka ndikim të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve. Rezultati i zgjedhjeve do të varet shumë edhe nga fakti nëse Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhje në koalicion parazgjedhor me LSI apo pa koalicion. Sistemi aktual zgjedhor favorizon në rezultat koalicionet në krahasim me partitë.

Rreziku për destabilitet
Zgjedhjet aktualisht zhvillohen në bazë të një marrëveshjeje politike mes Ramës dhe Berishës të vitit 2008, marrëveshje që krijoi sistemin zgjedhor proporcional rajonal. Marrëveshja synonte në atë kohë të favorizonte partitë e mëdha dhe të penalizonte partitë e vogla, (konkretisht LSI), por duket se dështoi kur në vitin 2009, PD me aleatët e vet arriti të marrë me vështirësi një shumicë minimale prej 71 deputetësh dhe bëri marrëveshje me LSI për të siguruar një shumicë të mjaftueshme për të qeverisur. Sido që punët shkuan ndryshe, në zgjedhjet e vitit 2013, rreziku qe serioz që zgjedhjet të përfundonin me barazim 70 me 70, ose që njëra palë të arrinte një rezultat shumë të ngushtë, duke e bërë çdo deputet apo një numër të kufizuar deputetësh praktikisht “kingmaker”, d.m.th, një minorancë përcaktuese, që duke lëvizur nga një krah në tjetrin, të përcaktonin edhe maxhorancën parlamentare. Në rast se do të ketë zgjedhje të parakohshme, parlamenti i ardhshëm do të duhet të zgjedhë pranverën e ardhshme një president të ri. Në rast se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, zgjedhja e presidentit të ri nga kuvendi aktual mbetet i vështirë në kushtet e konfliktit të hapur mes PS dhe LSI, pasi efektivisht duhet që së paku dy nga tre partitë e mëdha të bien dakord për të bërë shumicën e thjeshtë që kërkohet për të zgjedhur një president.
Rreziku është që bashkë me krizën për reformën në drejtësi, Shqipëria të përjetojë njëkohësisht krizë të sistemit elektoral gjithashtu.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë

Please follow and like us: