Albspirit

Media/News/Publishing

Reformë euro-amerikane, amnisti për kryeministrat dhe zgjedhje të reja brenda 45 ditësh

henri cili (1)Nga Henri Çili

“Rerum cognoscere causas”  (të njohim shkakun e gjërave). Shprehja e famshme latine që është edhe slogani i London School of Economics duket sikur është bërë pikërisht për lëmshin e politikës shqiptare.

Po të ndjekësh situatën e sotme politike, sheh se ajo ka arritur në pikën kulmore me deklaratat e partnerit të koalicionit Ilir Meta, në lidhje me Reformën në Drejtësi dhe të ardhmen e këtij koalicioni politik. Mund të detektohen në këtë pikë se cilat janë shkaqet e këtyre ngjarjeve. Shkaku i këtyre zhvillimeve janë tri qëllime të ndryshme dhe të pakonvergueshme që kanë tre aktorët politikë.

Arsyet e vërteta të ngërçit

I pari është kryeministri, që kërkon të krijojë një moment të ri në jetën politike shqiptare, me anë të Reformës në Drejtësi.

Rama kërkon që nëpërmjet kësaj reforme dhe këtij momenti t’i japë fund çdo diskutimi mbi bilancin e qeverisjes së tij dhe të jetë ai njeriu i besuar i perëndimit për dhjetë vitet e ardhshme në Tiranë, teksa vendi ecën në një trase reformiste. I dyti është kreu i parlamentit Ilir Meta, i cili duket se ka një ndikim apo një akses në disa segmente të drejtësisë duke filluar nga kryeprokurori Llalla, që njihet si i propozuar i Ilir Metës në qeverisjen e Berishës. Meta kërkon ta ruajë këtë akses, madje të eleminojë çdo kërcënim që ndërtohet në korridoret politike të Tiranës apo që mund të vijë nga Reforma në Drejtësi në qoftë se ajo do të miratohet. E njëjta gjë mund të thuhet për Sali Berishën dhe për Partinë Demokratike, e cila ka ende akses në sistemin e drejtësisë për shkak se disa nga emërimet e rëndësishme në këtë sistem u kryen në fund të mandatit të qeverisë Berisha. Berisha kërkon që jo vetëm ta ruajë këtë koniunkturë, por edhe të krijojë një momentum të ri politik duke tërhequr Ilir Metën në koalicionin e tij, duke mundësuar një koalicion nesër për të krijuar një dinamikë të re politike në Shqipëri. Ndërkombëtarët, me në krye SHBA-të duken shumë të interesuar për një sistem të ri drejtësie në kontekstin e një vendi ku duhet të mbetet avant posti i Perëndimit dhe amerikanëve në Ballkan, ku po afrohen shumë rusët apo tendencat islamike dhe më shumë akoma në një Ballkan ku po kalojnë pole të rëndësishme energjetike si TAP, apo ku nesër mund të jenë baza të rëndësishme ushtarake të NATO-s. Shkurt partnerët ndërkombëtarë kërkojnë një drejtësi mjaft më korrekte dhe që të jetë garante e interesit të Perëndimit në Shqipëri dhe interesit më të mirë të shqiptarëve. Të tria këto interesa nuk po konvergojnë, madje ato janë bërë baza e një ndarjeje thelbësore, e cila sintezën e saj e ka këtë të enjte dhe shenjën e kishte sot me deklaratën e Metës. Në fakt ky debat ka tre vjet që bëhet dhe së paku dy vjet në mënyrë intensive dhe ndërkohë jemi sërish në pikën e nisjes, në pikën ku asnjë nga palët nuk ka lëvizur nga pozicioni sepse interesat janë vërtet të pakonvergueshëm dhe të kundërt madje.

Elementi i parë

Është e qartë që reforma e propozuar e sintetizuar tashmë te varianti final i Nuland, është një propozim i shkëlqyer, i ekuilibruar, i cili sjell një sistem të ri të drejtësisë me shumë pole me shumë mekanizma kontrollues dhe sidomos iu siguron aleatëve tanë euroatlantik, të cilëve duhet t’u jemi shumë mirënjohës për shumicën e arritjeve tona në demokraci, një rol esencial një rol të domosdoshëm që nuk mund ta kryej sot për sot në Shqipëri asnjë strukturë asnjë autoritet moral përveç SHBA dhe BE, kuotat e besimit te të cilët janë jashtëzakonisht të larta në sytë e popullit shqiptar. Por nga mënyra se si negociuan, jashtë kontekstit shqiptar ambasadorët Vlahutin dhe Lu dështuan, gjë që nuk do të thotë se ky është dështimi i diplomacisë amerikane dhe europiane në Tiranë.

Si e tillë reforma euro-atlantike në drejtësi në formatin e saj të fundit të ekuilibruar pas propozimit të Nuland me pjesëmarrjen e fortë të ndërkombëtarëve është një gjë e domosdoshme për Shqipërinë. Ajo është bërë gati jetike për të ardhmen e vendit, për të siguruar një zhvillim të ekuilibruar për të zhvilluar një drejtësi më cilësore, më të shpejtë dhe më të drejtë për popullin shqiptar dhe për aktorët ndërkombëtar, për investimet e huaja, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kaq endemik në shoqërinë shqiptare që është kthyer gati në një kulturë.

Askush të mos çuditet pse ata nuk e votojnë një reformë, që i bën ata të ndjehen të kërcënuar. Si e tillë amnistia e të gjithë kryeministrave, ish kryeministrave, përfshi këtu edhe kryeministrin aktual Rama dhe familjarëve të tyre, deri në momentin e votimit të reformës është gjëja më e natyrshme për të zhbllokuar mekanizmin themelorë dhe pse kjo reformë është penguar deri kaq.

Është e qartë, meqë ndryshimi që do të sjellë reforma në drejtësi është aq epokal, atëherë ja vlen që kjo amnisti të bëhet, madje edhe për kryeministrin aktual Rama deri në momentin e votimit të kësaj reforme. Pse?! Nuk ka rëndësi nëse kanë bërë apo jo faj, nuk ka rëndësi nëse janë apo jo të implikuar në çështje të ligjit apo korrupsionit, rëndësi ka të niset një epokë e re dhe sipas parimit latin të ecet përpara.

Pse? Sepse këto kanë qenë rregullat e lojës dhe ky është një fillim i ri. Kjo nuk do të thotë që klasa politike shqiptare përbëhet nga katër apo pesë ish-kryeministra, ka shumë e shumë aktorë të tjerë të cilët kanë pasur për detyrë të zbatojnë ligjin dhe ndoshta nuk e kanë bërë, të gjithë këta duhet të jenë subjekt i kësaj reforme dhe kjo nuk do të thotë që nuk bëhet drejtësi. Në qoftë se nuk do të bëhet amnisti nuk do të ketë asnjëherë reformë në drejtësi. Reformë duke i detyruar deputetët me terror, me blerje apo me forma të tjera duke filluar nga deputetët Berisha dhe Meta (Lulzim Basha nuk është deputet) përsëri nuk mund të ketë. Nuk ka ndodhur gjëkundi.

Të gjitha këto bashkë kërkojnë një mopreiment të ri politik.

Elementi i dytë

Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në të drejtën e tyre themelore si individë që të mos ndihen, që të mos humbin politikisht nga votimi i kësaj reforme dhe për më tepër të mos ndihen të kërcënuar me burg për vete dhe familjarët e tyre. Kjo është një e drejtë e tyre themelore dhe është ironike t’u kërkohet atyre të votojnë kundër interesit të tyre esencial. Në të drejtën e tij bazë askush nuk është i detyruar të votojë kundër vetes. Në momentin që Berisha dhe Meta e shohin këtë reformë kundër vetes, derisa Kryetari i Kuvendit dhe ish-kryeministri Meta e përmendi disa herë fjalën burg dje është e natyrshme që ata të mos e votojnë këtë reformë dhe shumë më tepër se kaq. Askush të mos habitet nga mosvotimi prej tyre i një reforme që i bën ata të ndihen të kërcënuar. Si e tillë, amnistia e të gjithë ish-kryeministrave përfshirë kryeministrin aktual dhe familjarëve të tyre është gjëja më e natyrshme që mund të bëhet. Dhe kjo e drejtë që ata kanë të veprojnë në përputhje me interesin e tyre, nuk i prezymon as fjatorë as anti amerikanë.

Elementi i tretë. Ky parlament është jashtëzakonisht i dobët për të bërë këtë votim. Ai nuk e meriton edhe sikur të donte ta votonte 100 për qind. Si i tillë ai ka jashtëzakonisht probleme, të të gjitha llojeve, nga të gjitha krahët, për mënyrën se si këto lista deputetësh janë bërë, për mënyrën si u procedua nga palët për të zgjedhur këto lista deputetësh apo për ndotjen në të gjitha krahët të shumë e shumë deputetëve apo biografinë e tyre në qeverisjen e kaluar. Si i tillë ky parlament, i cili duhej ta kishte votuar që tre vjet më parë reformën në drejtësi, nuk ka as përgjegjësi as të drejtë morale për ta votuar. Prandaj zgjedhje të reja brenda 45 ditësh, siç e parashikon Kushtetuta, për të prodhuar një ekuilibër të ri politik, sipas dy opsioneve bazë që kanë manifestuar palët politike.

Opsionet për zgjidhjen e ngërçit

Populli shqiptar ja vlente të pyetej në zgjedhjet e ardhshme për dy opsionet: Opsioni Rama dhe aleatëve për një prani të fortë të ndërkombëtarëve në procesin e reformës në drejtësi dhe te i ashtuquajturi veting. Dhe opsioni B, i përfaqësuar nga Partia Demokratike dhe Meta për një rol konsultativ dhe një pozicion më sovranist në strukturën e ardhshme të drejtësisë.

Sinteza e ditës së sotme ose e javës kulminante të politikës shqiptare të tranzicionit, do të ishte pak a shumë kjo, reformë amerikane ose euroatlantike sipas variantit final që ka propozuar Nuland, e cila është e domosdoshme dhe jetike për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e investimeve të huaja, për zhvillimin e biznesit vendas, për vënien e drejtësisë për njerëzit e thjeshtë, për përballimin e krimit të organizuar apo formave të tjera të krimit ndërkombëtar me impakt në Shqipëri.

Kjo reformë euro-amerikane do të ishte subjekt i votimit, jo në këtë parlament sepse ky parlament nuk ka mundësi reale dhe ka humbur të drejtë morale për të votuar një reformën në drejtësi. Prandaj zgjedhjet e reja pas 45 ditësh do të krijonin një ekuilibër të ri i cili dhe parlamenti i ri mund ta votonte reformën euro-amerikane në formatin ku ajo është ngrirë sot pas propozimit të Nuland. Sigurisht kjo reformë duhet patjetër të pajiset me elementin e amnistisë për të gjithë kryeministrat e tranzicionit duke filluar nga Rama dhe duke zbritur deri te Vilson Ahmeti. Cilado qoftë fajësia dhe pafajësia e tyre apo e familjarëve të tyre, sepse ky ishte sistemi këto ishin rregullat e lojës dhe duhet të fillojmë një epokë të re.

Si përfundim çdo përpjekje për të qëndruar në diskurin zyrtarë të aktorëve politik, të Ramës, të Metës, të Berishës apo ndërkombëtarëve, nuk është një shërbim intelektual që mund t’i bëhet vendit dhe nuk e nxjerr vendin dhe situatën nga status quo-ja ku është zhytur për shkak se aktorët pëshpëritin qëllime të tjera nëpër tryeza. Disa socialistë kërcasin dhëmbët dhe kërkojnë Berishën apo familjarët e tij në burg pas reformës, disa të tjerë kërkojnë Metën dhe zhdukjen e problemit politik dhe fuqisë politike të LSI-së dhe anasjelltas opozita kërkon që me anë të ekuilibrit aktual, pozitës aktuale dhe impaktit që ka në sistemin e drejtësisë jo vetëm të mos lëshojë pozita e të mos humbë pushtetin mbi drejtësinë, por të rimarrë edhe pushtetin politik.

Të gjitha këto nuk janë në interes të paqes së vendit, nuk janë interes publik, nuk janë në interes të popullit shqiptarë. Në interes të popullit shqiptarë është të fillojë një fazë të re, duke bërë lëshimet përkatëse, duke hedhur pas faqet për të paktën disa personazhe të jetës politike.

Nuk humb e ardhmja e drejtësisë shqiptare nëse amnistohen 5 apo 7 veta, përkundrazi fiton paqja sociale dhe fiton një momentum i ri politik dhe zhvillimor i Shqipërisë. Nga ana tjetër ndërkombëtarët që njohin mjaft mirë gjuhën diplomatike dhe negociatat diplomatike, nuk janë aspak të humbur nëse në Shqipëri ata krijojnë premisat për një sistem drejtësie të standardeve ndërkombëtare edhe me çmimin e amnistimit të 5 apo 7 kryeministrave të Shqipërisë.

Shkurt, Reforma në Drejtësi u shndërruan në quint esenc-ën e tranzicionit shqiptar dhe paska qenë mesa duket kjo fabula e mbylljes së këtij tranzicioni, ose nëse do të dështonte do të ishte “plaga e pashërueshme” e tranzicionit shqiptar.

Please follow and like us: