Albspirit

Media/News/Publishing

Shërbimi përmbarimor, Manjani: Ja 4 projektligjet e reja

 

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka shqyrtuar në seancën e tij të sotme disa nisma ligjore të iniciuara nga Ministria e Drejtësisë, konkretisht Projektligjin për disa shtesa në ligjin “Për Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror dhe Privat në Republikën e Shqipërisë”, Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës Civile.

Gjatë raportimit të tij mbi nismat ligjore të marra në shqyrtim, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani sqaroi se bëhet fjalë për katër projektligje që kanë të bëjnë me rregullimin e fushës së ekzekutimit të vendimeve gjyqësore që ndër të tjera, pritet të ndikojnë edhe në rregullimin e situatës në sektorin bankar.

Në raportimin e tij Ministri Manjani u shpreh se, “Në këtë moment sektori bankar ka dy sindroma, atë të inventarizimit të një numri të madh kolateralësh në bilancet e tyre, gjë që e bën të panatyrshën shërbimin bankar ashtu sikurse edhe sindroma tjetër, ajo e faturimit të shpenzimeve në bilancet e tij për ekzekutimin e vendimeve civile dhe ekzekutimi është ende jo efiçient. Kjo është njëra nismë, ndërsa tjetër ka të bëjë me ndryshimin e bazës ligjore për ligjin për Falimentin. Është përgatitur një ligj tërësisht i ri, me disa ndërhyrje të tipit bashkëkohor, të frymëzuara nga legjislacioni europian kryesisht, por që duhet trajtuar në një parashtesë të re. Ndaj më lejoni që të ndalem në çëshjen e përmbarimit dhe të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore”.

Çfarë është sindroma dhe çfarë problemesh ka ky sektor?, tha Manjani, “Problemi themelor nga jemi nisur edhe ne për të propozuar ndryshimet në të dyja ligjet edhe atë të përmbarimit privat edhe atij publik, por edhe në Kodin e Procedurës Civile, ishte sepse përmbaruesit marrin tarifën e ekzekutimit të vendimit, e fusin në llogarinë e tyre dhe ekzekutimi nuk bëhet. Shërbimi privat ka edhe luksin që parazgjedh ato çështje që do, ato që kryesisht paguhen mirë dhe që në këtë rast vijnë nga sektori bankar. Ka një mijë e një arsye përse nuk mund të zbatohet vendimi, por ndërkohë lekët janë marrë. Kjo është një problematikë e ngritur në mënyrë sistematike në Qeverinë Shqiptare nga shoqatat e bankave por në këtë rast nga edhe nga Banka Botërore, e cila 2 ose 3 vite më parë ka sugjeruar që të bëhet një ndërhyrje në këtë çështje. Në fakt u bë një ndërhyrje sepse me një udhëzim të Ministrit të Drejtësisë u përcaktua për herë të parë idea e “tarifës së suksesit”. Kjo do të thotë se nëse tarifa për shërbimin përmbarimor është 100 lekë, atëhërë ky 100 lekësh ristrukturohej, 20 lekë i jepej paradhënia dhe 80 lekë në ekzekutimin përfundimtar të vendimit. Kjo e motivon përmbaruesin që të kërkojë zbatimin e vendimit në këmbim të marrjes së tarifës që i takon. Ky udhëzim u godit në sistemin gjyqësor, ku Gjykata Administrative e Apelit e rrëzoi sepse udhëzimi nuk kishte dalë me një autorizim të qartë ligjor, sepse nuk ishte ligji që e autorizonte Ministrin që të nxirrte një udhëzim”.

“Në këtë moment edhe idea e tarifës së suksesit është rrëzuar dhe jemi rikthyer në momentin fillestar që e gjithë tarifa paguhet paraprakisht dhe kjo histori vijon me mosekzekutime. Momenti i dytë është që shumë debitorë ose edhe kreditorë, pra palët në procesin e ekzekutimit të vendimit, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit gjyqësor përdorin procedurën e kundërshtimit të vëprimeve përmbarimore, për të filluar gjykimin nga e para dhe kjo jo vetëm çon në zvarritjen të ekzekutimit të vendimeve por bën në fakt edhe një goditje të thelbit të vendimit të gjykatës, që na ka ndodhur në disa raste, dhe kjo është edhe ndërhyrja e dytë përmes ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile. Ne jemi munduar të detajojmë elementin themelor në ekzekutimin e vendimit që është urdhëri i gjykatës. Japim disa element procedural të domosdoshëm që një vendim gjykate, një urdhër ekzekutimi duhet t’i ketë. Nga ana tjetër hapim rrugën duke vendosur një autorizim ligjor, për të legjitimuar njëherë e përgjithmonë çështjen e tarifës se suksesit që do të jetë një udhëzim i përbashkët mes Ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave, një çështje që e kemi diskutuar edhe në Komisionin e Ekonomisë. Kemi bërë edhe disa ndërhyrje në Kodin e Procedurës Civile për të rritur më shumë garancitë në favor të debitorëve, duke shtuar një raund ankandi, që synon të mbrojë debitorin. Ne kemi marrë çdo gjë që është e mirë nga konsultimi me grupet e interesit por pa rënë në konflikt interesi. Unë e di që shërbimi përmbarimor privat nuk është komod me ristrukturimin e tarifës, por suksesi i të ardhurave të tij duhet edhe të lidhet me suksesin e punës”, u shpreh Ministri Manjani

Please follow and like us: