Albspirit

Media/News/Publishing

Valbona Sulçe: Kemi plazhe, por jo turizëm

 

Si ka mundësi që përsëriten pikë për pikë gjithë problemet me turizmin sapo vjen vera? Po si nuk kemi një çikë progres, po fare? Një arsye mund të gjendet te disa deklarata të zyrtarëve shqiptarë që vazhdojnë të quajnë turizëm faktin që kemi plazhe të bukura.

Të kesh plazhe të bukura nuk është turizëm. Është fat. Turizëm është të kesh rrugë, drita, ujë, sinjalistikë të hajrit, telefon, shërbim shëndetësor, farmaci, siguri e rend.  Kur themi siguri, nuk e kam fjalën vetëm për policinë, po edhe për sigurinë e lojërave të ujit, mjeteve të transportit.

Po qe siguria si në ca pishina në kryeqytet që rrëshqitëset i kanë pa asnjë lloj mbikëqyrjeje, pa asnjë lloj rregulli për të rriturit dhe fëmijët, atëherë më mirë të mos flasim për turizëm. Ose si disa  sharlatanë që marrin përsipër lundrime me kajak në kanione pa qenë të licencuar për këtë aktivitet- një miku im desh la kokën i përplasur nga shtjella e ujit, ngaqë ekipi që e shoqëronte nuk ishte I kualifikuar për itinerarin.

Turizëm është të kesh shërbime dhe transparencë që të mos ndihesh i mashtruar.
Vjet u ktheva sërish te Vasilika mikpritëse e fjalëpak në Livadh, megjithëse buzëqeshjen mezi e kish mbajtur. Më tregoi të gjitha vështirësitë për ta mbajtur hotelin familjar në gjendje të mirë dhe klientelën. U prek nga shkrimi i para një viti “Faleminderit për buzëqeshjen” kur ia tregova, sepse “pak e vlerësojnë këtë”.

Po në Livadh zbulova një tjetër “Vasilikë”, Meritën dhe familjen e saj me gjyshin, bashkëshortin, tre djemtë, që kishin një restorant fantastik mes ullinjve. Një ngrehinë modeste dhe vetëm tavolina që mbusheshin sakaq me erën e mirë të specave dhe patëllxhaneve të oborrit, peshkut të egër, kallamarit dhe oktapodit, rradhiqeve me vaj ulliri e limon që varej mbi kokat tona.

Një biznes model familjar si ata që ua kemi zili kudo që shkojmë, bashkë me “ faleminderit dhe mirëseerdhët” pa dyshim çdo ditë.
Megjithatë një Vasilikë dhe një Meritë nuk mjafton për të thyer imazhin e keq të turizmit të Jugut. Shikoni rrjetet sociale që ziejnë nga pakënaqësitë për çmimet, kushtet, sjelljen. Edhe në Veri situata nuk është më e mirë, edhe pse dëshira jonë për të vizituar vende të paprekura nga betonizimi është shtuar dhe me rrugë e pa rrugë e gjejmë vendin.

Po fuqia e korrentit është aq e dobët më tregonte një i njohur, sa nuk mbushej as llampa e banesës.
Bregdeti I Golemit ka marrë pamje ndryshe fale disa investimeve që janë bërë aty si lidhja e rrjetit te furnizimit me ujë të pijshëm, një shëtitore e vogël dhe e këndshme, por kanalizimet e ujërave të zeza mbeten gangrenë që largojnë turistët.

Po ndërsa për Tiranën, kjo nuk është shqetësuese, për dhjetëra biznese të vogla hotelerie që funksionojnë aty, kjo do të thotë vetëvrasje. E kanë ngritur me thonj atë punë dhe me durim kanë pritur që infrastruktura të rregullohet, ndaj tani kur ka mbetur dhe kaq pak për të ushtruar biznesin e tyre, acarohen me të drejtë.

Nëse duam të bëjmë turizëm,  duhet të heqim dorë nga krekosja pa kuptim për bukuritë natyrore (me të cilat jemi sjellë pa mëshirë) dhe të vendosim standarde dhe rregull.  – See more at: http://shqiptarja.com/blogs/dita_e_katert/kemi_plazhe_por_jo_turizem-1782-6.html#sthash.N5hloKDz.dpuf

Please follow and like us: