Albspirit

Media/News/Publishing

Beqaj, ministri vrasës i shëndetësisë

Shëndetësia  ndoshta është në ditën e saj më të zezë! Kjo jo për shkak të mungesës së mjekëve, por të gjithçkaje tjetër që ka lidhje me sektorin e shëndetësisë.

Denoncimet bëhen nga pacientë e familjarë të tyre, nga opozita, por edhe nga bluzat e bardha, që shërbejnë në qendrat spitalore dhe ato shëndetësore.

Sot duhet të jesh me fat sikur në qendrat spitalore të gjesh në punë aparaturat e ekzaminimit, dhe këtë e pohojnë bluzat e bardha, të cilat kënaqen thjesht duke parë aparaturat, që s’mund t’i vënë në punë. Dhe bëhet fjalë për ato aparatura të cilat shfaqen në ekrane televizive thjesht për show, sa herë ministri apo Kryeministri, duhet të dalin diku për të thënë se po bëjnë diçka.

Urgjenca e Tiranës, më e madhja në vend, vijon të jetë në kaos për shkak të një urdhëri apo udhëzimi të Ministrit të Shëndetësisë që çoi drejt shkrirjes këtë shërbim duke ndarë personelin mjekësor në 3 pika.

Por kulmi arrin kur pacientët duhet të blejnë vetë çdo medikament apo preparat, përfshi edhe ato më të shtrenjtit, të cilët ose mungojnë tërësisht ose janë jashtë standardeve. Denoncimet publike nuk kanë munguar, por ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, thjesht nuk i dëgjon, dhe kur nuk i dëgjon as nuk reagon.

Të vetmet lëvizje që do të mbahen mend nga Beqja i shëndetësisë janë konçensionet, të cilat duket se kanë pasur vetëm një qëllim ndarjen e milionave tek ata që quhen klientët e qeverisë, sipas akuzave publike edhe nga opozita.

Mënyra sesi ky sektor jetik është drejtuar në 3 vitet e Ilir Beqajt, të krijon përshtypjen që s’kemi të bëjmë me shëndetësi, por me një Ministri Konçensionesh, edhe pse në strukturën e qeverisë nuk ka asnjë institucion me këtë emërtim.

Një repart kirurgjie me 10 kirurgë shpenzon për paga rreth 4000 euro në muaj. Koncesioni i ri i sterilizimit i kushton këtij reparti 18.000 euro në muaj. Ndërkohë që më parë i njëjti proces kryej nga infermierët e specializuar brenda pagës së tyre mujore.

18mije euro x 12muaj= 216.000 euro në vit. Në Shqiperi jane rreth 12 spitale rajonale pa përfshirë QSUT, që do të thotë se paratë që shpenzohen janë disa miliona, të cilat sot mund të përdoreshin jo vetëm për të siguruar medikamentet në spitale, por edhe për të përmirësuar kushtet e hotelerisë dhe shërbimit në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Faktet janë të panumërta dhe denoncuara publikisht, por gjithshka mund të lëvizë, veç papërgjegjshmërisë që tregohet me politikat shëndetësore.

Pak ditë më parë u denoncuan raste pa fund të mungesës që medikamenteve që kurojnë fëmijët e sëmurë me kancer.

Një tjetër preparat që mungon dhe që është denoncuar nga Citynews është Ketosteril, i cili përdoret nga pacientët që kurohen nga veshkat. Një ilaç mjaft i shtrenjtë që rimbursohet nga shteti, por për qejf të Ilir Beqaj, Vjollca Brahos, apo sektit të Luzhiana Abazit, apo çdokujt tjetër ky medikament sot nuk iu jepet të semurëve por ju është servirur një tjetër zevendesues që pretendohet se është më i mirë.

Ndryshimi pozitivisht është për tu vlerësuar por në fakt duket të jetë me pasoja të rënda. Pacientët që janë në kurim e sipër me Ketosteril, nuk kanë medikamentin e tyre, kjo sepse është ndryshuar në listën e rimbursimeve dhe ofrohet në tjetër ilaç.

Por rimbusimi me medikamentin e ri nuk bëhet direkt, por pacientëve u rikërkohet të shkojnë në Tiranë për të ribërë kontrolle, analiza dhe për të mbledhur disa vula në QSUT e më pas të shkojnë në qytetet e tyre për të marë preparatin e ri.

Por edhe në rastet kur medikamentet ekzistojnë rreziku është që ato janë prodhime indiane, të cilat vëshirë se mund ti gjesh në ndonjë vend europian, përfshi këtu edhe ato që nuk janë pjesë e BE-së. Kostoja e ulët e këtyre medikamenteve ndoshta është një nga arsyet sepse ato shihen si zgjidhje për shqiptarët, megjithëse standardet e tyre nuk i gjen askund.

Por jo vetëm kaq, në spitale mund të gjesh në depot apo farmacitë medikamente përtej datës së skandencës, të cilët mund të hyjnë në qarkullim me mungesën e medikamenteve të tjera, çka mund të çojë në rastin më të mirë në një moskurim të gjendjes shëndetësore të pacientit.

Këto janë disa shembuj që tregojnë sesi shëndetësia të vret shpejt apo avash avash. Dhe përgjegjësia në këtë rast nuk bie mbi bluzat e bardha, por mbi numrin një të Shëndetësisë, të cilit nuk i dridhet dora për të firmosur konçensionet, por i dridhet aq shumë sa të marrë një vendim shumë të thjeshtë, ikjen nga posti që mban në emër të jetëve që mund të shpëtojnë si pasojë e një tjetër politike, atë të mbrojtjes së shëndetit dhe jo pasurimit të një apo disa klientëve të rradhës së një Qeverie. /citynews/

Please follow and like us: