Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan dhe shkollat tona ‘Gyleniste’

 

Ç’përgjigje do t’i japim Erdoganit për shkollat tona ‘Gyleniste’?

 

Nga Bedri Islami
Me dekretin e tij të parë presidencial, Taip Erdogan, presidenti fuqiplotë i Republikës Turke, mbylli 2.300 shkolla, të cilat, sipas tij, janë pjesë ose frymëzuese të puçit ushtarak të një të premteje kundër qeverisë dhe presidencës. Nuk e di se çfarë lidhje kanë shkollat me puçistët, e po ashtu nuk e di se si është niveli i rrjetit arsimor Gulen në atë shtet të stërmadh. Por e di krejt mirë se kolegjet dhe Universiteti turk në Shqipëri, kudo që janë ngritur, janë më të shquarat, më të përgatiturat dhe me nivelin më të lartë të mësimdhënies dhe perceptimit të lirisë. Ka sinjale se ambasadori turk në Shqipëri, me urdhër të qeverisë së tij, po bën të gjitha demarshet që edhe në shtetin tonë të ketë qëndrime represive dhe mbyllje të institucioneve, të cilat quhen si të rrjetit Gulen.
Ambasadori turk, sipas burimeve të besueshme, po përhap edhe një listë, në të cilën janë shënuar emrat e atyre që cilësohen nga qeveria e tij si përcjellës apo gylenistë, dhe sipas mesazhit të tij, ndaj tyre duhet pasur një qëndrim shtetëror. Do të ishte mirë që ambasadorit t’i bëhej e ditur se në kujtesën e tij ky vend mund të quhet ende Arnautistan, por është Shqipëri, kur jemi në tokën tonë, dhe është Albania në botën perëndimore. Mijëra vite më parë, ai që u quajt perandori i parë i Kinës, Shih Huang Ti, urdhëroi të hidheshin në zjarr të gjithë librat e shkruar para tij, e njëkohësisht, të ngrihej ledhi që njihet si muri i madh kinez. Me mbyllë shkolla dhe me gardhue shtetin tënd është punë e princave të egërsuar e jo dritë hijerëndë e liderëve të zgjedhur nga populli. Të djegësh libra dhe të mbyllësh shkolla do të thotë të risjellësh obskurantizmin në një vend të lirë, që kokën e ka në Europë dhe trupin në Azi. Të mbyllësh një shkollë a të gardhosh një copë tokë, është e zakonshme, por të mbyllësh 2.300 shkolla dhe të kërkosh mbylljen e shumë të tjerave, kam drojë se nuk është fillesë e mbarë për një komb. A po sillet në shtetin turk hija e Abdyl Hamidit apo fryma kemaliste do të jetë rishtas mbizotëruese? Unë besoj në të dytën, megjithëse historia e përbotshme nuk është asgjë tjetër veçse historia e përsëritjeve. Shumë vite më parë Niçe do të shkruante: “Kudo ku është djerrina – mjerimi i përket atij – që s’del jashtë djerrinës”. Megjithëse nuk kam qenë asnjë ditë mësues, më dhemb për shkollat e mbyllura, edhe në një vend të largët; dhe revoltohem kur duan të mbyllin shkollat edhe në vendin tim.

Please follow and like us: