Albspirit

Media/News/Publishing

Fevziu bën profilin e Kokëdhimës/ Pse u bë armik me Edi Ramën

Përse u prish Koço Kokëdhima me Edi Ramën? Kësaj pyetjeje mëton t’i japë përgjigje gazetari Blendi Fevziu, në një shkrim të bërë në faqen e tij, “Opinon”. Për të zbuluar arsyen prishjes, Fevziu niset nga arsyeja e lidhjes së miqësisë së tyre, si një interes mes pushtetit politik dhe atij ekonomik.

“Duket pa sens të merresh me një miqësi të prishur sepse politika shqiptare është e mbushur plot me to, por kjo nuk është thjeshtë një miqësi. Eshtë një model se si lidhet pushteti politik me atë ekonomik dhe se si e majta ka ndërtuar strukturën e saj në pushtet”.

Ky model niste 18 vjet më parë – kujton Fevziu – kur Kokëdhima nga Fieri dhe Rama nga Parisi erdhën në Tiranë, njëri për të hapur më pas gazetën “Shekulli” dhe tjetri për t’u bërë ministër i Kulturës. Raporti mes tyre ishte i fortë, me përfitime e kosto të dyanshme. Ishte një lloj varësie, thotë Fevziu.

“Edhe pse nuk thuhet dot se cili ka pasur më shumë përfitime nga kjo miqësi, një gjë është e qartë, raporti i tyre ishte aq i fortë, sa Kokëdhima e quante Ramën investimi i tij, ndërsa Rama Kokëdhimën një model të biznesmenit trim. Një mik i përbashkët, i konfliktuar me të dy, e shpjegonte varësinë e Ramës ndaj Kokëdhimës i një lloj trimërimi që i jepte ky i fundit dhe që Ramës i mungonte. Për shumë vite Kokëdhima shihej si një lloj eminence gri e Ramës. Deri në atë pikë, sa ai ishte negociator i rëndësishëm me Ilir Metën në 2012 – 2013 dhe po ashtu negociator me disa forca politike, përfshi aleancën Kuq e Zi. Kur mendohej se Kokëdhima do vijonte të mbetej eminencë, ai vendosi të dalë në skenë.”

Prishja, sipas Fevziut, nisi kur Kokëdhima u ndje i braktisur për shkak se Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin. Pas kësaj – thotë ai – ish deputeti i jugut po kurdiste diçka me Ilir Metën, për ta rrëzuar Ramën nga pushteti. Pjesë e këtij skenari – thuhet në shkrim – është edhe roli prej protagonisti Kokëdhimës në sabotimin e reformës në drejtësi, që portretizohet si nostalgjik i kohëve kur të huajve u tregohej vendi.

“Kokëdhima u zgjodh kandidat për deputet në Vlorë dhe mori një rol lidershipi në gjithë zonën e Jugut. Duke hyrë në konflikt me jo pak vetë brenda PS. Ai vijoi të ishte një mbështetës i Ramës dhe ky i fundit e suportonte Kokëdhimën me gjithë kontestimet e brendshme në parti. Vijoi kështu deri pak javë më parë. Deri atëherë kur thashethemnaja për një prishje mes tyre mori formë në një frekuentim të përditshëm mes Metës e Kokëdhimës dhe në një platformë për të rrëzuar kreun e PS. Kokëdhima thuhet se po luan një rol intensiv në goditjen ndaj Ramës dhe për këtë ka një shkak. Si edhe në rastin e miqësisë së tyre, shkaku nuk është i thjeshtë të gjendet, por informacione ka. Sipas burimeve të opinion.al, Kokëdhima është ndjerë i braktisur në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i hoqi atij mandatin e deputetit. Ai besonte se Rama mund të influenconte, së paku në njërin prej gjyqtarëve, por nuk e ka bërë. Nuk ka dashur apo nuk ka mundur kjo nuk dihet, por protagonistë të tjerë nga PS kanë influencuar në lënien e Kokëdhimës jashtë Parlamentit. Duke e menduar këtë si një lojë të Ramës për të shpëtuar prej tij, Kokëdhima është ndjerë i lënduar dhe është hedhur në sulm. Ai është sot ndër njerëzit më aktivë në sabotimin e grupit të PS dhe në dështimin e reformës në drejtësi. Një sovranist par ekselencë, personazh që beson se të huajët vetëm e dëmtojnë këtë vend, nostalgjik i modës kur të huajve ju tregohej vendi dhe mbi të gjitha i gatshëm të’i shkojë betejës deri në fund, Kokëdhima po bën gjithnjë e më tepër deputetë rreth tij. Deri tani numërohen së paku 2 të tillë. Nuk është aspak çudi që Kokëdhima të ketë ambicie edhe më të mëdha”.

Por mbi të gjitha këto, Fevziu shprehet se prishja e kësaj miqësie të veçantë, që mund ta lërë Kokëdhimën edhe jashtë listës së ardhshme të PS –së për deputetë, qëndron tek aleanca e ngritur mes tyre, pa bosht ideologjik.

“Nuk është çudi që ai të ndihet jashtë listës në zgjedhjet e ardhshme dhe për këtë sërish bën përgjegjës Ramën. Por ndërsa Kokedhima e shpreh kudo pakënaqësinë e tij, Rama thuajse nuk flet për këtë. I vetmi gjest është pakënaqësia e shprehur ndaj LSI për raportet e saj aktuale me Kokëdhimën. Nuk dihet se si do shkojë më tej fati i tyre, por prishja e raportit Rama – Kokëdhima është shembulli më tipik i aleancave pa bosht ideologjik dhe pa asnjë konkurencë të brendshme dhe të ndershme në parti. Eshtë shembulli tipik i një çiftëzimi që askush nuk ja gjeti dot sekretin dhe po ashtu, asnjëherë nuk do të dijë t’i japë një përgjigje të saktë se përse u prish”.

 

Please follow and like us: