Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Rruga e Kombit me pagesë!

Ministria e Transportit njoftoi që një kompani Turke do të bëjë mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit duke vendosur një pagesë për mjetet që do të qarkullojnë në këtë rrugë.

Të gjitha gazetat dhe mediat online pak kohë më parë publikuan faktin që po zhvillohej një strategji për dhënien e rrugëve me koncesion. Ministri deklaroi se kjo strategji do të ndiqej me përpikmëri dhe do të ishte baza për përcaktimin e cmimit.

Sipas tabelës së kësaj strategjie pagesa për rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 Euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 Euro për të gjithë distancën.

Ministria njoftoi që pagesa do të jetë 5 Euro! Mirë që po vendosin pagesë në arterien kryesore të vendit ku trafiku vjetor llogaritet në 11000 automjete por kjo po bëhet dhe me të paktën 33% më shumë se cmimi i sygjeruar nga ekspertët! Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë për cfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?!

Përpara se të merret ky vendim i rëndësishëm gjykoj që duhet të analizohen dhe shumë faktorë të tjerë. Një analizë kosto-përfitime e plotë se çfarë humbim e sa fitojmë, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm kur këtë vit turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet Shqiptare.

Siç duket premtimet për një treg të vetëm me Kosovën, për lehtësira e bashkëpunim në rritje ishin thjeshtë propagandë që filloi e mbaroi me një mbledhje të vetme qeverie!

 

Please follow and like us: