Albspirit

Media/News/Publishing

Erdogan sulmon Merkelin: Nuk jam sulltan

 

I quan të pasinqertë liderët europianë dhe akuzon Gjermaninë se nuk bën asgjë për të luftuar terrorizmin. Rexhep Taip Erdogan theksoi se vendi i tij i përmbush detyrimet ndaj Bashkimit Europian dhe mbrojti arrestimet e mijëra nëpunësve civilë për grushtin e shtetit. Sa i përket vendimit të rivendosjes së dënimit me vdekje, ai përsëriti se ku vendim i takon popullit turk dhe ai nuk ishte mbret që të vendoste vetë.

“Tentativa për grusht shteti ishte pika më kritike e jetës time”, tha presidenti turk gjatë një interviste për kanalin shtetëror gjerman “ARD” nga pallati presidencial në Ankara, duke e akuzuar rivalin e tij Fethullah Gylen si terrorist. “Nuk e di kur do të normalizohet situata. Duhet të presim. Janë pezulluar më shumë se 45 mijë nëpunës civilë dhe 21 mijë mësuesve të shkollave private u është hequr licenca. Ministria e Arsimit do të emërojë shumë shpejtë 20-30 mijë mësues të rinj”, shtoi Erdogan, duke mohuar faktin se Turqia ishte në krizë ekonomike: “Ne jemi shumë më mirë se shumica e vendeve të BE-së”.

Kur u pyet nëse do ta rivendoste dënimin me vdekje, Erdogan tha se ai nuk e kishte këtë autoritet: “Unë nuk jam mbret, jam vetëm president. Turqia nuk është monarki. Ne kemi një rend demokratik dhe një shtet i tillë dëgjon kërkesën e popullit. Të jesh një president i fortë nuk do të thotë të veprosh kundër kushtetutës”.

Kriza e refugjatëve

Duke iu referuar krizës së refugjatëve, ai sulmoi liderët e BE-së se nuk po mbajnë premtimet. “Turqia ka shpenzuar rreth 12 miliardë dollarë për të mbajtur 3 milionë emigrantë dhe ndihma që ka dhënë BE-ja është 1-2 miliardë dollarë. Ne i mbajmë premtimet tona, por a i mbajnë Europianët?” vijoi ai duke nënkuptuar heqjen e vizave me BE-në.

Në lidhje me sulmet e fundit terroriste në Gjermani, Erdogan shprehu mbështetjen e tij ndaj popullit gjerman dhe akuzoi Gjermaninë se ajo nuk po bënte asgjë për të luftuar terrorizmin, duke shtuar e ilustruar me politikanët e Partisë së Punës së Kurdistanit, të cilët lejoheshin që të lëviznin të lirë. “I kam dorëzuar Angela Merkelit 4000 dosje me emra. Këta njerëz jetojnë në Belgjikë tani, Francë dhe Holandë. Nëse nuk i luftojmë së bashku do kemi probleme”.

Please follow and like us: